Uji Dea

Mocioni dhe buxheti i korrupsionit

/ 6 minuta lexim

Nga Nehat Hyseni – Seanca e VII-të e Kuvendit Komunal të Bujanocit, karakterizohet për një stërgjatje maratonike dyditore, debate të ashpra, replika dhe akuza mes këshilltarëve pozitarë dhe opozitarë.

Mocioni

Që në fillim të seancës plasi sherri kur shefi i këshilltarëve të LPD-së Adnan Salihu, kërkoi të futet në rend të ditës, shpallja e “Rezolutës për reciprocitet me serbët e Veriut të Kosovës”, duke aluduar se nuk guxon të ketë pakicë të privilegjuar në Ballkan.

Pak kush e ka pritur se këshilltarët e PD-së, në pozitë, t’u bashkohen këshilltarëve opozitarë shqiptarë për ta radhitur një mocion të tillë në rend dite si pikë e veçantë, duke menduar se me këtë mbështetje do t’i humbin partnerët serbë të koalicionit qeverisës.

Për çudi, pas një zhurme të krijuar rreth këtij propozimi, seanca i vazhdoi punimet normalisht pa ndonjë krizë parlamentare, këshilltarët serbë i ulën veshët dhe nuk ia kthyen shpinën partnerit të koalicionit.

Ditën e dytë kur u debatua për këtë pikë këshilltarët e PD-së në marrëveshje me këshilltarët serbë, të cilët e përbëjnë koalicionin qeverisës, nuk pranuan konkluzionet e opozitës shqiptare, duke i votuar ato të cilat vet i kishin përpiluar multietnikisht e qe nuk paraqesin ndonjë risi për shqiptarët e Komunës së Bujanocit.

Buxheti

Nga 67 pikat e seancës së rregullt të KK të Bujanocit, që po ashtu zgjoi kërshërinë e këshilltarëve, propozimet, replikat dhe akuzat e ndërsjella ishte buxheti për vitin 2013, në vlerë prej 971.801.000,oo dinarësh, më i lartë se ai i vitit të kaluar.

Pas shumë debatesh në mes pozitës dhe opozitës rreth buxhetit komunal, respektivisht planifikimit dhe shpërndarjes së tij, nxiti revoltën dhe pakënaqësitë e opozitës, e cila aspak nuk ishte e kënaqur për ndarjen e buxhetit.

Në shenjë të kritikave u gjet planifikimi për ndarjen e mjeteve për Radio Televizioni Bujanoci me mbi 30 milion dinarësh, nga 25 milion sish sa kishte në vitin e kaluar.
Këshilltarët e PD-së, tashmë në pozitë, dikur e akuzonin RTB se disponon me një buxhet, të cilin nuk e ka as BBS-i, kurse tashti kur në krye të këtij mediumi e kanë njeriun e tyre me shkollim të mesëm, pa ndonjë problem.

Paramendoni, kryetari i këshillit drejtues të RTB, zgjidhet edhe anëtar i këshillit drejtues a në anën tjetër e thirr veten se është drejtor i TV Spektrit, medium i “pavarur”. A nuk i thonë kësaj kundërthënie interesash?!

Opozita dhe pozita shkëmbyen polemika edhe me ndarjet e mjeteve si për klubet sportive, sektorin joqeveritar, shkollat etj.

Për dallim nga buxheti i vitit të kaluar, për buxhetin e vitit të ardhshëm janë paraparë mbi 5 milion din. për mediumet e pavarura. Të ngazëllyer nga ky sihariq i mirë disa portale informative: titulli.com, bujanoci.net dhe TV “Spektri” e ngritën lartë punën e kësaj seance komunale dhe morën obligime ta njoftojnë OSBE-në për punën e mirë, që po bënë pushteti lokal për përparimin e mediumeve të “pavarura”!

Hidromorava

Po këto mediume pak para do ditësh e akuzuan pushtetin lokal se përmes RTV Bujanoci, po bllokon punën e mediumeve të “pavarura”, duke e shtrirë shikueshmërinë edhe jashtë autorizimeve që ia lejon licenca.

Anashkalimi

Pozita i rrëzoi të gjitha propozimet e këshilltarëve shqiptarë të opozitës përveç propozimit të shefit të grupit të këshilltarëve të LPD-së, dr. Adnan Salihu, i cili kërkoi që sektorit joqeveritar t’i zvogëlohet buxheti në favor të klubeve të shahut. Një propozim i tillë u aprovua nga këshilltarët pozitarë jo se kanë ndonjë simpati ndaj propozuesit, por pse në krye të disa klubeve gjenden adhurues të partisë në pushtet.

E veçanta e kësaj seance është se nëpër këshillat drejtuese e mbikëqyrëse u hoqën gjysma e anëtarëve shqiptarëve, në favor të partnerëve serbë të koalicionit, pa caktuar asnjë përfaqësues të bashkësisë rome.

Po ashtu problematike ishte ndërrimi i këshillave të shkollave, për cka opozita e konsideronte të paligjshme. Opozita shqiptare kërkoi nga kryesia e kuvendit të hiqen 6 pikat që kanë të bëjnë me këshillat e shkollave, por kërkesat e tyre u anashkaluan.

Injorimi i kërkesave të këshilltarëve shqiptarë opozitarë nga kryesi e kuvendit multietnik, shkaktoi një iritim te qytetarët, të cilët nuk kanë pritur që pas zgjedhjeve të reja të krijohet një ngërç politik e ekonomik të papërmirësueshëm.

Marifetllëqet

Deri sa këshilltarët shqiptarë pozitë-opozitë grindeshin për shumë çështje me rëndësi për qytetarët, këshilltarët serbë i fërkonin duart dhe bënin sehir se si njolloseshin, përbalteshin kuadrot shqiptare të shkarkuar nga pushteti aktual.

Stojança Arsiq, nga radhët e grupimit të qytetarëve akuzonte Jonuz Musliun se për ta rrëzuar pushtetin ka vizituar selitë e PS-së në Vranjë, a harron se ai, jo shumë larg ishte anëtarë dhe funksioner i kësaj partie. Më vonë ky Stojança e ndërroi partinë e Millosheviqit dhe kaloi te JUL-i dhe me ndihmën e shqiptarëve u bë kryetar komune në Bujanoc.

Po ky Stojança dhe kryetari aktual i komunës Nagip Arifi, në stilin e Boros dhe Ramizit, formuan qeverisjen lokale duke e ndarë pushtetin në dysh dhe duke nxjerr në opozitë 18 këshilltarë shqiptarë. Derisa Stojança Arsiq ishte dikur i përkëdheluri i partisë së Millosheviqit, më vonë edhe i shoqes së tij, me ndihmën e “pobratimit” Nagip Arifi, në atë kohë “delegat” dekoroi Mira Markoviqin, qytetar nderi.

Ata që e dinë sado pak historinë e Boro e Ramizit, ju kujtohen lidhjet e tyre të vëllazërim-bashkimit komunist, një ndjenjë e tillë mundohet të ringjallet edhe sot në Bujanoc, duke shkelur përqindjen e popullsisë, rezultatet e zgjedhjeve dhe duke ngjallur përndjekjet e dikurshme të diferencimeve ideo-politike, spastrimet etnike etj.

Seanca e VII-të e Kuvendit Komunal të Bujanocit, e mbajtur në vigjilje të këtij fundviti, do të mbahet gjatë në mend për nivelin e ulët të udhëheqjes, aprovimin e njëanshme të vendimeve dhe akteve, me të cilat janë prekur çështjet më vitale të popullsisë shqiptare, thjesht është prekur në sedër dinjiteti i qytetarit shqiptar.