Fundamenti

Miratohet pa zhurmë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin e vitit 2013, që planifikohet të jetë 1 miliard e 586 milionë euro. Prej tyre 621 milionë euro për investime kapitale, ku gati gjysmën do t’i gëlltisë autostrada Morinë-Merdar. Ndërkaq, nuk është miratuar amendamenti që ka të bëjë me kompensimin material për ish të burgosurit politikë.

Me 64 vota për, 26 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë, Ligjin për buxhetin e vitit 2013. Arka e shtetit për këtë vit planifikohet të jetë 1 miliard e 586 milionë euro.

Prej tyre, 621 milionë euro do të shkojnë vetëm për investime kapitale, ku gati gjysmën do t’i gëlltisë autostrada Morinë-Merdar.

Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, ka thënë se komisioni ka bërë përpjekje që të përmirësohet buxheti dhe të ketë një shpërndarje më të mirë tek të gjithë agjencitë.

Megjithatë, disa nga amendamentet që janë propozuar nga ana e deputetëve nuk kanë arritur që të kalojnë, pasi janë votuar kundër nga shumica e deputetëve. Saktësisht amendamentin që ka të bëjë me fillimin e kompensimit material të ish të burgosurve të Kosovës nga ana e Serbisë. Ky amendament u propozua nga deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni.

Pas një debati për këtë amendament, fjalën e ka marrë edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili ka thënë kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt, por në gjashtëmujorin e vitit 2013.

“Ne kemi diskutuar me Shoqatën e të Burgosurve Politikë dhe ka qenë prioritet që të zgjidhim çështjen e të burgosurve politikë. Por definitivisht duhet të qartësohet numri dhe kategorizimi i të burgosurve, prej cilës periudhë deri në cilën periudhë, sepse tek e fundit edhe ai që ka qëndruar vetëm një moment ka qenë i burgosur nga Serbia dhe meriton trajtim institucional. Kurse, në anën tjetër, ne jemi zotuar dhe punuar që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt, ka qenë iniciativë jonë do ta realizojmë, por në gjashtë mujorin e ardhshëm dhe kjo është edhe marrëveshje më FMN-në ”, ka thënë ai.

UBT

Sa u përket veteranëve të UÇK-së, Thaçi ka thënë se aplikimi ka filluar dhe ky proces po vazhdon, duke shtuar se shteti i Kosovës do t’i kryejë të gjitha zotimet me përgjegjësi.

Pas deklarimit të kryeministrit është hedhur në votim ligji në tërësi, ku me 64 vota për, 26 kundër dhe 1 abstenim është miratuar Ligji për buxhetin 2013.

Sipas këtij buxheti, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar prej 1 miliard e 423 milionë euro, me një rritje prej 3 për qind krahasuar me këtë vit, kurse shpenzimet prej 1 miliard e 586 milionë eurosh, me një rritje prej 4 për qind.

Vetëm investime kapitale parashihen në vlerë 621 milionë euro, 40 për qind e të cilave do të dedikohen për projektin e autostradës Morinë-Merdar, kurse 30 milionë për fillimin e autostradës së re në drejtim të Hanit të Elezit. Të hyrat doganore parashihet të jenë 915 milionë euro, kurse ato vendore 301 milionë euro.

Ndërkaq deficiti primar është parashikuar të mbulohet nga bartjet e këtij viti.

Sipas projektbuxhetit, në të gjitha agjencitë buxhetore janë rritur edhe shpenzimet për mallra dhe shërbime nga 30 milionë euro në 42 milionë euro apo 11 milionë euro më shumë. Buxheti për paga dhe mëditje pritet të ketë një rritje prej rreth 6 për qind, ai për mallra dhe shërbim 10 për qind; dhe subvencionet e transferet mbi 7 për qind.

Rritje do të ketë edhe buxheti për shpenzime kapitale, por jo edhe në masë të madhe. Nga 614 milionë euro sa ishin sivjet, vetëm 7 milionë euro të reja do të jenë më shumë për investime në mot.(express)