Fundamenti

“Mini-Shengeni” përplas Edi Ramën me Kosovën

/ 13 minuta lexim
Uji Dea

Samiti i djeshëm, i mbajtur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është bërë cak i kritikave nga liderët kosovarë, të cilët refuzuan të marrin pjesë në të, ku u diskutua rreth Mini-Shengenit Ballkanik. Derisa ky projekt nga pala kosovare u cilësua si hap drejt një Jugosllavie të re, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kritikoi Kosovën për vetëpërjashtim nga kjo nismë, shkruan sot gazeta Zëri.

Liderët e Ballkanit Perëndimor u takuan dje në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me ç’rast diskutuan rreth nismës për një bashkëpunim më intensiv ekonomik, duke mundësuar heqjen e të gjitha pengesave për lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, të shërbimeve dhe të kapitalit. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama miratuan një deklaratë të përbashkët përmes së cilës, siç u tha më pas, synohet bashkëpunimi mes vendeve të rajonit. Gjatë një konference të mbajtur për medie pjesëmarrësit e takimit të Ohrit thanë se nisma e njohur si “Mini-Shengen” nuk është ide për krijimin e një Jugosllavie të re, por ide për krijimin e një Ballkani ndryshe nga ai që njihet sot. Sidoqoftë, askush nga Kosova nuk mori pjesë në këtë Samit. Kundërshtime rreth kësaj pati nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, si dhe nga liderë e zyrtarë të tjerë të partive politike. Gjatë reagimit të tij Thaçi tha se vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE, ndaj një gjë e tillë në asnjë rrethanë nuk duhet të zëvendësohet me nisma rajonale sikurse iniciativa për Mini-Shengenin. Pa u kundërpërgjigjur ndaj këtyre kritikave nuk e la as kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili i cilësoi të tepërta deklarimet kundër tij dhe kundër nismës në fjalë.

Zaev, Rama, Vuçiq: Mini-Shengeni faktorizon Ballkanin Perëndimor

Nikoqiri i Samitit të Ohrit, Zoran Zaev, tha se iniciativa për krijimin e Mini-Shengeni sjell të mira për tërë Ballkanin. “Unë me të vërtetë shpresoj që të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces do ta përqafojnë këtë plan veprimi dhe këtë nismë, sepse sjell të mira për mbarë Ballkanin, por edhe na faktorizon edhe më shumë para vendeve të Evropës Perëndimore, ku edhe duam të aderojmë”, ka deklaruar ai.

Kjo nismë, siç u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, paraqet vetëm vlera shtesë për nismat që institucionet evropiane i kanë ndërmarrë bashkë me vendet e Ballkanit për përmirësimin e jetës së kësaj pjese të Evropës.

Ndërkohë gjersa ka folur rreth kësaj, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se ideja e Mini-Shengenit nuk është ta ndajë Ballkanin, por t’i bashkojë të gjitha vendet. “Nuk është ideja ta ndajmë Ballkanin Perëndimor, por t’i përfshijmë të gjitha vendet në këtë nismë. E gjitha kjo gjë ka në thelb lëvizjen e lirë të vendeve në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.

Pas takimit të djeshëm në Ohër, Rama njoftoi se mbledhja e radhës do të mbahet në qytetin e Durrësit, më 21 dhjetor. Në atë takim Rama tha se do të mirëpritet edhe Kosova, edhe Bosnjë e Hercegovina. “Në Durrës mirëpresim edhe Malin e Zi, edhe Bosnjë e Hercegovinën, edhe Kosovën. Nuk ka arsye Kosova papritur të vetëpërjashtohet. Besoj se heqja e kufirit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është Mini-Shengeni. E konsideroj me rëndësi të veçantë këtë nismë mes vendeve”, nënvizoi Edi Rama.

Sikurse Zaevi e Rama, edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq konsideroi se liderët e Ballkanit bënë punë të madhe me konkretizimin e nismës për Mini-Shengenin. Kjo, siç u shpreh Vuçiq, edhe mund të dështojë, porse do të jetë ardhmëri për vendet e rajonit. “Ndoshta këtë dikush do të tentojë ta shkatërrojë, ndoshta do të dështojë kjo që po e bëjmë, por gjithsesi do të jetë ardhmëri. Nuk kemi të bëjmë këtu me Jugosllavi, kemi të bëjmë me jetë më të mirë për qytetarët”, deklaroi Vuçiqi.

Me një nismë të tillë, siç vazhdoi tutje shefi i qeverisë serbe, do të krijohet një ambient i normalitetit mes shteteve të Ballkanit. “Ambient normaliteti, jo ambient konfrontimi. Do të mundemi deri në fund të vitit të hyjmë në Shqipëri me letërnjoftime, gjithashtu edhe shqiptarët në Serbi”, shtoi Vuçiqi.

