Ministria e Arsimit – mësimdhënësëve: Kthehuni nesër në punë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përmes një komunikatë të dielën i ka ftuar mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë të arsimit që nga e hëna t’i kthehen punës në shkolla.

“Duke e marrë me seriozitet obligimin tonë për realizimin e plotë të së drejtës për arsim, por edhe përmirësimin e kushteve dhe kompensimin e mësimdhënësve, kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira, që të rishikojnë dhe balancojnë interesat dhe t’i kthehen që nesër procesit mësimor”, thuhet në komunikatë.

Ministria që drejtohet nga Arbëria Nagavci, po ashtu thotë se në kushte të tilla, pezullimi i mëtutjeshëm i procesit mësimor paraqet shqetësim serioz dhe veprim me pasoja afatgjate për nxënësit e të gjitha grupmoshave.

“Humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MAShTI-n dhe për gjithë shoqërinë”.

Uji Dea

“Qeveria e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për inflacionin e lartë të shkaktuar nga faktorë që janë jashtë ndikimit tonë, tashmë ka ndarë një shtesë prej 50 eurosh në muaj për të gjithë zyrtarët publikë dhe besojmë se kjo është në kufijtë e mundësive aktuale në republikën tonë”.

“Kërkojmë nga të gjithë që të mos ndërhyjnë në vendimin e mësuesve. E drejta për të qenë në grevë, ose për të punuar, duhet t’i garantohet secilit. Për më shumë, ky presion është edhe i dënueshëm sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje në njoftimin e MAShTI-t.

Kjo ministri po ashtu ka thënë se do të vlerësonin lart në këtë moment përfshirjen e mekanizmave kompetentë, autoriteteve publike, gjyqësore, Avokatit të Popullit, OShC-ve, që në kuadër të përgjegjësive dhe kompetencave të veta të dalin me qendrime të qarta, propozime dhe rekomandime për balancimin e drejtë në mes të drejtave të palëve të përfshira në çështje, gjithnjë duke marrë parasysh rëndësinë e së drejtës në arsim që përfshinë rreth 320 mijë nxënës.