RCCOLA

Modelja shqiptare që u “rrëmbye” me helikopter

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Ajo është e bukur. Është konsideruar si Jessica Rabbit shqiptare. Ndërsa, ai është një showmen dhe producent që aktivitetin e tij artistik e ka në Belgjikë.

Arnisa Dervishi është bërë e njohur në spektaklin “Miss Shqipëria 2004”, por një vit më vonë do të bëhej pjesë e shumë kalendarëve dhe sfilatave. Ajo ka qenë gjithashtu protagoniste si imazh në reklama të kompanive të ndryshme, por bumin e saj më të madh e pati kur performoi në Fashion TV Paris.

Arnisa Dervishi vjen sot në një intervistë me “Shekullin” për të na rrëfyer jetën e saj në Belgjikë dhe pritjen e një vajze që ka vendosur ta quajë Perla.

Ajo gjithashtu do të përcjellë edhe disa fotografi të një dasme ndryshe. Nusja këtë herë është aq e veçantë sa që e meriton ta “rrëmbesh” me helikopter të kuq. Bashkëshorti i saj, Mc Arturo është një producent shqiptar që prej vitesh jeton dhe punon në Belgjikë.

Edhe pse të rinj, ata janë një çift që e duan shumë vatrën familjare, ndaj edhe presin që këtë muaj të gëzohen nga ardhja në jetë e një perle. Bukuroshja shqiptare rrëfen për “Shekullin” jetën e saj në Belgjikë, largimin nga bota e pasarelave dhe pritjen e ëmbël të bebes, që nga dita në ditë do ta mbajë në krahë.

Si është të jesh në muajin e fundit të pritjes së një fëmije?

Muaji i fundit i shtatzënisë ka emocione të papërshkueshme… Është një ndjenje jashtëzakonisht e bukur. Çdo gjë që është bërë gati, duke filluar nga dhoma ku nuk mungon asgjë e nevojshme për beben dhe duke përfunduar te karroca dhe rrobat e vockla, të japin një ndjesi të veçantë. Kjo është një pritje e ëmbël.

Ju jeni një çift që jeni martuar shumë të rinj dhe keni pohuar që i doni shumë fëmijët. Sa e vështirë ka qenë për ju të largoheni nga bota e modës për të krijuar një familje, për të pritur një fëmijë?

Fëmijët janë bekimi më i bukur që Zoti i jep një çifti. Këtë e kam menduar gjithmonë, por tani më shumë se kurrë jam e bindur që është gjëja më e bukur në jetë. Kënaqësinë që të fal një familje e kompletuar bukur nuk ta jep asgjë dhe asnjë, madje as bota e bukur e modës që mbetet për mua akoma si dashuria parë.

Jeni e lumtur që fëmija është vajzë? Kryesisht në shoqërinë shqiptare pas martese të urojnë: “Me një djalë”.

Eco Higjiena

Në momentin që konfirmova shtatzëninë time u lumturova pamasë, por momenti kur mjeku më tha që fëmija që unë prisja është meisje (flamisht do të thotë vajzë) emocionet ishin akoma më të mëdha. Kjo sepse, dëshira ime më e madhe ishte që fëmija i parë të ishte vajzë. E kisha menduar dhe dëshiruar aq shumë saqë i kisha gjetur edhe emrin.

Kush vendosi për emrin? Dhe a mund ta zbuloni për lexuesit tanë?

Vajza do të quhet Perla De Bezati (De nga Dervishi dhe Bezati mbiemri i Arturos). Zgjedhja e emrit ishte unanim i të dyve. Kemi vendosur të dy për këtë.

A keni ndopak frikë në emocionet e pritjes së një fëmije?

Frika është një ndjenjë që të shoqëron gjatë gjithë shtatzënisë e aq më tepër kur afrohesh drejt fundit. Por këto kohë po mundohem që ta kaloj dhe ta mposht këtë ndjesi. Dhe këtë e bëj me mendime të bukura dhe pozitive… I them vetes shpesh: “Arnisa çdo gjë do të shkojë mirë”, dhe buzëqesh.

Si i kujtoni momentet e dasmës tuaj tani pas nëntë muajsh? Cili është emocioni më i madh i asaj dite?

Momentet e dasmës janë dhe do të mbeten gjithnjë momente shumë mbresëlënëse, shumë të bukura. Emocionet kanë qenë prezente në çdo çast të asaj dite dhe nuk mund të veçoj asnjërën, pasi jam ndier e mrekulluar nga çdo gjë…

Ka qenë një dasmë sa tradicionale, aq edhe moderne, apo jo? Vjet kjo dasmë u komentua shumë edhe pse vetëm pak foto u bënë publike.

Kombinimi i tradicionales me modernen e bën akoma edhe më të bukur dasmën tonë… Ishte një zgjedhje totalisht e jona. U martuam ashtu si deshëm vetë. Fotot e dasmës janë shumë të bukura vërtet, aq të bukura sa për t’u komentuar. Disa komentonin helikopterin e kuq, i cili nuk ishte i zakonshëm në dasmat shqiptare, ndërsa të tjerë… Kishte disa komente atëherë.