Miliona me Kinën

Eksporti i Kosovës në Kinë ka arritur pikën më të lartë që nga paslufta. Rreth 30 milionë euro ishte vlera e eksporteve në shtetin aziatik gjatë vitit 2011. Eksportuesit kryesorë janë ndërmarrja Trepça me metale dhe Ferronikeli me koncentrat kromi.
Kosova më shumë po eksporton në Kinën e largët sesa në vendet fqinje si Maqedonia apo Serbia. Kryesisht eksportohen metale nga “Trepça” dhe koncentrat kromi nga “Ferronikeli”.
Statistikat tregojnë për rritje të lartë të eksporteve të Kosovës me këtë vend të largët aziatik.
Për vitin 2011, eksportet e Kosovës në tregun kinez kanë qenë në vlerën e 28.1 milionë eurove.
Kjo bëri që pjesëmarrja e tregut kinez të jetë 9,0 për qind, duke kaluar dukshëm vendet e tjera të rajonit si Turqinë, Maqedoninë, Serbinë e Zvicrën.
Sipas hulumtimit të Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale – STRAS, në vitet e kaluara eksporti në Kinë ishte tepër i vogël.
“E vetmja risi që paraqitet në këto zhvillime është rritja shumë e madhe e eksporteve në Kinë, nga 31 mijë euro në vitin 2008 në 28.1 milionë euro në vitin 2011, ku pjesëmarrja e këtij tregu tash është 9 për qind, duke kaluar dukshëm vendet e tjera të rajonit si Turqinë, Maqedoninë, Serbinë e Zvicrën”, thuhet në raportin e STRAS-it “Kosova mes lindjes dhe perëndimit”.
Eksportuesit kryesorë për në Kinë janë Ferronikeli dhe gjiganti metalurgjik Trepça. Ndërkaq, kryesisht eksportohen metale bazë dhe produktet prej tyre dhe koncentrat kromi nga Ferronikeli.
Zëdhënësi i ndërmarrjes “Trepça”, Bislim Muçaj, ka thënë se në Kinë kryesisht eksportohet mbetjet e metalurgjisë se zinkut. Përmes një kompanie të kontraktuar, ndërmarrja Trepça, kishte eksportuar në Kinë me qindra tonë të kësaj mbetjeje industriale.
“Kompania ka kërkuar zgjatje të kontratës, pasi bëhet fjalë për 400 mijë tonë si mbetje e metalurgjisë se zinkut”, ka thënë Muçaj.
Nga ana tjetër, nga Ferronikeli janë eksportuar kryesisht koncentrate kromi dhe minerale kromi.
Statistikat prej 1 janarit të këtij viti e deri në fund të këtij muaji tregojnë se nga këto produkte, Ferronikeli eksportoi në vlerë afër 3 milionë euro.
Megjithëkëtë, sipas raportit të STRAS-it, sërish treg kryesor për produktet nga Kosova mbetet Bashkimi Evropian, ku në vitin 2008 u realizuan 47,3 për qind të eksporteve, kurse në vitin 2011 – 43,2 për qind.
Pak a shumë njëjtë është edhe sa i përket importit. Të dhënat tregojnë se bizneset kosovare janë të lidhura ngushtë me vendet e Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja e tyre në import nga 36,4 për qind sa ishte në vitin 2008, në vitin 2011 u ngrit në 37,8 për qind. Ndërkaq, kur janë në pyetje vendet e tjera në rajon, pjesëmarrja e tyre ka mbetur gati se e njëjtë. Shqipëria nga 2,7 për qind sa kishte pjesëmarrje në vitin 2008, tri vjet më vonë arriti në 3,7 për qind, pastaj pjesëmarrja e Serbisë mbeti pak më e lartë se 10 për qind, kurse Turqia, Kroacia, Kina, e Zvicra po ashtu kanë nivel të njëjtë të pjesëmarrjes.
I vetmi ndryshim vërehet të Maqedonia, e cila në vitin 2008 në importet kosovare kishte marrë pjesë 17,9 për qind, në vitin 2011 ra në 14,7 për qind.(express)