UBT

Ministria e Shëndetësisë i ndërpretë marrëdhënien e punës Xhavit Hajdarit

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Ministria e Shëndetësisë pas kërkesës që ka bërë Xhavit Hajdari për kthim në vendin e punës, i ka kthyer një vendim ku e njofton menaxhmentin e spitalit se Xhavit Hajdarit i ndërpritet marrëdhënia e punës si drejtor ekzekutiv dhe i shqiptohet masa e ndalimit të ushtrimit të detyrave menaxhuese ose të detyrave që janë të lidhura me sistemimin, menaxhimin dhe shfrytëzimin e pasurisë.

Ministria e Shëndetësisë , por edhe menaxhmenti i spitalit rajonal të Gjilanit janë “befasuar” kur ish drejtori i spitalit Xhavit Hajdari ka kërkuar të kthehet në vendin e tij të punës, edhe pse ka një dënim me burgim efektiv prej një viti.

Ministria e Shëndetësisë në vendimin e saj të datës 30 janar 2013 të nënshkruar nga komisioni disiplinor Hajzer Dobra, kryesues dhe Nazmije Kajtazi e Curr Gjocaj anëtar , pasi kanë shqyrtuar kërkesën e Spitalit të Gjilanit dhe pasi janë njoftuar nga Xhavit Hajdari se heq dorë nga drejtori i spitalit të Gjilanit , e kanë njoftuar menaxhmentin e spitalit të Gjilanit se Xhavit Hajdarit i ndërpritet marrëdhënia e punës si drejtor ekzekutiv dhe i shqiptohet masa e ndalimit të ushtrimit të detyrave menaxhuese ose të detyrave që janë të lidhura me sistemimin, menaxhimin dhe shfrytëzimin e pasurisë.

Vendimi i Komisionit disiplinor ka edhe një arsyetim shtesë i cili edhe ka krijuar konfuzitet tek menaxhmenti i spitalit. Në arsyetimin e Komisionit disiplinor thuhet se deri në plotfuqishmërinë e vendimeve të organeve kompetente gjyqësore, i propozohet këshillit drejtues të spitalit të Gjilanit që në përputhje me planin kadrovik dhe mundësitë buxhetore të sistemoj ish shërbyesin civil në pozitën e mjekut specialist internist me pamundësi të ushtrimit të këtij pozicioni në çfarëdo lloj posti menaxheria apo administrim me pasurit e institucionit, kjo e mbështetur edhe nga vendimi i Gjykatës Komunale të Gjilanit.

Ndërkaq Abdylatif Latifi drejtor në spitalin e Gjilanit tha për rajonipress se ky vendim i MSH është tejet konfuz dhe me paqartësi të shumta. “Unë do të kërkojë shpjegim shtesë nga drejtoria për personel pranë MSH dhe nëse vendimi qartësohet dhe nuk bie ndesh me ligjet në fuqi ne do të respektojmë çdo vendim të organeve ministrore tha Latifi.

Ndryshe Gjykata Komunale në Gjilan e kishte dënuar dhe shpallur fajtor ish drejtorin e spitalit të Gjilanit Xhavit Hajdarin me një vit burg efektiv dhe dy vite mos ushtrim të pozitës së menaxherit.

Mobi Casa

Gjykata Komunale në Gjilan e kishte shpallu fajtor Xhavit Hajdarin për veprën penale “ryshfeti”.

Gjykatësi Sahit Borovci duke e shpallur aktgjykimin pati thënë se Hajdari është gjetur fajtor se më 19 korrik 2012 në restorant “Bujana”, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv ka kërkuar përfitim material për vete, respektivisht nga e dëmtuara Sevdije Demolli, pronare e kompanisë “Toni” ka kërkuar shumën prej 2000 eurove në mënyrë që mos t`ia ndërpresë të dëmtuarës kontratën e themeluar për pastrimin e objekteve në spitalin e Gjilanit.

Fillimisht i pandehuri në mënyrë të kundërligjshme e me qëllim përfitimi të dobisë pasurore kërkon nga e dëmtuara shumën prej 500 eurove në muaj në mënyrë që kompania e të dëmtuarës të mund të vazhdonte ofrimin e shërbimeve për spitalin e Gjilanit, në të cilën kërkesë e dëmtuara nuk pranon nën pretekstin se është e papërballueshme për të dhe më pas i pandehuri zbret shumën e kërkuar në vlerë të 200 eurove në muaj.

Pasi merren vesh i pandehuri dhe e dëmtuara me vajzën e saj takohen tek restoranti “Bujana” ku e dëmtuara nxjerrë shumën prej 2000 eurove, dhe ia dorëzon në dorë të pandehurit i cili i merr paratë dhe i fut në xhepin e majtë të këmishës dhe arrestohet nga policia në flagrancë.

Ndërkaq avokati mbrojtës Kadri Syla tha për rajonipress se kanë bërë ankesë në shkallën e dytë, por ende skanë marrë përgjigje zyrtare. Ndryshe e dëmtuara Sevdije Demolli në fjalën përfundimtare ka specifikuar se Xhavit Hajdari i ka kërkuar para për tenderin e fituar në vitin 2011 dhe atë 1000 euro dhe 1000 euro tjera për tenderin e fituar në vitin 2012.

Pas shpalljes së aktgjykimit Demolli është shprehur shumë e pakënaqur me këtë vendim.”Unë do të ankohem edhe në EULEX dhe nëse është nevoja edhe në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Kushtetuese. U kam thënë publikisht sot trupit gjykues se nëse ju nuk e qoni drejtësinë në vend , atëherë unë edhe pse jam grua do t`i ndjek të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për të kërkuar dënimin e merituar për këtë rast “tha Demolli./rajonipress/