UBT

Miratohet raporti i plotësuar i drejtorisë së Urbanizmit

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit (KPUMM) e ka miratuar raportin e plotësuar të drejtorisë së linjës, për periudhën e kaluar një vjeçare, të cilin një javë më parë e kishte refuzuar, me arsyetim se ishte i mangët. Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm, ka thënë se kritikat i ka kuptuar si nxitje të debatit për punën e bërë nga kjo drejtori.

Duke i nënvizuar aktivitetet e zhvilluara gjatë vitit 2012, që kanë qenë të shumta, Mahmuti tha se puna më e madhe është bërë te planet rregulluese. Gjatë këtij viti janë miratuar në Kuvend Komunal planet rregulluese për katër zona, “Dheu i Bardhë 1”, “Dheu i Bardhë 2”, “Çezma e Petigocit” dhe “Gllama”, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 182 hektarësh.

Në proces parapërfundimtar janë edhe planet rregulluese për zonat “Livadhet e Arapit”, “Qarku 1”, “Qarku 2”, “Arbëria 1” dhe “Monthith”, në sipërfaqe prej 480 hektarësh. Presim që edhe këto pesë plane rregulluese t`i dërgojmë për miratim në Kuvend Komunal gjatë muajve mars-prill të këtij viti, ka thënë ajo.

Ndërkohë do të bëhet propozimi për qasje edhe në zonat e mbetura pa plane rregulluese, ose atje ku duhet të bëhet revidimi i planeve të vjetar urbane, ka thënë Mahmuti. Ajo u shpreh e kënaqur me procesin e planifikimit, duke theksuar se në këtë drejtim qëndrojmë më mirë se shumë komuna tjera.
Ndryshe, ajo ka thënë se DUMM ka kryer edhe 776 shërbime tjera, që prej lejeve urbanistike, lejeve të ndërtimit e deri te pëlqimet urbanistike, duke ofruar edhe shifra e fakte për të gjitha aktivitetet vjetore.

Raporti i plotësuar përmban edhe aktivitetin e sektorit të Mjedisit, i cili posedon edhe strategjinë për zhvillim të mjedisit dhe ka bërë punë të shumta në fushëveprimtarinë e vet, tha Mahmuti.

Rexhep Kadriu (AAK), njëri nga anëtarët më kritik të punës së drejtorisë së Urbanizimit, i cili herën e kaluar dorëzoi edhe një kërkesë prej 12 pikash, tha se raporti ka përsëri mangësi dhe veçmas insistoi të marrë përgjigje sa i përket respektimit të afateve ligjore në rastet kur qytetarët bëjnë kërkesa për leje ndërtimore. Sipas tij, ka persona që kanë bërë kërkesë në vitin 2011 dhe nuk kanë marrë ende përgjigje.

Kadriu e ngriti edhe problemin e pranimit teknik të objekteve të banimit kolektiv, që nuk po bëhet si dhe mospajisjen me leje ndërtimore te objekteve që investohen nga qeveria ose donatorët.

Ramiz Ramadani (LDK) kërkoi sqarime për pesë ekstrakte të lëshuara për ndryshimin e destinimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore, duke thënë se Drejtoria e Bujqësisë nuk ka të dhëna për këtë.

Uji Dea

Drejtoresha Bahrije Mahmuti tha se lista e ofruar për anëtarët e Komitetit i përmban të dhënat e mjaftueshme sa u përket kërkesave të qytetarëve për leje ndërtimore, sepse aty është e shënuar data e protokollimit si dhe ajo e daljes së lëndës.

Secila kërkesë që është bërë në DUMM e ka marrë një përgjigje, ka thënë Mahmuti, derisa nënvizoi se mbi 100 kërkesa kanë marrë pëlqime urbanistike, ndërsa parashtruesit e tyre nuk e kanë vazhduar më tutje procedurën për pajisje me leje ndërtimore.

DUMM i ka lëshuar deri tani 4 ekstrakte për ndërrimin e destinimit të tokës dhe dy prej tyre janë pëlqime, ndërsa dy të tjera, kanë qenë refuzime. I takon Drejtorisë së Bujqësisë që ta administrojë më tutje procesin e shndërrimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore, ka thënë ajo.

Sa i përket pranimit teknik të objekteve, Mahmuti tha se deri tani vetëm investitori “Agrohermes” ka bërë kërkesë për pranim teknik dhe askush tjetër. Ne jemi të përgatitur profesionalisht që t`u përgjigjemi kërkesave të tilla, por varet prej investitorit nëse bën kërkesë të tillë, ose jo, ka thënë Mahmuti.

Ajo tha se pret që kërkesë të tilla të bëjnë investitorët e objekteve që po ndërtohen në partneritet publiko-privat, posa të përfundojnë në tërësi punimet. Përndryshe, nënvizoi se këto objekte janë pajisur me leje ndërtimore.

Florina Zymberi, kryesuese e KPUMM, tha se drejtoria prezantoi një raport të kompletuar, ku janë përfshirë edhe të dhënat që u kërkuan në takimin e kaluar dhe u ka bërë thirrje anëtarëve të kësaj trupe profesionale të vendimmarrjes komunale që ta miratojnë atë, gjë që edhe ndodhi, përfshirë edhe opozitën.

Zymberi e përgëzoi drejtorinë për punën që ka bërë gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që tha se 2013-ta do të jetë vit i sukseseve edhe më të mëdha.
KPUMM miratoi edhe planin e punës të kësaj drejtorie për vitin 2013, ku Mahmuti i theksoi prioritetet më të rëndësishme. /rajonipress/