Mobi Casa

Ministria e Drejtësisë po e amniston krimin

/ 5 minuta lexim

Jo vetëm shoqëria civile ka dhënë vërejtje për Projektligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurive të Fituara me Anë të Veprave Penale. Vërejtje ka dhënë edhe Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media, e cila e ka vlerësuar një projektligj me përmbajtje të pakuptimtë dhe i cili “po e plak” krimin dhe korrupsionin në vend.

Madje, ata vlerësojnë se Ministria e Drejtësisë jo rastësisht e ka bërë këtë projektligj të tillë, në mënyrë që të kritikohet nga shoqëria civile dhe të debatohet për të në mënyrë që mos të hyjë në fuqi.

Deputetja në Kuvendin të Kosovës nga radhët e kësaj lëvizje Alma Lama ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje konsideron se krimi dhe keqpërdorimet nuk plaken kurrë dhe kushdo që ka zhvatur ka keqpërdorur pasurinë publike ose është pjesë e krimit të organizuar duhet të përgjigjet përpara sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm krimineli duhet të ndëshkohet, por edhe pasuritë të fituara në mënyrë të paligjshme duhet të konfiskohen.

Për më tepër, ajo ka shtuar se një ligj i cili konfiskon pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme është shumë i arsyeshëm për të vënë drejtësinë shoqërore në Kosovë, duke pasur parasysh edhe atë çfarë ka ndodhur viteve të fundit.

Lëvizja Vetëvendosje e ka pritur me interes shumë të veçantë hartimin e këtij projektligji i cili tashmë është në Kuvendin e Kosovës, duke e vlerësuar se është tepër i rëndësishëm për të luftuar korrupsionin që është përhapur në shkallë të lartë, sidomos në institucione, por edhe krimin e organizuar ku shpesh Kosova është në fokusin edhe të mediave ndërkombëtare.

Lama ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka hartuar një ligj të tillë, mirëpo përmbajtja e këtij ligji më shumë sesa e lufton krimin dhe korrupsionin, në fakt e amniston atë.

“Të flasim për përmbajtjen e ligjit të thuhet se përmbajtja e tij është e pakuptimtë në aspektin gjuhësor është pak, në fakt ky është një projektligj i padeshifruar. Këtë mund të shihni vetë dhe merreni me mend kur një prokuror apo gjykatës duhet të mbështetet në ligj për të hetuar ose dënuar dikë kur përmbajtja është e padeshifruar. Kjo është bërë krejt në mënyrë të qëllimshme që të pamundësoj dënimin e krimit”, ka theksuar Lama.

Madje, ajo ka thënë se skandali më i madh i këtij ligji është përcaktimi i afatit kohor, domethënë të gjithë ata që kanë uzurpuar kanë keqpërdorur pronën e të tjerëve nga 1999 e deri sot, ky ligj i amniston.

Deputetja ka thënë se me këtë projektligj Ministria e Drejtësisë dëshiron që të amnistoj të gjithë ata që nga paslufta e këndej të shpëtojnë dhe nesër të bëhen njerëz të ligjshëm.

Eco Higjiena

“Është një shprehje që thuhet që krimi nuk plaket kurrë, por me këtë që ka bërë Ministria e Drejtësisë jo vetëm që kërkon të plak krimin që ka ndodhur në Kosovë në përvetësimin e pasurisë por edhe të varros njëherë e mirë. Këta profiter që fillojnë nga paralufta e tutje duan të shpëtojnë pa iu hyrë asgjë në këmbë dhe nesër ata të bëhen njerëz të ligjshëm”, ka deklaruar ajo.

Nga ana tjetër, deputetja Albulena Haxhiu ka theksuar se projektligji që është sjell nga Ministria e Drejtësisë është shumë i mangët për të përmirësuar funksionuar sistemin më të mirë të drejtësisë dhe konfiskimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas saj projektligji i cili në brendinë e tij i ka 15 nene është duplifikimi i Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, ndërsa nenet e të tjera janë tejet teknike që shumë lehtë mund të inkorporoheshin në Kodin Penal ose Kodin e Procedurës Penale.

Haxhiu ka thënë se ky ligj nuk i ndjek zyrtarët që kanë përfituar pasuri të madhe.

“Ne mendojmë që ligji do duhet të synoj të ndjek të gjithë personat dhe pasuritë marramendëse të gjithë zyrtarëve të lartë pasuritë të cilëve nuk kanë mbulesë dhe i kanë nga të ardhurat e tyre të ligjshme dhe të taksuara”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se në programin politik të Lëvizjes Vetëvendosje në pikën 67 është thënë që krimet dhe keqpërdorimet nuk vjetrohen kurrë dhe të gjithë ata që kanë keqpërdorur dhe kanë uzurpuar pronën publike një ditë do të përgjigjen para drejtësisë.

Për më tepër, ajo ka shtuar se gjatë procesit të hartimit të këtij projektligji nuk janë marrë parasysh kërkesat e shoqërisë civile, ndërkohë puna krejt ka filluar mbrapsht, me krijimin e Agjencionit për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme.

Sipas saj, ky agjencion deri më tash ka konfiskuar disa dhi, dele e lopë, por nuk ka pasur konfiskim të pasurisë e cila buron nga krimi.