Mirlind Daku, mes më të paguarve në Rusi – vetëm dy futbollistë marrin më shumë

Mirlind Daku pritet të bëhet një nga futbollistët më të paguar në Ligën Premier Ruse (RPL), pas marrëveshjes së re të arritur me klubin Rubin Kazan.
Kontrata e re do të jetë e vlefshme deri në vitin 2029 dhe përfshin një pagë vjetore prej 2.5 milionë eurosh neto, pa përfshirë bonuset, një rritje e ndjeshme nga 700 mijë eurot që ai merrte më parë.
Me këtë marrëveshje, Daku pozicionohet menjëherë pas dy lojtarëve më të paguar aktualisht në kampionatin rus: Jhon Cordoba i Krasnodarit (4 milionë euro) dhe Wilmar Barrios i Zenitit (5 milionë euro).
Krahasimi tregon se Daku tashmë është në elitën financiare të ligës, duke reflektuar edhe rolin e tij si lider dhe golashënues kryesor i Rubinit me 25 gola dhe 12 asistime në dy sezonet e fundit.
Për dallim nga Daku, që zgjodhi të mbetet te Rubin, Cordoba dhe Barrios luajnë për skuadra që çdo vit luftojnë për titullin.
Megjithatë, Rubin po ndërton projektin rreth Dakut, duke e vendosur atë në qendër të skuadrës për sezonet e ardhshme dhe duke shtuar klauzolë largimi vetëm për klubet jashtë RPL-së.
Pavarësisht kësaj page të lartë, ekspertët e futbollit rus vlerësojnë se Daku e meriton investimin. Ai shihet si një sulmues i kompletuar dhe vendimtar për ambiciet e Rubinit në sezonin e ardhshëm.
Ish-trajneri i kombëtares ruse, Boris Ignatyev, pastaj Valeri Nepomnyashchiy, ish-trajner i Kamerunit dhe Tom Tomsk dhe Rinat Bilyaletdinov, ish-trajner i Rubinit, të gjithë e pranuan se paga e Mirlnd Dakut është e duhura, duke e vlerësuar lartë sulmuesin shqiptar. /Telegrafi/