Mjegullimi i sistemit të vlerave në Kosovë dhe zgjedhjet e ardhshme
Nga Bekim Thaqi – A na janë mjegulluar vlerat dhe a ka një sistem matës të tyre tek ne apo jo? Përgjigja është sa e vështirë, aq edhe delikate. Kohë me herët si vlerë është konsideruar të qenit i arsimuar dhe njeri familjar , i ndershëm, të mbash premtimet e dhëna(të mos gënjesh), të jesh stabil dhe të mos jesh i lëkundshëm në atë që flet dhe punon.
Kjo është konsideruar si vlerë njerëzore, dhe gjithashtu si vlerë shoqërore. Sot kemi një lëkundje të madhe dhe rënie të vlerave pasi shumica nga ato që dikur konsideroheshin si bazë e një shoqërie stabile tashme ose janë shkelur si parime ose janë të përgjysmuara në stilin “vakti e han kashtën”.
Sot gënjehet dhe premtohet me të madhe, duke e ditur thellë në vete edhe ai që e flet atë, por në një mase bukur të madhe edhe ai që e dëgjon e parandien se ajo që flitet është gënjeshtër. Duhet ta kuptojmë atë që gënjen pasi ai ka nevojë ta plasojë atë gënjeshtër diku. Mirëpo assesi nuk mund ta kuptojmë atë që e pranon gënjeshtrën dhe në fund i nënshtrohet atij/asaj që e ka thënë atë.
Vendi ynë ka nevoje për njerëz stabil, të qëndrueshëm dhe të palëkundshëm në parime. Njerëz që ia duan të mirën vendit, dhe dëshirojnë që proceset në të cilat është Kosova të shkojnë përpara, sepse duket se pa to nuk do të ketë stabilitet dhe qëndrueshmëri ekonomiko politike. Nuk na nevojiten njerëz frikacakë që nuk i shkojnë në fund parimeve të tyre. Ne si qytetare të këtij vendi duhet të bëjmë secili për vete një sistem vlerash dhe në bazë të tij të vendosim se kujt do ia japim votën.
Mos të vendosim në baza te interesit ditor, por në baza të interesave nacionale qofshin ato vjetore, katërvjeçare e edhe më shumë. Partitë janë për të na përfaqësuar, e ne jemi sovrani d.m.th jemi ata që ia japim votën asaj apo atij që mendojmë se na përfaqëson me mirë dhe që në sistemin tonë të vlerave, megjithëse të mjegulluara ka një vlerësim sadopak të mirë.
Tekefundit ne nuk duhet ti gjykojmë partitë në “ato” dhe “këto” sepse edhe ato edhe kandidatet e tyre kanë dalë nga kjo shoqëri me vlera të mjegulluara. Secila parti është e jona dhe janë njerëzit tanë që po kandidojnë, vetëm bazohu në sistemin e vlerave, dhe nuk do gabosh. Të sigurohemi se këdo që e zgjedhim do të jetë me vlera dhe do na përfaqësojë drejtë./rajonipress/