Në takimin e djeshëm morën pjesë edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiq dhe ministrja malazeze e Ekonomisë Dragica Sekuliq. Mirëpo përfaqësuesi i Bosnjë e Hercegovinës tha se shteti i tij ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse do t’i bashkohet ose jo iniciativës së Maqedonisë së Veriut, të Serbisë dhe të Shqipërisë rreth Mini-Shengenit.

Thaçi refuzon pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka refuzuar të marrë pjesë në Samitin e Ohrit, në të cilin u diskutua për Mini-Shengenin. Teksa e ka arsyetuar vendimin e tij për ta bojkotuar këtë Samit, Thaçi tha se synimi i vetëm i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. “Së pari, Kosova qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe në NATO. Prandaj ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale”, ka deklaruar Thaçi.

Përveç kësaj, kreu i shtetit të Kosovës tha se kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Përveç Thaçit, pjesë e takimit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë as kryeministri i Kosovës në largim Ramush Haradinaj. Ndonëse ai vetë nuk është deklaruar fare rreth kësaj, pa reaguar nuk kanë lënë zyrtarët e partisë së tij, AAK-së. “Shengeni Ballkanik është ide e kamotshme e Serbisë. Roli i Edi Ramës në këtë nismë është ofendimi i radhës që ai ia bën Kosovës”, ka deklaruar nënkryetari i AAK-së Muharrem Nitaj.

Mustafa: Nisma për Mini-Shengenin çon drejt një Jugosllavie të re

UBT

Për nisjen e projektit të Mini-Shengenit Ballkanit ka reaguar edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa. Projektet e tilla sipas tij në shikim të parë duken atraktive, por në esencë çojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë, pa Kroacinë dhe pa Slloveninë. Rrjedhimisht Mustafa ka deklaruar se LDK-ja nuk e mbështet në asnjë rrethanë një gjë të tillë. “Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar Qeverinë dhe nuk do t’i përkrahim si LDK as në pozitë dhe as në opozitë, ashtu siç nuk përkrahim ndryshimin e kufijve shtetërorë të Kosovës”, ka potencuar ai.

Kosova, siç kreu i LDK-së është shprehur, duhet të aspirojë tregun unik evropian dhe të bëhet pjesë e Marrëveshjes Shengen, ku bëjnë pjesë shtetet e Bashkimit Evropian, ndaj nga marrëveshjet sikur ajo për Mini-Shengenin përfiton Serbia dhe disa shtete të tjera të rajonit. “Marrëveshjet e tilla çojnë në një situatë kur tatimet në kufi, qoftë TVSH-në, tatimin doganor, akcizën do t’i mbledhë në pjesën më të madhe Serbia për Kosovën, e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, sepse kemi kufirin më të gjatë me të e në pjesët e tjera, Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi. Kosova nuk kufizohet tani për tani me asnjë nga vendet anëtare të BE-së”.

Ndaj me këtë marrëveshje sovraniteti i Kosovës sipas tij do t’u kalonte vendeve fqinje.

Tutje Mustafa ka thënë se politikat e Mini-Shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i çon në strofullin euroaziatike të dominuar nga Rusia.“Janë këto manovrime të Serbisë për t’i bishtëruar detyrimet ndaj Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën dhe për njohje të pavarësisë së Kosovës. Ndoshta kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë Veriore e kanë të qartë se ku janë interesat e vendeve të tyre, por Kosova assesi”, ka nënvizuar lideri i LDK-së.

Përplasja e Ramës me Thaçin e Mustafën

Deklaratës së Isa Mustafës i është kundërpërgjigjur menjëherë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili ka thënë se ndihet i befasuar nga reagimi i tij. “Kam respekt për Isa Mustafën. Kemi punuar bashkë. Ruaj kujtim të mirë me të dhe jam i befasuar nga deklarata e tij. Por siç ka ai opinionin e tij të ndryshëm nga unë, kam unë opinion të ndryshëm ndaj tij. Të më thuash mua (minijugosllav) që as kam punuar në administratën e Jugosllavisë dhe as kam lidhje me Jugosllavinë, veç kujtimit të keq të keqtrajtimit të shqiptarëve, më duket e tepërt dhe jo fort elegante”, ka thënë Rama gjatë një kundërpërgjigjeje drejtuar Mustafës, i cili iniciatorët e Mini-Shengenit i quajti minijugosllavë.

