Mirënjohjet dhe përvjetorët
Nga Shefik Shkodra – Mirënjohja institucionale për punëtorin është një sadisfaksion, kur kihet parasysh një jetë e njeriut në angazhim të përditshëm të një profesioni. Kjo shihet nga përditshmëria, kur personi nuk kursen kohë sa duhet për rrethin familjar, e madje edhe për fëmijët e vet legjitim. Do të thotë, përkushtimi është më i madh për vendin e punës.
Konkretisht, mësimdhënësi për fëmijët e të tjerëve është më shumë i preokupuar se sa për ata të vetët. Kjo tregon angazhimin në punë, jo veç me rol obligues e detyrues (me pagë), por edhe me sinqeritet te pjesa më e madhe e njerëzve. Është krenari kur del gjeneratë përtëritëse, e re në mbajtjen dhe mirëmbajtjen e jetës shoqërore. Sa herë brenda intervalit kohor të arsimtarit deri në pension ripërtërihen gjeneratat. I ndien vetë me lehtësi të madhe, kur ata tashmë janë të angazhuar në profesione të ndryshme në jetën shoqërore praktike të vendit. E përtërijnë sistemin e të gjitha degëve ekonomike, juridike, shëndetësore, arsimore, kulturore e madje edhe politike e udhëheqëse shtetërore. Aq sa kanë marrë nga arsimtari dhe edukatori i tyre, aq edhe mund ta zgjerojnë diapazonin e tyre, kuptohet, gjithnjë duke pas parasysh që, të mësuarit vijon në jetë pa ndërprerë…
Ka disa prej zejeve që njerëzit i kanë përvetësuar në mënyrë autodidakte. Megjithatë, shihet se, të shumtën e profesioneve rrjedhin nga arsimimi dhe edukimi i organizuar e i programuar në institucionet përkatëse.
Vlerësimi dhe organizimi për mirënjohje dhe shpërblime
Shpeshherë engjëlli iu jep mirënjohje e i shpërblen demonët. Por, edhe djalli, ndodh, për djallëzi t’u jep shpërblime e mirënjohje engjëjve. Edhe respektin e kujtimin për të rënët e këtij vendi gjatë luftës, nuk e bën dikush me të përjetuar e ndjeshmëri, por më tepër për përfitim nga rasti.
Mirënjohjet, çmimet, medaljet, etj. nga juritë e ndryshme, shpeshherë na dalin jo të qëlluara, ashtu si e mendojmë realisht. Më shumë politike, për përvetësimin e personit, që të luaj vallen për melodinë e subjektit, apo të institucioneve në pushtet. Për dëgjueshmëri. E madje, mirënjohjet jepen edhe me lidhje simpatie, familjarizimi, por jo edhe sipas vlerës së punës.
Nuk duhet të befasohemi, nëse ndonjë shpërblim, çmim apo mirënjohje nuk shkon aty ku duhet. Ka raste, kur edhe çmimi botëror, NOBELI, nuk jepet aty e atje ku duhet. Bie fjala, i jepet personit çmimi për paqe, derisa lufta veç është duke u zhvilluar. I jepet një femre që ka rezistuar në vendet aziatike për të drejtat e njeriut, për të drejtat e gruas, sepse është me rëndësi politike, që të përvetësohet ajo anë e asaj shoqërie për rezistencë. Nuk i jepet çmimi i NOBEL për letërsi shqiptarit, i cili është më i mirë dhe i plotëson kriteret. Sigurisht për shkaqe politike, i jepet krejt dikujt tjetër. etj.
Gjithashtu, vlerësimet për mirënjohje, shpërblime në punë te ne, gjithashtu janë nganjëherë subjektive, për të mos thënë edhe denigruese. Këto vlerësime, më mirë të thuash, emërime, kryhen shpejt e pa ndonjë vlerësim adekuat. Dhe, kështu e humbin rëndësinë që do të duhej ta kishin.
Dita e Mësuesit – 7 Marsi
Kemi pas rastin t’i përcjellim përvjetorët e dëshmorëve, manifestimet për Ditën e gruas, manifestimet e ndarjes së shpërblimeve, përkatësisht mirënjohjeve, sidomos për mësimdhënësit, qoftë për punëtorin më të mirë gjatë vitit, gjatë karrierës, përcjelljes në pension, etj. dhe , vërtet gjatë muajit mars ka mjaft të tilla organizime. Por, këto organizime nuk duhet të bëhen ad hoc, as improvizime. Ndryshe, do të dilnim gjithherë me gabime.
