Mjerimi sanitar
Inspektimet e Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinës konstatuan se shumë lokale ushqimore në Kosovë punojnë në kushte të mjera higjieniko-sanitare. Stafi i lokaleve nuk mban higjienë as personale si dhe ambienti ku përgatitet ushqimi përmban baktere të rrezikshme. Madje, disa raste, agjencia i çoi edhe në gjykatë.
Në shumicën e lokaleve afariste në Kosovë, ushqimi përgatitet në kushte të mjerueshme higjieniko-sanitare. Aty mungon higjiena e stafit, e deri te prezenca e baktereve të rrezikshme.
Probleme si këto, inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinës hasën me të madhe sidomos në rajonin e Gjilanit dhe të Ferizajt. Prej 242 inspektimeve në lokale të ndryshme, analizat treguan se shumë prej tyre nuk i plotësonin as kushtet elementare higjieniko-sanitare.
Në shumicën prej këtyre lokaleve, u gjet se stafi i lokaleve nuk mbante higjienë personale si dhe ambienti ku përgatitej ushqimi përmbante baktere të rrezikshme për shëndetin e njerëzve.
“Pas ekzaminimit të mostrave në laboratorët e mikrobiologjisë, në disa raste janë izoluar baktere që tregojnë për ambiente të kontaminuara të punës në hapësirat ku përgatitet ushqimi, në mjetet e punës apo te personeli. Në pjesën dërrmuese të lokaleve afariste, stafi i punës në këto lokale nuk mban higjienë personale”, thuhet në një njoftim për media të AVUK-ut.
Inspektorët gjetën edhe raste kur personeli nuk është i kontrolluar në bacilbartje të rregullt gjashtëmujore, si dhe pajisja me libreza sanitare ishte me afat të skaduar.
Madje, aq e rënduar ishte gjendja në disa prej lokaleve, saqë AVUK-u inicioi edhe procedurë gjyqësore për disa prej tyre.
“Në rastet kur kemi konstatuar për gjendje të papranueshme në ambientet e punës, e që seriozisht kanë rrezikuar shëndetin e konsumatorëve, kemi iniciuar procedura gjyqësore për kundërvajtje ndaj subjekteve të caktuara”, thuhet në njoftim. Bëhet fjalë për së paku 10 raste të tilla.
Përveç higjienës, konsumatorët në Kosovë janë të rrezikuar seriozisht edhe nga produktet me cilësi të dyshimtë dhe afat të skaduar. Për gjashtë muaj, produkte si këto, Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës asgjësoi nga tregu 400 mijë kilogramë produkte në tërë Kosovën.
Zyrtari për informim në AVUK, Lamir Thaçi thotë se këto shifra vijnë edhe si pasojë e kohës se nxehtë, kur produktet kërkojnë edhe një tretman të veçantë. Mirëpo, sipas tij, ka raste kur i kanë tërhequr produktet krejt nga tregu.
“Çdo produkt që zihet me afat të skaduar, apo cilësi të dyshimtë, asgjësohet për të pamundësuar që ato me shku deri të konsumatorët”, thotë Thaçi.
Megjithatë, Reshat Ajvazaj, ekspert në lëmin e ushqimit, nuk përjashton mundësinë që produkte si këto të shkojnë deri të konsumatorët. Ai thotë se duhet të kihet kujdes sidomos te prodhimet e qumështit dhe ato të freskëta.
“Nuk i shoh si shumë shqetësuese këto shifra. Ma shqetësuese do të ishte nëse produkte të tilla konsumohen nga konsumatorët”, ka thënë Ajvazaj.
Drejtuesi i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, përshëndet rastet e zbuluara nga inspektorati, por thotë se këto shifra tregojnë edhe për mundësinë që shumë produkte të tilla, kanë shkuar të konsumatorët pa u vërejtur nga Inspektorati.
Sipas tij, kontrolli nuk është i mjaftueshëm, sepse mekanizmave të kontrollit u mungon përkrahja apo motivimi kadrovik, teknik dhe financiar.
“Çdo ministri e ka një mekanizëm të vetin dhe ajo natyrisht se duhet të sigurojë kontroll të fortë, laborator dhe njerëz të aftësuar. Qeveria dhe ministritë janë të obliguara me ligj që konsumatorin ta edukojnë dhe ta informojnë”, shtoi ai.
Ndërkaq, zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit thonë se agjencia ka rritur frekuencën e inspektimeve sidomos tani në kohën me temperatura të larta, për t’i ikur çfarëdo infektimi apo helmimi të mundshëm të qytetarëve me produkte ushqimore. Një gjë tjetër është se shumica e rasteve me ushqime të dyshimta janë raportuar nga vetë bizneset.
Për zyrtarët e AVUK-ut kjo tregon se është rritur vetëdijesimi i tregtarëve, por edhe i prodhuesve vendorë në rëndësinë që kanë produktet ushqimore në shëndetin e konsumatorëve.(express)