KKVITI

Monitorohet pasprivatizimi i KEDS-it

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Qeveria e Kosovës dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) kanë nënshkruar të mërkurën një marrëveshje për bashkëpunim si pjesë e asistencës në procesin e post-privatizimit të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe drejtori i IFC-së për Evropë dhe Azi Qendrore, Tomasz Telma, ndërsa qëllimi i saj është që të sigurohet asistencë në ekspertizë dhe këshilldhënie nga IFC gjatë monitorimit të pasprivatizimit, për t’i adresuar me kohë të gjitha çështjet relevante dhe shmangur përvojat jo të suksesshme në rajon.

UBT

Ministri Ismajli, në cilësinë e Kryesuesit të Komitetit Qeveritar për Privatizim (KQP), ka deklaruar, se duke i pasur parasysh kompleksitetin, rëndësinë publike dhe strategjike, si dhe përvojat në rajon, Qeveria në bashkëpunim me IFC dhe përmes Njësisë për Pasprivatizim, do t’i kushtojë vëmendje të posaçme procesit të pasprivatizimit, duke qenë kështu të gatshëm në çdo mënyrë, për t’i adresuar në kohë të gjitha çështjet relevante, për një pasprivatizim të suksesshëm.

Ndërsa, drejtori i IFC-së për Evropë dhe Azi Qendrore, Tomasz Telma, ka deklaruar se me këtë marrëveshje IFC do t’i ndihmojë Qeverisë së Kosovës që të mbikëqyrë implementimin e këtij privatizimi në mënyrë që të sigurohet që projekti të implementohet në mënyrë të duhur.