Milionët e kulturës në 2012-tën

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Për të janë paraparë 800 mijë euro, por as ato nuk kanë ndihmuar zgjidhjen e problemit shumëvjeçar për ndërtimin e objektit të teatrit dhe operës “Ibrahim Rugova” në kryeqytet. Objekti tanimë me dukje patinazhi po këtë shumë do ta ketë potenciale edhe për vitin 2013, sikundër Ministria e Kulturës ka vendosur mos t’i japë asnjë cent më shumë projektit të nisur e të papërfunduar asnjëherë.

2014-ta dhe 2015-ta do të rrumbullakojnë 1 milion e 500 mijë euro për projektin në fjalë, gjithmonë duke pritur një propozim të ri. Nëse gjithçka realizohet mirë, Buxheti i Kosovës do t’i japë gjithsej 3 milionë e 800 mijë euro për projektin që mban emrin e ish- presidentit Rugova.

Muzeu i Artit Bashkëkohor, gjithashtu i premtuar të realizohej këtë vit, por pa ndonjë implementim, do t’i marrë me vete edhe për një vit tjetër 200 mijë eurot e planifikuara për këtë vit, derisa Buxheti i Kosovës në platformën kulturore 2013-2015 do të ndajë për projektin 1 milion e 500 mijë euro. 900 mijë të tilla deri në vitin 2015 do të shkojnë për masat preventive për investimet kapitale. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me një buxhet total prej 19 milionë eurosh për vitin 2013 një shumicë të madhe buxheti do ta bartë nga ky vit në projektet të cilat kanë mbetur të parealizuara. Gjithçka rreth turizmit kulturor të shtetit në vitin e ardhshëm, kjo ministri do t’i japë vetëm 50 mijë euro të bartura nga ky vit. Nga lista e trashëgimisë kulturore, pos ndriçimit të objekteve të trashëgimisë kulturore që do të financohet me 100 mijë euro, të vetmet që do të përfitojë në vitin 2013 janë Kulla e Hasan Rexhë Salihajt në fshatin Shushicë me 100 mijë euro dhe restaurimi e konservimi i kullave të Isa Boletinit me 50 mijë euro.

UBT

Për trashëgiminë kulturore viti 2013 do të investojë gjithsej 1 milionë e 400 mijë euro, ndërsa pas katër vitesh kjo shumë do të shndërrohet në 3 milionë e 900 mijë euro. Për kalatë e Dardanës, Artanës, Prizrenit dhe Harilaqit nuk është paraparë ndonjë ndërhyrje në vitin 2013, pos asaj të Prizrenit në të cilën vitin 2014 do të investohen edhe 80 mijë euro të tjera, dhe 40 mijë euro në atë të Dardanës.

Deri në vitin 2015 në lokalitetin e Ulpianës do të investohen 450 mijë euro. Në anën tjetër, ndërtesa e Institutit të Historisë e cila në mes të kryeqytetit ka mbetur e ngjyrosur në të kaltër por e varfër për nga aktiviteti i saj, do të marrë 60 mijë euro investim në vitin 2014, derisa në vitin e ardhshëm do të mbetet me zero centë. Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, në anën tjetër, do të ketë rritje të numrit të të punësuarve, sikundër këtë vit nuk ka pasur investime kapitale në nivel qendror.

Në draft buxhet pasqyrohen shpenzimet prej 161 mijë e 718 euro, shumë e cila më pas përsëritet edhe në vlerësimet e shpenzimeve për vitin 2014 e 2015-të. Në periudhën 2013-2015, një shumë rekorde do të investohet në masat preventive dhe intervenimet emergjente në trashëgimi e arkeologji, me gjithsej 1 milion e 50 mijë euro. Problemi i regjistrimit dhe digjitalizimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës deri në vitin 2015 do të marrë nga buxheti shtetëror i Republikës gjithsej 150 mijë euro.(zeri)