RCCOLA

Mizafere Ismajli e braktis AKR, kalon në LDK

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Këshilltarja e Aleancës Kosova e Re në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Mizafere Ismajli, ka kaluar në Grupin e këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këtë vendim ajo e ka marrë për shkak të pakënaqësive dhe tretmanin jo të mirë në partinë e saj, ndërsa është shprehur se këtë vendim e mori duke u bazuar në vlerat dhe vizionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të bazuar në filozofinë e presidentit Ibrahim Rugova.

”Kam vendosur të largohem nga Aleanca Kosova e Re, pasi aty nuk kam pasur asnjëherë tretman të duhur dhe jam tërësisht e pakënaqur me zhvillimet në këtë parti. Ndërsa, i bashkohem një partie, të cilën e themeloi Presidenti Ibrahim Rugova, me të cilën krenohen të gjithë shqiptarët. I bashkohem poashtu vizionit të kryetarit Lutfi Haziri, i cili, dëshmoi se punon dhe vepron për të mirën e qytetarëve”, ka thënë me këtë rast zonja Mizafere Ismajli.

Fundamenti

Mirëseardhje zonjës Ismajli në Lidhjen Demokratike të Kosovës i kanë dëshiruar Avdyl Aliu – shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvend, Valentina Bunjaku Rexhepi – kryesuese e Kuvendit të Komunës dhe Saranda Bllaca – zëdhënëse.

”Ne edhe njëherë si LDK dëshmojmë se po rritemi, prandaj rritjen e LDK-së nuk ka kush që e ndalë edhe në nivel nacional”, ka thënë me këtë rast zëdhënësja e LDK-së, Saranda Bllaca.

”Në emër të LDK-së dhe në emër të GK të LDK-së në veçanti, i uroj mirëseardhje në LDK zonjës Mizafere Ismajli. Me aderimin e saj në LDK, zonja e nderuar do ta pasuroj në aspekt pozitiv edhe më tutje koloritin e përbërjes së LDK-së në Kuvend dhe në përgjithësi edhe LDK-në në Gjilan. E çmojmë punën e saj të deritashme në AKR, njihet si punëtore e madhe në përgjithësi e në veçanti dallohet me punën që e ka bërë në kuadër të Grupit Joformal të Grave në avancimin e barazisë gjinore. Ne si LDK mund t’i garantojmë zonjës kushte të mira të punës dhe fushëveprim të mjaftueshëm, besojmë se zonja do të gjendet mirë, do të akomodohet mirë në LDK dhe kështu do të vazhdoj me dhënie të kontributit”, është shprehur shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvend, Avdyl Aiu./rajonipress/