Mitrovicë, të mbijetuarit përkujtojnë tmerrin e 13 marsit të vitit 1999

Kanë kaluar 14 vjet nga tragjedia e rëndë që kishte ndodhur më 13 mars të vitit 1999 në qytetin e Mitrovicës. Atë ditë, forcat serbe patën hedhur një granatë në tregun e gjelbër që ishte i mbushur përplot me njerëz, ndërsa në vend patën gjetur vdekjen gjashtë qytetarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra, pleq e të rinj, dhe ishin plagosur rëndë 128 të tjerë.
Shumë prej të plagosurve kanë mbetur invalidë të përjetshëm, ndërkohë që një numër i konsideruar i tyre mbajnë proteza në gjymtyrë, raporton “KosovaPress”.
Megjithëse kanë kaluar 14 vjet, Lavdim Asllani, e ka të freskët ngjarjen e tmerrshme që kishte parë dhe përjetuar atë ditë. Ai ka lënduar rëndë boshtin kurrizor, dhe thotë se i kujtohen pamjet e tmerrshme të njerëzve të gjymtuar, atyre që ishin plagosur rëndë e që thërrisnin për ndihmë dhe atyre që kishin mbetur të vdekur në vend.
Sipas tij, 10 ditët e kaluara në spitalin e Prishtinës, si dhe 21 ditë tjera në spitalin e Mitrovicës, kanë qenë po ashtu të tmerrshme për të.
“Kemi qenë 6 veta në dhomë, kur më datën 5 prill kanë hyrë 4 paramilitarë, të cilët kanë filluar të na rrahin e të na therrin me thika, ndërkaq mua më kanë therë në shpinë. Më vonë kur kanë hyrë milicija serbe në prezencën e mjekëve Jankoviq dhe Peqanac, e kanë marrë Shefki Grabanicën nga dhoma, për të cilin më vonë kam kuptuar se është masakruar”, ka thënë për Kososvapress Asllani.
Ai shtoi se më 9 prill, me një autoambulancë e kanë sjellë nga spitali atë bashkë me disa shokë të tjerë, ashtu të pakuruar, duke i lënë në qendër të Mitrovicës në rrugë, përkatësisht tek ‘Teferiqi’. Asllani tha se pastaj është marrë nga ushtarët e UÇK-së dhe është dërguar në fshatin Vërnicë, ku është trajtuar nga doktor Bajram Rexhepi.
Edhe Sabedin Uka, i cili e ka të amputuar këmbën e majtë dhe ka qëndruar në spitalin e Prishtinës për më shumë se një muaj, ka rrëfyer për keqtrajtimet që i janë bërë nga njerëzit e UDB-së, por edhe nga personeli mjekësor gjatë kohës sa ka qëndruar në spital.
“ Për çdo ditë jam marrë në pyetje e maltretuar nga njerëzit e UDB-së, të cilët kërkonin nga unë informata për UÇK-në, ndërsa personeli mjekësor njëjtë na kanë keqtrajtuar, duke mos na dhënë injeksione kur kishim dhimbje, duke mos na i pastruar plagët etj”, kujtonte Uka.
Ai ka përmendur në mënyrë të veçantë ortopedin Bashqareviq dhe teknikun me emrin Zoran.
“Ishte kohë lufte ajo, por nuk kishim zgjidhje tjetër përveç të punonim diçka për të mbajtur familjet tona. Unë isha duke shitur pemë e perime dhe meqë ishte e shtunë dhe ditë pazari, tregu ishte përplot njerëz. Për një çast, rreth orës 14:20, një granatë e shkrepur nga një bazë e forcave serbe ka rënë në mes të tregut, duke shkaktuar një tmerr të vërtetë”, ka thënë Azem Beqiri.
Atij i kujtohet se pas shpërthimit, ka vërejtur dorën e djathtë si gati të këputur nga plaga që kishte marrë. Poashtu ishte plagosur në këmbë dhe në gjoks, por nuk e kishte humbur vetëdijen.
“Më kujtohen ato pamje trishtuese dhe njerëzit e gjymtuar. Unë jam nisur menjëherë për në shtëpinë e shëndetit dhe rrugës me dhëmbë e kam shqyer këmishën dhe e kam lidhur dorën për të ndalur gjakderdhjen”.
Ai rrëfen se pasi i është dhënë ndihma e parë në shtëpinë e shëndetit në Mitrovicë, ka rënë në komë dhe të nesërmen kur është ngritur ka kuptuar se gjendet në spitalin e Prishtinës. Aty kishte qëndruar katër javë, tri prej të cilave në ditët kur NATO-ja kishte filluar bombardimet.
Pastaj thotë se nëna e tij kishte shkuar nga Mitrovica në ato ditë lufte dhe ia kishte dalë ta kthente në shtëpi, ku pas disa ditësh forcat serbe kishin përndjekur banorët shqiptarë nga qyteti.
“Pasi jam kthyer në Mitrovicë, një herë ma ka pastruar plagën dr. Bajram Rexhepi, ndërsa pas katër ditësh kemi arritur në Shqipëri ku e kam trajtuar plagën prapë”, tha Beqiri. /Telegrafi/