Hidromorava

Mohuesit dhe hipokrizia e tyre politike!

/ 5 minuta lexim

Shkruan: Veton Nevzadi – Mohuesit publik janë një kategori e veçantë e individëve me prirje konstante për të përqeshur dhe dekurajuar secilën nismë të mirë. Në jetën publike flasin dhe vështrojnë nga perspektiva e korbit duke vepruar kundër secilës vepër të cilën nuk e kanë menduar apo që nuk e dirigjojnë vet. Mohojnë në tërësi çdo zhvillim që ndodhë në vendin ku jetojnë e i cili nuk është i tyre.

S`i patriotë të vetëshpallur deklarojnë se “e duan” vendin e tyre më shumë se çdo kush tjetër (pa ndonjë dëshmi të verifikueshme jetësore), duke bartur me vete si dekor histeri patriotike dhe përbuzëse ndaj secilit veprim të mençur e vizionar që mëton të krijojë efekt zhvillimi për tjerët.

Kjo histeri bëhet edhe më e rëndë sidomos kur veprimet e të tjerëve krijojnë efekt të shpejtë dhe të dukshëm pasi që dëshira e tyre është që të mos bëhet asgjë, të mos ndërrohet as edhe një tjegull e vetme nëse ajo nuk bëhet nga ata, sepse çdo gjë që ndodhë në këtë shoqëri duhet ta ketë bekimin e tyre.

Mohuesit pasi që që futen në politikë, në mungesë të vullnetit dhe të ideve alternative të cilat do të mund t’ua ofronin qytetarëve në forumet publike, gënjejnë duke u munduar që ta shtrembërojnë realitetin me njollosjen dhe humbjen e vlerës së secilit që punon arsyeshëm dhe me kreativitet.

Kur flas për ide kreative, natyrisht që nuk mendoj për ato qesharaket të cilat fyejnë njerëzit që jetojnë pastër e ndershëm prej punës së tyre, nuk flas për komentime dhe përqeshje të gjendjeve fizike të kundërshtarëve politik apo edhe për paraqitje të pasinqerta publike të cilat nënçmojnë dhe fyejnë inteligjencën e njeriut të këtij vendi.

Ata e kanë të krijuar bindjen se historia u ka rezervuar një fat të rrallë dhe për këtë arsye nuk ballafaqohen me probleme të përditshme të shoqërisë sepse ato janë tepër të vogla për profilin e tyre. Roli i tyre historik është që ta mbrojnë kombin nga të këqijat eventuale të cilat mund t’i bëjnë të “vdekshmit” e kësaj bote.

Janë “gardianë të demokracisë” të lindur vetëm për të krijuar gjurmë të thella në histori, natyrisht që me fjalë sepse kur ishte koha për të bërë veprën e duhur disa prej tyre ishin në anën e gabuar, ndërsa shumica ja mbathën ose përqeshën idenë për të sotmen ashtu sikur po e përqeshin sot idenë për të nesërmen.

Deklarimet e tyre kryesisht janë tendencioze dhe për qëllim kanë diskreditimin e kundërshtarëve politik. Mund t’i gjesh në secilën parti politike. Përsiatjet politike të mohuesve janë ekuivalente me leksionet hipokrite të kohëve të fundit për ruajtje të klimës politike në komunën e Gjilanit të bëra nga akterë të cilët shfrytëzuan edhe vjedhjet ordinere të busteve për të dëmtuar këtë klimë.
Duhet vërtetë të jesh me “fytyrë” që pas gjithë atyre shpifjesh të përulesh para atyre busteve e të mos ndjesh ndërgjegjen të të thotë se të gjithë mund ti gënjesh, por jo këta të cilëve u munduat t’ia shfrytëzoni madje edhe zhdukjen e përkohshme.

RCCOLA

Duhet vërtetë të jesh serbo-nostalgjik e t’i kujtosh me mall kohërat kur Gjilani krahasohej banalisht me kryeqendrën. Me kafiteri a po? “Dora”, “Qafa” në krahasim me kafiteritë e lagjes Dardania në Gjilan. Sa naive duken këto krahasime. Si duket mohuesit po e shikojnë orën mbrapshtë…

Do të dëshiroja ta dija në cilat parametra institucional kryeqendra mund të matet me Gjilanin pasi që e vërteta është e kundërt nëse heqim serbo-nostalgjinë dhe hipokrizinë.

Gjilani është përzgjedhur komuna e parë në rangun e konkurrencës së komunave të mëdha në nivel të Kosovës për krijim të ambientit të përshtatshëm për të bërë lehtë biznes sipas një hulumtimi të bërë nga USAID-i,

Gjilani është komuna e parë në përdorimin e teknologjisë informative në konkurrencën e komunave të Kosovës sipas MAPL-së,

Gjilani është zgjedhur për disa vite rresht po ashtu nga USAID-i si komuna e parë për mbajtjen pastër të qytetit,

Gjilani vetëm këtë vit ka marrë dy çmime të rëndësishme, e ato janë për transparencë komunale dhe për inkasim e të hyrave vetanake.

Gjilani ka lëvdata nga përfaqësuesit e UE-së për gatishmërinë dhe profesionalizmin e komunës për të ecur përpara me krijimin e kushteve të volitshme për procesin e liberalizimit të vizave i cili në vete përmban edhe barrën e të riatdhesuarve në vend.

Historia e vërtetë ka dëshmuar se mohuesit nuk kanë qenë asnjëherë njerëzit e duhur në vendin edhe kohën e duhur. Ata shfaqen vetëm pas ngjarjeve, njëjtë sikur policët e ngathtë në filmat amerikan. Krejt çka ju mbetet janë komentet dhe koha e mjaftueshme për të shpifur dhe shitur mend për secilën çështje publike, dhe nuk ka rëndësi për cilën, me rëndësi është të flitet për diçka. Të bëhet pak zhurmë. /2lonline/