Mite që na ngulfatin

Nga Imer Mushkolaj – Patriotizëm është të provosh të thyesh mite si ai për luftën e shenjtë të UÇK’së dhe njerëzit e saj, e jo të bësh gjëra të liga në emër të luftës dhe vlerave të saj. Mitet që na kanë ngulfatur vite me radhë duhet të marrin fund dhe secili duhet paguar për të zezat e veta.
Të flasësh për uzurpime pronash e meritash në një skeç humoristik nuk është asgjë e re. E re nuk është as të flasësh për uzurpime në emër të UÇK’së dhe nga njerëz të UÇK’së. Secili nga ne, në mënyrën e vet, këtë temë e ka diskutuar tash e sa vjet pas përfundimit të luftës. Secili nga ne ka qenë dëshmitar se si njerëz të luftës, ose të tjerë në emër të luftës, kanë uzurpuar prona, kanë përfituar sa kanë mundur pa frikën se mund të ndëshkohen nga kush.
Të tillët, menjëherë pas përfundimit të luftës, nëpërmjet propagandës nga më të ulëtat dhe më të egrat provuan që luftën e UÇK’së ta shpallin të shenjtë, qe veten ta shpallin të paprekshëm. Provuan të krijojnë përshtypjen se, kushdo që merr guximin t’i kritikojë ata dhe veprimet e tyre gjatë dhe pas luftës, bënte sakrilegj.
E lufta nuk ishte e shenjtë, ishte si të gjitha të tjerat – luftë për çlirim. As ata nuk ishin të shenjtë. Ishin njerëz që kishin marrë armët në duar për të luftuar. Por, pas luftës, në vend që t’i shquajë lavdia e të qenit luftëtarë të lirisë, ata u zhytën në veprime të ulëta, pa zgjedhur rrugë e mjete për të mbërritur qëllimet.
Vetëm një grup i vogël gazetarësh dhe personash tjerë publikë denjoi që herë pas here t’ua sjellë ndërmend marritë që i kishin bërë e po i bënin. Sepse, po të flisje hapur për ta dhe bëmat e tyre, menjëherë të vendosnin në shtyllën e turpit dhe të etiketonin me lloj-lloj emrash, madje edhe tradhtar. Kështu, vite me ardhë miti për luftën e shenjtë i mbajti peng qytetarët, të cilët nuk po kuptonin se si njerëz që në një kohë të vështirë kishin rrokur armët për ta çlirua vendin, tash ishin kthyer në uzurpatorë, vrasës e hajna ordinerë. Të tillë u paraqitën edhe në në skeçin humoristik të Stupcave, emetimi i të cilit shkaktoi një valë të madhe reagimesh.
Në fakt, Stupcat nuk është se për herë të parë u morën me të tilla tema që kanë të bëjnë me luftën dhe pasluftën. Ata në vazhdimësi janë përpjekur që, në mënyrën e tyre, shpesh brutale, nëpërmjet humorit, ironisë e satirës të vënë në shënjestër profiterë të luftës e matrapazë të paqes. Por, kësaj here reagimet ishin më të shumta për shkak të kontekstit kohor në të cilën skeçi u publikua – para funksionalizimit të Gjykatës Speciale dhe në kohën kur njerëzit më nuk frikësohen të flasin hapur për gjithë çfarë ka ndodhur në luftë. Në kohën kur njerëzit nuk frikësohen se mund të marrin plumb në ballë nga ndonjë komandant a njerëz të tij, nuk frikësohen se do të linçohen po që se do të shohin pak përtej “luftës së shenjtë” – nuk frikësohen që të rrëzojnë mite të rrejshme e të dëmshme.
Ajo çfarë Stupcat përcollën te publiku nuk ishte as denigrim, as fyerje e luftës së UÇK’së. As e krejt UÇK’së, siç po provohet të shitet. Ishte veç kallëzim me gisht i atyre individëve që e përdhosën lavdinë e kësaj lufte me veprime kriminale. Ishte një kontribut në thyerjen e një miti që na ka ngulfatur vite me radhë.
* * *
Në të njëjtën kohë kur një skeç humoristik zgjoi reagime, por edhe ndërgjegjen e fjetur qytetare, një formë tjetër artistike trazoi të tjerë shpirtra. Disa grafite në të cilat shfaqej presidentja Atifete Jahjaga u paraqitën në Prishtinë dhe kaq mjaftoi që ky akt të dënohej nga shoqata grash e institucione shtetërore. Gjithçka shkoi aq larg, sa që u tha se në këtë mënyrë ishte fyer edhe vetë institucioni i presidentit të vendit.
Në fakt, autorët anonimë të grafiteve nuk kishin bërë asgjë më shumë se ç’bëjnë të tjerë gjithandej botës, teksa nëpërmjet kësaj mënyre të shprehjes arstitike japin mesazhe të forta politike, e që në shenjestër shpesh kanë politikanë.
Në vende me demokraci të zhvilluar të tilla grafite madje konsiderohen vlerë, por jo edhe në Kosovë, ku ende ekzistojnë mite të rrejshme se figura të rëndësishme politike e shtetërore nuk bën të paraqiten në mënyrë të pahijshme, qoftë edhe në një grafit. Madje, dikush nis edhe betejë të humbur qysh në fillim për fshirjen e grafiteve, një gjetje aspak kreative.
Më e mira e gjithë këtij muhabeti është se vetë presidentja Jahjaga nuk reagoi fare. Mbase e ka kuptuar se të qenit figurë publike bart me vete edhe portretizime jo fort të hijshme, por të pranueshme brenda një shoqërie që pretendon të arrijë një nivel emancipimi sa të kuptojë se liria e shprehjes është vlerë e pacenueshme.
* * *
Në mos asgjë tjetër, Stupcave dhe autorëve anonimë të grafiteve për presidenten duhet njohur kontributin në thyerjen e miteve të rrejshme. Të tilla intervenime artistike janë të shëndetshme dhe ndihmojnë në kultivimin e debatit në një shoqëri si kjo e jona, e cila me shumë lehtësi përbin gënjeshtra e mashtrime, me shumë lehtësi pranon mite të paqena e heronj fals.
Patriotizëm është të provosh të thyesh mite si ai për luftën e shenjtë të UÇK’së dhe njerëzit e saj, e jo të bësh gjëra të liga në emër të luftës dhe vlerave të saj. Mitet që na kanë ngulfatur vite me radhë duhet të marrin fund dhe secili duhet paguar për të zezat e veta.