Jeta dhe vepra e një arsimtari (mësimdhënësi) e edukatori të brezave te ne, na duket diçka si lojë. Dhe, në Kosovë ka qenë një rrugë e arsimtarit, gati përherë si lojë e rrezikshme nëpër kohë. Duke pas parasysh se shqiptarët e Kosovës nuk kanë pas të drejtë shkollimi në gjuhë amtare deri pas LDB, atëherë mund të thuhet lirisht se, jemi shumë të vonë. Madje, të vonë, jo veç me fqinjët, por edhe me sivëllezërit në Shqipëri. Dhe, me të drejtë duhet ta pranojmë se, ende nuk është krijuar një traditë dhe origjinalitet sa i përket manifestimit të përvjetorëve dhe promovimit të vlerave të punës, për këndo e për cilindo të këtij profesioni.
Para më tepër se 126 vjetëve fiksohet si ditë e parë e shkollës shqipe në Korçë. Historia e arsimit shqip është e njohur mirëfilli për të gjithë qytetarët e madje edhe për politikanët e Kosovës dhe pjesëve të tjera me shqiptarë. Sot të gjithë u duartrokasin mësimdhënësve dhe edukatorëve. Të gjithë flasin fjalë të ëmbla për ta.. Të gjithë i lavdërojnë arsimtarët me fjalët: “…se e meritojnë një jetë më të dinjitetshme. Se ata janë që e mbajtën gjallë një periudhë kohore me mësim pagë e pa pagë, ishin shtylla kryesore e e vetme për pavarësinë e Kosovës,” etj. Po në këtë skamje të këtij vendi, kur e mendon se çfarë ‘përrallash’ dëgjohen gjysmë të vërteta, po dhe të vërteta…Afera të shumta ekonomike, politike e kriminaliteti, nuk ka mundësi njeriu t’i mendoj e shënoj për këtë decenie të gjitha llojet. Krejt këto të kryera prej njerëzve tanë. Ajo që është shqetësuese për këtë rast, nuk ka një racionalizim të pasurisë nacionale dhe të pasurisë publike. Kur ia shtojmë edhe mungesën e prodhimtarisë në vend me shpenzimet e mëdha, atëherë është e ditur se, këtu jetojnë rahat një pakicë, të tjerët janë asgjë…
Edhe rasti i mësimdhënësit shqiptarë është qesharak këtu te na. Punon mbi katërdhjetë vite në kushte të jashtëzakonshme, dhe kur i vjen koha të dalë në pension, i thuhet “ec se po ta japim një mirënjohje!” Është zhgënjyese. Çka ka në atë mirënjohje? Kush e ka verifikuar atë punë të atij punëtori? Mirënjohja bëhet me kompetencë prej njerëzve që i marrin vesh dhe dinë t’i masin mirë punët e një arsimtari për vitet e tij në veprim. Dhe atë me të gjitha aktivitetet e tij. Kësaj mirënjohje i bashkëngjitet edhe një shumë e mjeteve financiare e ndonjë dhuratë që do të mbahet kujtim sipas vlerës së saj. Këto nuk mund të bëhen pa një vendosmëri nga institucionet përkatëse, pa mjete të dedikuara. Sepse, përgjigjja më e lehtë për sa kohë ka kaluar, me gjithë fjalët e mëdha për arsimin, është: ‘s’ka mjete, çka me ba…?’ Po, mirë, pse ka mjete për gjëra luksoze të institucioneve? Pse ka paga e mëditje shumë të mira për zyrtarë të institucioneve, bile shuma shumë të mëdha.. Një deputet i Kuvendit të Kosovës, thuhet se, merr të ardhura vjetore rreth 25000 euro. Një mësimdhënës i jonë merr të ardhura vjetore rreth 4400 euro. Muaji për deputetin është rreth 2000 euro, për arsimtarin as 400 euro.
Një aktivizim dhe investim më ndryshe nga shoqëria e gjerë, do të krijoheshin kushte më të favorshme për arsimtarin te ne, e këtë kujdes duhet pasur kudo tjetër ndër shqiptarë. Meqenëse arsimi është njëra prej degëve në shoqëri, e cila nuk guxon të shteret dhe të ndërpritet për asnjë moment, sepse mund të krahasohet si një arterie gjaku e organizmit, atëherë do të duhej që organizimet e manifestimeve për të, të trajtoheshin më shumë kujdes e me një mënyrë shumë më autoritare e më kredibile.. p. sh., më parë, ekipi është i përzgjedhur ,që do të bëj vlerësimin e duhur të punës së mësimdhënëse në përpikëri e në çdo pikëpamje. Ekipi duhet të jetë prej njerëzve pa anime të ndryshme e të pa ndikuar nga të tjerët. Shpërndarja e mirënjohjeve dhe çmimeve tjera do të duhej të jetë me kohë të veçantë, pa fjalime të mëdha, shkurt biografia e kandidatit/tëve.


