Mjegull mbi Fondin

Qeveria premton funksionalizimin e Fondit për Garanci Kreditore. Ende nuk dihet mënyra sesi do të përdoret ai
Anëtari i kryesisë së Aleancës Kosovare të Biznesit, Bashkim Osmani, e vlerëson projektin në fjalë, por thotë se ende është e paqartë mënyra e realizimit të tij
Fondi Kreditor i Kosovës pritet që të funksionalizohet në pjesën e parë të këtij viti, kurse opozita dhe ekspertët dyshojnë në premtimet e pushtetarëve.
Sipas Qeverisë, ky Fond është paralajmëruar se do t’u ofrojë bizneseve fillestare qasje në financa, kredi më të lira për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe korporatat që synojnë t’i zgjerojnë bizneset e tyre.
Veç saj, sqarohet se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të jetë një institucion i pavarur, autonom, i cili do të funksionojë në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të adresojë problemet kryesore të bizneseve, një prej të cilave është qasja në financa. Fondi, i cili ka rreth 18 milionë euro, llogaritet që në gjashtë vjetët e parë të rrisë mundësinë për kredi të reja në rreth 360 milionë euro, me të cilat mund të krijohen deri në 20 mijë vende të reja pune./kosova sot/