Fundamenti

Monaco kërkon shqiptarin

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Monaco kërkon Armando Vajushin. Nuk bëhet fjalë për thashethëm, por për një lajm të konfirmuar që ka zënë dje faqet e para të shtypit sportiv në Bullgari.

Sipas mediave të këtij vendi, menaxherët e gjigandit francez kanë qenë të pranishëm në takimin e javës së shkuar mes CSKA-së së Sofjes dhe Litexit (2-0), dhe kanë konkluduar se lojtarët që interesohen janë Vajushi dhe Slavçev.

“Menaxherë të klubit nga principata nuk i kanë kursyer fjalët e mira për Simon Slavçev. Por, në monitorim të vazhdueshëm ka qenë edhe shqiptari Armando Vajushi. Për këtë të fundit është lënë edhe një takim mes drejtuesve të Monakos dhe Litexit në fund të këtij muaji, për të diskutuar në lidhje me mundësinë e kalimit të tij në kampionatin francez”, shkruhej dje në “blitz.bg”.

Uji Dea

Kujtojmë që Monaco është një nga klubet më të pasura në Europë, kjo pasi jo më larg se dy vite më parë pjesën më të madhe të aksioneve (66.67 për qind) i bleu manjati rus Dimitri Rybolovlev. Ndërsa pjesa tjetër e aksioneve (33.33%) janë në pronësi të familjes mbretërore, Grimaldi. Trajner është italiani i shumëshëtitur, Claudio Ranieri. Ndërkaq, jo më larg se javën e shkuar, sërish mediat bullgare patën shkruar edhe për oferta nga Bundesliga austriake, kampionati belg dhe Bundesliga e Dytë gjermane, në drejtim të shqiptarit, të cilat drejtuesit e klubit janë duke i konsideruar.

Vetë Vajushi ka theksuar se do të ulet në përfundim të sezonit me presidentin dhe do bisedojë mbi të ardhmen e tij. “Ndihem shumë mirë te Liteksi, sepse në më shumë se dy vite te ky klub kam bërë mjaft miq, të cilët më duan dhe respektojnë. Kontrata ime përfundon në qershor të 2015-s, ndaj nuk mendoj se është momenti të flasim për transferime. Gjithsesi, në përfundim të këtij kampionati do të ulem me presidentin dhe të flasim për të ardhmen time. Do jetë klubi që do vendosë nëse do largohem apo jo këtë verë. Për momentin unë jam i fokusuar vetëm te skuadra, ku si objektiv kemi të marrim sa më shumë pikë dhe të kualifikohemi në Ligën e Europës”, tha Vajushi.

Lojtari i Kombëtares shqiptare shihet si “ari” i Litexit, kjo jo vetëm se është ende në moshë të re dhe kërkohet nga shumë klube, por edhe se ka treguar cilësi shumë të mira gjatë këtyre dy sezoneve e gjysmë në kampionatin bullgar.