Morina, hero i Sllovenisë

Gëzim Morina e ka dërguar Slloveninë në rrethin e dytë të Kampionatit Evropian U-20. Basketbollisti kosovar ka qenë hero i sllovenëve, duke i realizuar pikët vendimtare në sekondat e fundit në fitoren 72:71 ndaj Turqisë. Për 19 vjeçarin kjo është një ndjenjë e jashtëzakonshme.
Ai dëshiron t’i ndihmojë sllovenët të shkojnë sa më larg në këtë garë.
Gëzim Morina ka qenë hero i Sllovenisë U-20. Basketbollisti kosovar i ka realizuar pikët vendimtare në fitoren ndaj Turqisë, e cila ua siguroi gjelbërebardhëve kualifikimin në fazën e dytë në Kampionatin Evropian për U-20.
Turqit po udhëhiqnin 71:70, por në sekondat e fundit basketbollisti nga Theranda e mori një top nën kosh dhe me lehtësi shënoi për t’ia siguruar fitoren Sllovenisë me rezultat 72:71, të katërtën në Grupin F nga po aq përballje.
“Të jem i sinqertë, nuk e prisja topin. Marrëveshja ishte që topi të qarkullonte. Të gjithë turqit po bënin presion, ndërsa unë isha nën kosh, e mora topin dhe shënova. Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme. Vetëm i kam ngritur duart lart”, deklaroi pas ndeshjes Morina, i cili e ngriti Slloveninë në pozitën e parë.
Deri në fund, turqit po udhëhiqnin dhe po sulmonin, por tre sekonda para fundit arriti ajo të cilën e kishin pritur të gjithë sllovenët. “Plani ishte që të mbroheshim pa gabime personale. Ne ia dolëm me përpikëri që t’u përgjigjeshim kërkesave të trajnerit dhe në fund fituam”, shtoi 19 vjeçari i cili e mbylli ndeshjen me 13 pikë të realizuara. Ai dëshiron ta dërgojë Slloveninë sa më larg të jetë e mundur në këtë eveniment.
Morina: Kastrati, si një vëlla për mua
Derisa i shënoi pikët e fitores, ndër më të rëndësishmet në karrierë, Morina u vërsul te tribuna për ta përshëndetur shokun e skuadrës te Olympia, Erjon Kastrati, njëherësh bashkëkombës i tij.
“E kam vërejtur mbështetjen e tij dhe gjëja e parë që isha duke menduar ishte që të vrapoja dhe të shkoja për ta përqafuar. Për mua, Kastrati është si një vëlla. Unë mësoj shumë nga ai në Lubjanë”, nënvizoi Morina.
Morina i kishte nisur hapat e parë të karrierës në Kosovë, ndërsa në Slloveni e kishte dërguar për t’u testuar menaxheri Dragan Janjic. “E falënderoj shumë Janjicin dhe trajnerët me të cilët kam punuar nga ajo kohë si Bassin, Kolman e Dzikic. Gjatë tërë jetës do t’u jem mirënjohës. Falë tyre jam ky që jam sot”, shtoi ai.
Morina e pranon se vitin e kaluar kishte mbetur i zhgënjyer që nuk ishte ftuar në përfaqësuesen A të Sllovenisë, edhe pse kishte qëndruar me këtë ekip në përgatitje. Por, këtë vit ai po shkëlqen me ekipin e të rinjve. Morina siguron që përpos në Slloveni, ky ekip, por edhe Olympia e Lubjanës, kanë mbështetës edhe në Kosovë, në atdheun e tij.