RCCOLA

Miratohen propozimet për lagjet “Qarku” e “Arbëria”

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit ka miratuar tri propozim-vendime që kanë të bëjnë me Zgjidhjen Urbanistike .

Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit ka miratuar tri propozim-vendime që kanë të bëjnë me Zgjidhjen Urbanistike te shkolla e re në lagjen “Qarku”, për Kompensimin e pronës përmes koeficientit të ndërtimit si dhe atë për Planin investiv për infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimit dhe të gjitha këto i ka rekomanduar për procedurë të mëtutjeshme, deri në miratim në Kuvend Komunal.

Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm, duke e arsyetuar propozimin e parë, ka thënë se për nevoja të arsimit, është paraqitur nevoja e riorganizimit të hapësirës brenda Planit Detal Urbanistik në lagjen “Qarku”, ku është ndërtuar shkolla e re.

Sipas saj, ndërhyrja në planin ekzistues është pasojë e formës së ngastrës kadastrale, e cila është shpronësuar nga Komuna për nevojat e ndërtimit të shkollës si dhe për shkak të gjendjes reale në terren.

Opozita, Rexhep Kadriu (AAK) dhe Ramiz Ramadani (LDK) kanë shfaqur dilema nëse kjo ndërhyje është e bazuar në ligj, kurse drejtoresha Bahrije Mahmuti ka premtuar se propozimi do të harmonizohet patjetër me ligjin. Florina Zymberi, kryesuese e Komitetit, ka thënë se ligji nuk mund të bie ndesh me interesat publike.

UBT

Sa i përket propozim-vendimit për mënyrën e kompensimit të pronës përmes koeficientit të ndërtimit, Zymberi ka thënë se nevojat për shpronësime janë të mëdha, ndërsa Komuna nuk ka mjete që t`i kompensojë të gjitha hapësirat që nevojiten për interesa publike, prandaj është propozuar që kompensimi të bëhet në këtë mënyrë.

Bahrije Mahmuti ka sqaruar se bëhet fjalë kryesisht për ndërtimet e banimit kolektiv, por me kusht që maksimumi i rritjes së koeficientit të jetë 20 për qind. Zbatimi i kësaj forme të kompensimit do të ketë efekte pozitive në zbatimin racional të planeve të miratuara, ka thënë ajo, duke nënvizuar se Komuna do të bëhet pronare e tokave, pa pasur nevojë të ndajë mjete financiare për to.

Edhe te ky propozim, opozita ka ngritur dilema. Rexhep Kadriu ka thënë se është kundër këtij propozimi, për shkak se, sipas tij, është bërë praktikë ndërhyja në planet rregulluese.
Komiteti e ka përkrahur në mënyrë unanime propozim-vendimin për planin e investimeve në infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimit, që e ka paraqitur Fehmi Agushi, zyrtar për Mbrojtje të Mjedisit, i cili ka thënë se në këta sektorë parashihen investime deri në 100 milionë euro, gjatë disa viteve të ardhshme.

Komiteti shqyrtoi edhe propozim-vendimin për zgjidhjen urbanistike të një hapësire publike në lagjen “Arbëria”, në sipërfaqe prej 25.249 m/2, të njohur si “Parku”, të cilin e arsyetoi drejtoresha Bahrije Mahmuti, duke thënë se janë harmonizuar zhvillimet e periudhës paraprake si dhe nevojat dhe mundësitë reale për të krijuar kushte optimale të zhvillimit në këtë pjesë. /rajonipress/