UBT

Miratohet raporti i punës së Drejtorisë së Shëndetësisë

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) ka miratuar Raportin e punës të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për periudhën janar-qershor 2012, të cilin e ka prezantuar dr Xhemajl Salihu.

DSHMS ka vazhduar me përkujdesje për nevojat lokale në kujdesin parësor shëndetësor. Kështu, Zyra për shërbime Shëndetësore, në këtë periudhë ka shqyrtuar 196 kërkesa për barna dhe për trajtim shëndetësor, prej të cilave janë aprovuar 114 raste, që arrijnë vlerën financiare prej 6570 euro.

Zyra për Ujë ka marrë për hulumtim dhe analiza mbi 40 mostra të ujit në 22 vendbanime rurale dhe ka dhënë rekomandimet e duhura në lidhje me gjendjen e përgjithshme të furnizimit me ujë në kushtet sezonale. Hulumtime të ujit janë bërë edhe te objektet shkollore dhe industriale, ka thënë Salihu.

Zyra për Mirëqenie Sociale ka përgatitur planin për ndihmë emergjente, me ç`rast me pako ushqimore janë ndihmuar 200 familje, ndërsa 135 të tjera, me dru për ngrohje. Për familjet skamnore janë shpërndarë gjithsej 2.300 kilogramë miell. Janë kryer pagesat për familjet e dëshmorëve, në vlerë 2600 euro si dhe për familjet e shërbyesve civilë, në shumë prej 1000 euro.

Në kuadër të aktiviteteve të përditshme për ofrimin e kujdesit mjekësor, në QKMF dhe 25 Qendra të Mjekësisë Familjare, ose ambulanca të rregullta e mobile në qytet dhe fshatra të komunës së Gjilanit, janë realizuar rreth 130 mijë vizita, numër ky që është më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. E rëndësishme është që ankesa nga qytetarët nuk ka pasur, ka thënë Salihu.

Ndërkaq, ai u shpreh i pakënaqur sa i përket furnizimit me barna esenciale, për çka është dashur të intervenojë me mjete nga buxheti i saj Drejtoria për Shëndetësi, ndonëse kjo nuk është përgjegjësi e jona, ka thënë Salihu, duke nënvizuar se aktualisht ka mungesë të shiringave.

Ndërkaq, Qendra për Punë Sociale ka vazhduar me realizimin e programit të asistencës sociale, ku janë të përfshirë mbi 1.150 familje, të cilat marrin nga 65 euro në muaj mesatarisht. Në emër të këtyre përfituesve, për periudhën 6-mujore të këtij viti janë paguar gjithsej 464.785 euro, ka thënë drejtori komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Xhemajl Salihu.

Mobi Casa

Sipas tij, ligji i ri i skemës sociale, që tashmë është miratuar, pritet të shkurtojë numrin e përfituesve, pasi që kriteret për t`u përfshirë në skemën e asistencës sociale janë ashpërsuar.

Raporti u votua nga të gjithë grupimet politike, ndonëse opozita bëri disa vërejtje. Jashar Jashari (LDK) tha se raportit i mungojnë të dhënat për të metat në shëndetësi, kurse Nexhat Halili (LDK) tha se në raport mungon një analizë e cilësisë së punës në shëndetësi. Ata bënë vërejtje edhe sa i përket participimit, përdorimit të kartelave, stimulimit dhe të tjera.

Hajriz Ibrahimi (PDK) tha se raporti është gjithëpërfshirës dhe jep mundësi të mjaftueshme për të diskutuar dhe analizuar gjendjen në Mjekësinë Familjare, ndërkohë që propozoi formimin e një grupi pune për përcjelljen e gjendjes sa i përket participimit.

Drejtorisë së Shëndetësisë i ka shprehur përkrahje në punën e saj edhe kryesuesi i ri i KSHMS, dr Bajram Shaqiri, duke i vlerësuar të arsyeshme edhe sugjerimet e opozitës për kartelat, participimin dhe stimulimin, ndërkohë që i është rekomanduar Kuvendit Komunal të shikojë mundësitë për rritjen e numrit të inspektorëve sanitarë, meqenëse dy inspektorë janë të pamjaftueshëm për një qytet me rreth 100 mijë banorë.

Drejtori për Shëndetësi, dr .Xhemajl Salihu ka thënë se, në përgjithësi, gjendja në shëndetësi është avancuar. Te participimi ka përmirësime, por sipas tij, arkëtimi mund të rritet edhe për 20-30 për qind me një disiplinë më të madhe të punëtorëve shëndetësorë.

Në këtë mbledhje, KSHMS ka zgjedhur për kryesues të ri, dr Bajram Shaqirin (PDK), i cili e ka zëvendësuar në këtë trupë komunale dr. Abdylatif Latiti, që ka dhënë dorëheqje për shkak të angazhimit të tij në postin e drejtorit ekzekutiv të Spitalit Regjional të Gjilanit.

Shaqiri, duke u shprehur i kënaqur që zgjedhja e tij u përkrahë edhe nga opozita, tha se për shëndetësinë nuk duhet të ketë pozitë dhe opozitë. Ai premtoi bashkëpunim me të gjithë, ndërkohë që kërkoi edhe përkrahje prej të gjithë anëtarëve në KSHMS./rajonipress/