UBT

Mimoza e sukseseve

/ 5 minuta lexim
ZN

Gjilan – Suksesin e saj e ka nisur si atlete qysh në moshën 8 vjeçare, për të vazhduar pastaj me hendboll dhe volejboll ku edhe arrin suksese kulminante. Edhe pse është e angazhuar në politikë si këshilltare komunale asnjëherë nuk e ka tradhtuar profesionin e sportistit. Mimoza Shkodra pret shumë shpejt edhe të doktorojë pikërisht në fushën e volejbollit.

Mimoza për nga natyra është tip luftarak që nuk dorëzohet shpejt. “Kisha filluar me atletikë, por klubi pas katër viteve u shua. Nuk ndeja duarkryq dhe fillova menjëherë me hendbollin. Kisha aftësi motorike dhe antropometrike dhe për pak muaj arrita të futem në ekipin e parë që quhej “Drita”, nisë rrëfimin e saj për rajonipress Shkodra.

Meqë ndeshjet atëherë zhvilloheshin në terrene të vështira , Mimoza lëndohet dhe pauzon për pesë muaj. “Gjatë kësaj pauze erdhi profesori Hafiz Gashi dhe kërkojë që unë të kyçem në Klubin e Volejbollit i cili ishte më i suksesshmi në Gjilan. Edhe këtu me stërvitje të shpejta hyra në gjashtëshin e parë”.

Por Mimoza rrëfen edhe për momente jo të mira meqë këto stërvitje ajo thotë se i bënin në kohën e okupimit dhe duhej ushtruar larg policisë. Pas luftës Mimoza thotë se është kthyer sërish tek KV Drita dhe ndërkohë regjistron edhe studimet në Fakultetin e Kulturës Fizike.

Mimoza krijon shoqëri në Prishtinë dhe kërkohet vazhdimisht nga Klubi i Volejbollit Prishtina. “Në Prishtinë kisha kontratë dhe merrja pagë mujore, për dallim nga Gjilani që vetëm luaja dhe nuk fitoja asgjë “rrëfen Shkodra.

Për 23 vite rresht sa Mimoza ishte aktive dhe e njohur për publikun, ajo në veçanti falënderon prindërit dhe familjen e ngushtë që e motivuan dhe i dhanë përkrahje. Një falënderim të veçantë ajo ia dedikon edhe tifozëve të cilët e kanë ndjekur hap pas hapi duke i dhënë kurajë e vullnet .

Tani , Mimoza Shkodra ndodhet para një sfide të madhe. Si të ndahet nga volejbolli e sportet tjera që aq shumë u mishërua?. “Kam vendosur që të tërhiqem nga volejbolli, por kjo s`do të thotë që unë mos të kontribuojë ende nëse kërkohet nga unë që të punoj dhe tu krijojë hapësirë vajzave të reja” shprehet ajo.

Shkodra së fundit është duke vazhduar studimet e doktoraturës në Universitetin Publik të Shkupit ku për hulumtim ka pikërisht lojën e Klubit të Volejbollit Drita. Aktualisht punon si profesoreshë e edukatës fizike në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”.

Të arriturat sportive të Mimoza Shkodrës

Aktivisht merrem me sport që nga viti 1989, fillimisht me atletikë dhe në vitin 1991 zura vendin e tretë në kërcim se gjati në nivel të Kosovës

Në vitin 1992 kalova në sportin e hendbollit ku luajta në ligën e parë me shumë sukses në Dritë të Gjilanit , isha ndër lojtaret e para pas mëvetësimit nga pushteti serbë.

Pas tri viteve prapë ndërrova sportin më 1995 dhe kalova në klubin më të suksesshëm të të gjitha kohërave në Kosovë në “Drita” të Gjilanit.

Në vitin 1995 kampione dhe fituese e Kupës së Kosovës në Volejboll.

Në vitin 1996 Kampione dhe fituese e Kupës së Kosovës në Volejboll dhe radhitem në mesin e 10 volejbollisteve më të mira të Kosovës.

Deri sa unë isha lojtare aktive e këtij klubi ishim 5 herë kampion i Kosovës dhe gjithashtu marrim epitetin ”Kampion i dhjetëfishtë i Kosovës”.

Që nga viti 1996 e deri më sot radhitem në mesin e 10 volejbollisteve më të mira të Kosovës.

ZN

Në sezonin 2002/2003 me kërkesën e K.V.”Keku” nga Prishtina u transferova në skuadrën e tyre vetëm për një vit dhe dolëm nënkampione të Kosovës dhe njëkohësisht u rendita e dyta në mesin e 10 volejbollisteve më të mira të Kosovës.

4 vite radhazi kapitene e kombëtares së Kosovës.

Në vitin 2003 pjesëmarrëse në Turneun mbarëkombëtar në Tetovë të Maqedonisë dhe Fituese e vendit të tretë në këtë turne.

Në vitin 2003 jam transferuar në K.V Drita të Gjilanit ku ende luaj me shumë sukses dhe jam kapitene e skuadrës dhe ushtroj funksionin e ndihmës treneres.

Dhjetë vite me radhë nga ana e FVK-së rregullisht shpallem dhe hy në mesin e 10 volejbollisteve më të mira të Kosovës.

Dhjetë vite me radhë vlerësohem lojtarja më e mirë e mesit (bllokere) në Kosovë.

Në vitin 1999 marr epitetin e sportistes më të mirë në Gjilan.

Në vitin 2004 nga Drejtoria e kulturës, Rinisë dhe Sportit zgjidhem volejbollistja më e mirë në Gjilan.

Në vitin 2002/2003 në lojë të universiadës në mes të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës shpallem lojtarja më e mirë e universiadës .

Në vitin 2002/2003 marr pjesë me reprezentacionin e volejbollit të Kosovës në turneun e Atlantikut në Peskara të Italisë ku u renditem në vendin e tretë.

Qe 14 vite jam lojtare standarde në reprezentacionin e Kosovës në Volejboll.

Në vitin 2009 me K.V. Drita marr pjesë në turneun që organizohet për qëllim miqësie në Danimarkë.

Në vitin 2004/2005 marr licencën e referës së kategorisë ”B” në sportin e Not-it ,ku referoj me shumë sukses.

Në vitin 2004 marr ofertë nga skuadra “Aulona” e Tiranës(skuadër private) për t’u bërë pjesëtare e tyre, mirëpo nuk pranoj të transferohem për shkak të studimeve pasdiplomike – MASTER që i kisha filluar në Prishtinë.

Viti 2011 finaliste e Kupës së Republikës së Kosovës.
Viti 2011 finaliste në Kupën e Federatës në Shqipëri.
Kampione në sezonin vjeshtor në Kosovë
Viti 2012 nënkampione e Republikës së Kosovës./rajonipress/