Fundamenti

Mishmashi i politikës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Milaim Shefkiu – Një ditë, një i moshuar, autodidakt, më pyeti se çka është mishmashi? Kishte dëgjuar këtë fjalë në lajme dhe ishte bërë kureshtar se mos kjo fjalë nënkupton ndonjë koalicion apo diçka të tillë për dalje nga kriza.

E kur i thashë se mishmashi është një rrëmujë e madhe ku s’merret vesh i pari më të dytin, e ku qeni t’zotin s’e di, e pashë që njeriu u zhgënjye. Ai kishte menduar se “mishmash” është ndonjë copë kulaçi a copë mishi, ku të gjithë ngopen e kriza tejkalohet. Prandaj pas 6 muajve krize parlamentare dhe 5 muajve me qeveri në detyrë, Kosova nga ajo storja e suksesit, është kthyer në një temë zhgënjimi për të gjithë, edhe miqtë ndërkombëtarë që kanë investuar që Kosova të bëhet shtet, por edhe popullin që ka flijuar për t’u pavarësuar.

Që nga zgjedhjet e 8 qershorit kemi të njëjtën situatë politike me të njëjtët aktorë, me të njëjtat qëndrime. Sikurse ajo kaseta e prishur që e përsërit të njëjtin refren, edhe këtu për një gjysmë viti kemi të njëjtën deklaratë: “Bllok, Koalicion, Shumicë parlamentare, Gjykatë Kushtetuese, Thirrje për seancë…”, që krejt bashkë, përfshirë edhe presidenten Atifete Jahjaga, e bëjnë “mishmashin e atij plakut”.

Mirëpo, krahasuar me muajin qershor apo atë korrik, situata tashmë ka ndryshuar dukshëm për të keq, sepse disa zyrtarë nuk i kanë marrë pagat për muajin e kaluar. Kjo nënkupton se shteti po shkon drejt kolapsit, për fajin e disa politikanëve subjektivë që gjithë luftën po e zhvillojnë për bajraktarizëm. Nëse në fillim është parë se ka diçka humane në këtë “betejë” politike, tash pas lojës së “masketballit” u shpërfaq subjektivizmi i këtij lidershipi, i cili po e mban për dizgjinë të ardhmen e këtij shteti.

Ka kaluar gjysma e nëntorit, ndërsa përveç që nuk janë miratuar 70 për qind e ligjeve të planifikuara, ka mbetur peng edhe Projektligji për Buxhetin…

Hidromorava

Sado që në Ministrinë e Financave thonë se nuk ka krizë deri në pranverë, disa sinjale tregojnë se ditët e këqija po vijnë. P.sh. stafi konsullor i Kosovës në disa shtete, ka tre muaj që nuk ka marrë paga, ndërsa sipas burimeve zyrtare, ambasadorët dhe konsujt, kanë marrë vërejtje zyrtare që nuk kanë paguar qiranë për shfrytëzimin e objekteve. Ky është “Hermesi” që tregon se imazhi politik i Kosovës te ndërkombëtarët ka rënë për tokë. Po them politik, sepse janë disa sportistë me sukseset e tyre individuale, po mundohen të na zbardhin këtë fytyrë të skuqur prej turpi.

Duke pasur parasysh se dhjetë ditët e fundit të dhjetorit janë festa, kanë mbetur vetëm edhe pesë javë të këtij viti, për formimin e institucioneve të reja. Kohën e mbetur, liderët e partive politike (Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Fatmir Limaj), duhet ta shfrytëzojnë për tejkalimin e këtij mishmashi. Fundi i fundit, qytetarëve pak “u han” se kush bëhet kryeministër, sepse edhe ashtu, u bë Hashimi, Ramushi apo Isa, “s’u hyn kurrgjë, as në xhep as në gji”, prandaj kërkojnë zgjidhje më të shpejtë.

Ia vlen të kthehemi vetëm 15 vjet në kohë, për t’i kujtuar 2100 dëshmorët e rënë për liri, asnjëri nga të cilët nuk dha jetën që dikush të bëhet kryeministër më vonë. Prandaj, në këtë situatë kur secili e demaskoi veten, ndërhyja e ndërkombëtarëve konsiderohet e domosdoshme, madje e patjetërsueshme. Madje, pavarësisht deklarimeve kundërthënëse, ndërhyrjet nuk e cenonin fare demokracinë, sepse edhe ashtu si shtet në formim e sipër, kemi mungesë demokracie.

Ajo që duhet të bëjnë vendet e QUINT-it, të ndikojnë që seanca inauguruese të thirret brenda kësaj jave, në mënyrë që PDK-ja ta propozojë kandidatin për kryeparlamentar, Blloku i plasaritur ta votojë dhe t’i çelet “kapixhiku” formimit të Qeverisë. Ndryshe, çdo humbje e kohës, është sikur ai kunji në rërë, “sa më shumë që e lëviz ai më thellë ngulitet”.