Ministri i dështimeve

Qysh kur MASHT ka lidh marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Danimarkës për programin “DANIDA”, i cili kishte për qëllim punësimin e të rinjve pasi të përfundojnë shkollimin profesional, asnjë nxënësi nuk i është siguruar puna. Sipas një raporti të ZAP, kjo ka ndodhur për shkak të papërgjegjësisë së Ministrisë që udhëhiqet nga Ramë Buja.
Parregullsitë dhe mangësitë e shumta që kanë shoqëruar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) gjatë implementimit të një marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Danimarkës, rreth një programi për punësimin e të rinjve përmes biznesit dhe shkathtësive zhvillimore prej vitit 2009 e deri vitin e kaluar, kanë detyruar Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të ndërmarrë një veprim jo fort të lehtë.
ZAP vendosi që ta auditojë në hollësi programin “DANIDA”, marrëveshja për të cilin u lidh mes MASHT’it dhe MPJ të Danimarkës qysh nga viti 2007. Panë që programi nuk po shkon edhe aq mirë, prandaj vendosën që të analizojnë se çka nuk është në rregull.
Danimarka i ka siguruar ndihmesë substanciale Kosovës që nga viti 1999, fillimisht duke mbështetur përpjekjet për rindërtim dhe më vonë duke ofruar mbështetje për zhvillim afatgjatë. Mbështetja është ofruar përmes DANIDA-s, si pjesë e Programit Danez të Fqinjësisë.
Si pjesë e kësaj mbështetje, MPJ e Danimarkës kishte vendosur të hyjë në programin e asistencës “Nxitja e Punësimit përmes Zhvillimit të Biznesit dhe Shkathtësive 2008-2012” e cila do të zbatohej në përputhje me Strategjinë dhe Planin Zhvillimor të Kosovës, që bënte thirrje për përmirësimin e punësimit dhe menaxhimin e tregut të punës si dhe për përmirësimin e sistemit arsimor. Qëllimi i këtij programi ishte adresimi i një nga çështjeve më urgjente në Kosovë, atë të nivelit të lartë të papunësisë.
Por jo gjithçka ka shkuar siç pritej. Gjatë auditimit të kësaj marrëveshje, ZAP ka vërejtur se ndër shumë mangësitë që janë vërejtur në mbështetjen e marrë nga donatorët ishte se projektet shpesh janë realizuar jashtë kontrollit të MASHT-it.
Sipas ZAP kjo ministri në njëfarë mënyre ka neglizhuar detyrat e saj, duke krijuar hapësirë që shkollat profesionale të mos adresojnë kurrë nevojat e tregut të punës për nxënësit që janë aftësuar aty.
“Njëra ndër objektivat e programit ishte rritja e normës së punësimit të të rinjve që kanë mbaruar arsimin e mesëm të lartë dhe kanë mbetur të papunë si dhe për të zvogëluar numrin e braktisjeve, sidomos nga minoritetet etnike dhe vajza ve”, thuhet në raportin e ZAP’it.
Për shkak të kësaj mungese të udhëzimit dhe ndarjes së informacionit mes palëve, ZAP sqaron se Njësia Menaxhuese që ishte formuar nga MASHT për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e këtij programi, është ballafaquar vazhdimisht me vështirësi në zbatimin me kohë të programit.
“Në vitin 2011 janë ndërmarrë masa me qëllim të zgjidhjes së këtyre sfidave Por për shkak të mungesës së informacionit dhe përfshirjes nga homologët vendorë, ata janë përballur me mangësi të cilat kanë rezultuar me vonesa në implementim, të cilat kanë rrezikuar përfundimin e programit”, ka vlerësuar ZAP.
Dhe kjo sipas raportit, ka bërë që prezenca e paqartësive në lidhje me detyrat dhe obligimet e ndërsjella të palëve, në këtë rast MASHT’it dhe zyrtarëve danezes, ka zbehur në vazhdimësi efikasitetin në menaxhimin e Programit i cili deri më tash nuk ka marrë përsipër të punësoj asnjë nxënës i cili ka përfunduar shkollimin e tij profesional.
“Mungesa e zotimit për të zotëruar programin dhe integruar atë në agjendën e zhvillimit afatgjatë ka shkaktuar shumë probleme për palët”.
Kjo sipas ZAP ka ndodhur pasi Sekretarët e përhershëm të programit që ishin më herët kurrë nuk kanë pranuar rolin që u ishte dhënë nga MASHT dhe MPJ e Danimarkës, por ua kanë lënë në duar niveleve më të ulëta të cilat nuk kishin autoritet duke mos mundur kështu kurrë të sigurojnë mbështetje institucionale.
“Kur ka nis implementimi i programit, Sekretari i Përgjithshëm është ndërruar tri herë. Edhe pse nuk ka pasur pengesa nga ana e tyre, këto ndryshime ndikuan në nivelin dhe cilësinë e informacionit, prandaj edhe programi për punësim ka ngecur”, thuhet në raportin e ZAP, i cili ka kërkuar nga MASHT që të ndërmarrë masa për zgjidhjen e problemeve që po shkaktojnë mosfunksionim të programit për punësimin e të rinjve, sa më shpejtë të jetë e mundur.(express)