Kjo kundërpërgjigje e Ramës ka nxitur Isa Mustafën të reagojë sërish lidhur me këtë çështje. Me këtë rast, Mustafa ka thënë se nuk dëshiron ta shohë askënd duke e përjetuar edhe një herë kohën e ish-Jugosllavisë. “Ne që e kemi përjetuar Jugosllavinë nuk dëshirojmë ta përjetojmë edhe një herë. Edhe atyre që nuk e kanë përjetuar nuk ua dëshirojmë”, ka potencuar kreu i LDK-së.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme Edi Rama ka komentuar edhe mospjesëmarrjen e presidentit Thaçi në Samitin e Ohrit, me ç’rast ia ka numëruar presidentit të Kosovës të gjitha samitet e Ballkanit Perëndimor ku ka marrë pjesë bashkë me liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe ata serbë. “Sa më kujtohet as atëherë Serbia nuk e ka njohur Kosovën”, ka thumbuar Rama Thaçin, gjersa ka thënë se pala kosovare e përjashtoi veten nga kjo iniciativë rajonale. Teksa kritikoi nismën për Mini-Shengenin Thaçi tha se pjesëmarrja e Kosovës në Samit është e pakuptimtë, ndërsa aty marrin pjesë edhe shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Pavarësisht këtyre përplasjeve, Edi Rama tha se nuk ka kurrfarë ngërçi mes bashkëpunimit të tij dhe palës kosovare.

Dakordimi Kosovë – Shqipëri, i nevojshëm në samite rajonale

Mospjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Ohrit po shihet si vendim i drejtë nga njohësit e çështjeve politike e integruese. Sipas Demush Shashës, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), Kosova nuk ka interesa të përkrahë iniciativa të tilla me të cilat mund të prishet partneriteti me vendet kyçe të BE-së. Në këtë drejtim Kosova dhe Shqipëria sipas tij do të duhej bashkërisht të merrnin vendime për pjesëmarrje ose jo në samite të tilla. “Konsideroj se Shqipëria dhe Kosova duhet çdoherë të zhvillojnë një koordinim të afërt para lansimit ose pjesëmarrjes në çfarëdo iniciative të bashkëpunimit rajonal, evropian ose ndërkombëtar. Vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën, nuk kanë asnjë interes t’i ofrojnë mbështetje iniciativës së Mini-Shengenit, e cila efektivisht minon procesin e Berlinit dhe përjashton nga partneriteti vendet kyçe të BE-së, siç janë Gjermania, Franca etj”, ka deklaruar Shasha.

Ai ka konsideruar se Kosova dhe Shqipëria duhet të insistojnë që të gjitha sfidat e identifikuara të trajtohen në partneritet me vendet e BE-së dhe në përputhje me perspektivën e rajonit për anëtarësim në BE. Çdo devijim nga kjo, siç Shasha është shprehur, e minon agjendën integruese të Ballkanit dhe ofron hapësirë për influencë dhe për veprim të pjesëmarrësve të jashtëm, të cilët paraqesin rrezik për vlerat euroatlantike.

Mini-Shengeni, dy anët e medaljes

Ndonëse ka shkaktuar konfuzion në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ideja për krijimin e zonës Mini-Shengen sipas Demush Shashës i ka disa anë pozitive sikurse po ashtu i posedon edhe anët negative. Deklarata e përbashkët e tre krerëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, atij të Shqipërisë, të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, që më 9 tetor u mblodhën në Novi Sad të Serbisë, sipas tij dëshmon se iniciativa është në përputhje me obligimet dhe me ambiciet e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. “Në këtë drejtim, deklarata synon të arrijë: Krijimin e tregut të përbashkët prej 20 milionë qytetarëve; Eliminimin e kontrolleve kufitare dhe të pengesave të tjera të lëvizjes së lirë jo më vonë se në vitin 2021; Lëvizjen e lirë të qytetarëve të Ballkanit në rajon me kartë identiteti; Të drejtën e punësimit të qytetarëve kudo në rajon; Njohjen e ndërsjellë të diplomave në gjithë rajonin; Ngritjen e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe ndihma në rastet e katastrofave natyrore”, është shprehur drejtori ekzekutiv i EPIK-ut.

Megjithëkëtë ai ka thënë se mbetet e paqartë se pse nuk në takimin lansues të këtij projekti, i cili u mbajt muajin e kaluar, nuk janë ftuar Bosnjë e Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi. Po ashtu, sipas tij mbetet e paqartë se kush ka dhënë leje për përfshirjen e shteteve gjegjëse në deklaratën e miratuar, pasi ato nuk kanë qenë pjesë e takimit. Në këtë drejtim ai ka numëruar edhe anët e tjera negative të kësaj nisme është dashur të bëhet në frymë të gjithëpërfshirjes së të gjitha vendeve të rajonit. Kësisoj Shasha ka theksuar se deklarata e Mini-Shengenit nuk ka evidentuar sfida të reja me të cilat përballet rajoni përveç atyre që tashmë janë identifikuar nga procesi i Berlinit, duke e vënë në mëdyshje rezultatin që mund ta japë ky Mini-Shengen. “Është e paqartë se përse është krijuar një mekanizëm i ri jashtë procesit të Berlinit, i cili efektivisht përjashton nga pjesëmarrja vendet kyçe të BE-së. Në këtë drejtim është e paqartë se si një iniciativë e re politike, por me pjesëmarrje më të kufizuar politike se procesi i Berlinit, do të arrijë rezultate më të mira”, ka përfunduar ai.//ZERI