Mitroviq bëhet kokëfortë, por i bënë bashkë të gjitha grupet shqiptare
Gjilan – Kuvendi Komunal me shumicë votash e ka përjashtuar sërish nga seanca Serxhan Mitroviqin me arsyetimin se po e prishë rendin dhe qetësinë. Mitroviq nuk u deklarua se përfaqëson vetëm komunitetin serb në Gjilan, derisa Valentina Bunjaku dhe shefat e grupeve thanë se Mitroviq nuk mund të luaj rol të dyfishtë dhe të paraqitet demagog. Mitroviq duhet të sjellë me shkrim njoftimin se nuk përfaqëson strukturat paralele serbe që vijnë nga Beogradi ishte kushti Valentina Bunjakut drejtuar Mitroviqit.
Sërish kanë vazhduar polemikat rreth prezencës së Serxhan Mitroviqit i cili ishte dalur publikisht se është zgjedhur kryetar komune nga strukturat paralele të Beogradit.
Ky fakt ka nervozuar sërish kryesuesen e Kuvendit dhe shefat e grupeve të cilët i dhanë një goditje Mitroviqit duke e larguar sërish nga salla.
Serxhan Mitroviq duke marrë fjalën tha se unë e përfaqësojë vetëm komunitetin serb, por nuk mohoj ekzistimin e strukturave paralele. “Seancën tjetër mund të vishë pasiqë ta sjellësh me shkrim” ishte ndërhyrja e Valentina Bunjakut.
Mitroviq ju drejtua Bunjakut:”Mos i tejkaloni kompetencat e juaja, ju po shkelni procedurat e Kuvendit sepse kështu ka vlerësuar MAPL. Përmes meje duhet të përfaqësohet komuniteti serb” tha Mitroviq..
Valentina Bunjaku Rexhepi sërish këmbënguli se derisa nuk e sjellni vendimin e ri që nuk jeni pjesë e strukturave paralele nuk mund të merrni pjesë në seancë. “Ky është kushti kryesor që ju duhet ta respektoni dhe nuk mund të jeni pjesë e seancës”.
Serxhan Mitroviq tha se ju mund të merrni çfarëdo vendimi dhe si i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. “Çdo vendim pa prezencën time është i pavlefshëm” tha Mitroviq.
Sahit Abazi shef i grupit të PDK-së tha se procedurat i ka shkelur vet Serxhan Mitroviq sepse ka lejuar të jetë pjesë e strukturave paralele në Beograd. “Serxhani po përjashtohet nga seancat sepse strukturat paralele i bëjnë dëm vet serbëve të Gjilanit” tha Abazi.
Selami Xhemajli nga AAK-ja tha se Mitroviq nuk i njeh institucionet e Kosovës sepse është zgjedhur kryetar i strukturave paralele të Serbisë. “Ky po tallet me ne dhe ne nuk do ta lejojmë këtë. I njëjti Serxhan pretendon të mbajë dy funksione, gjë që është e pamundur” tha Xhemajli.
Nevzad Isufi nga VV tha se Mitroviq po na provokon me sjelljet e tija. “Mitroviq është zgjedhur për të përfaqësuar komunitetin serb në Gjilan e jo strukturat paralele serbe. Arsyetime demagogjike janë këto që po thotë Mitroviq” tha Isufi.
Avdyl Aliu nga LDK-ja tha se po humbim kohë të panevojshme rreth Mitroviqit. ”Serxhani po luan rol të dyfishtë dhe po paraqitet si fantazmë këtu. Të procedojmë tutje e mos të humbim kohë” tha Aliu.
Kuvendi Komunal me shumicë votash ka vendosur që ta largoj nga salla sërish Serxhan Mitroviq./rajonipress/


