Milaim Rama, përfundimi i një karriere të veçantë
I larguar më 1992 drejt Zvicrës, ku babai po i punonte prej vitesh, Milaim Rama si 17-vjeçar kishte lënë fshatin Zhiti të Vitisë dhe familjen, për një jetë më të mirë. Ai kishte luajtur futboll në fshat, por kur nuk e kishte menduar se do të bëhej lojtar i kombëtares së Zvicrës, futbollisti i parë shqiptar në një kampionat evropian, e legjendë e skuadrës së FC Thunit.
“Largimi sigurisht se ka qenë për një jetë më të mirë, sepse ishte koha kur në Kosovë po mbylleshin shkollat, spitalet e çdo gjë tjetër. Si 17-vjeçar, kisha një dëshirë të brendshme për sukses, por frikësohesha të lëshohem në atë avanturë”, kujton Rama, një ditë pasi që ia dha lamtumirën futbollit aktiv.
I VEÇANTË – Shumë gjëra janë të veçanta me futbollisti modest, i cili të kryen punën e golashënuesit në fushë dhe nuk bën “kuinta” me top. Ai është i lindur më 29 shkurt, që i bie të festojë ditëlindjen e saktë çdo të katërtin vit.
Rama është sulmuesi kryesor që ktheu Thunin në elitën e futbollit zviceran pas 47 vitesh pritjeje, ishte kryesori sepse i shënoi 25 gola atë stinor.
Vitiasi është shqiptari i parë që u grumbullua dhe luajti në një kampionat evropian, kur luajti si zëvendësues në ndeshjen me Francën.
Në mbi 250 paraqitje për skuadrën e rajonit të Bernit, FC Thun ai ka shënuar mbi 105 gola.
PËRSHËNDETJA – “E di, nuk i kemi pasur fjalët që të përshëndetem, por kështu erdhi puna. I dhashë fund karrierës jo se nuk kisha opsione për të luatur qoftë në ligën e parë apo edhe të dytë, por sepse ndjeva që ka ardhur koha për një fazë të re në jetë, për projekte më të gjata jetësore”, tha ai.
Mbi karrierën e tij ai reflekton përherë duke u mbështetur në familje. “Kam një familje të shëndosh, kam arritur të kontribuoj aq sa kam mundur dhe për gjithçka i falënderohem familjes për mbështetjen e dhënë”.
Ndeshjen e fundit me Thun e luajti të mërkurën në mbrëmje, si titullar dhe u zëvendësua pas 56 minutave, në humbjen nga FC Zurich.
“Më kanë befasuar shikuesit e shumtë të klubit, sidomos miku im Lulzim Zhaku Aliu, i cili ishte angazhuar duke ndarë 700 fanella me emrin tim. Shikuesit e klubit kishin përgatitur një koreografi që vërtetë më bëri të më tradhtojnë lotët para tyre. Ishte një ndjenjë e paparë, e veçantë, që më bëri të mbetem para tyre edhe pas përfundimit të ndeshjes”.
KARRIERA – Rama luajti prej 1997 deri më 2004 te Thun, pastaj kaloi te Augsburg, një vit në Schaffhausen dhe sërish të Thuni (2006-12). Ekipi i tij është skuadra e parë dhe e vetme që paraluftës në Kosovë të vitit 1999, kishte gostitur në një ndeshje miqësore Prishtinën, atëherë kur çdoderë ishte e mbyllur për sportin kosovar. Këtë e shpagoi me lojë futbollisti kosovar, i cili dy herë ndihmoi këtë ekipin të kthehet në elitë. Për kombëtaren zvicerane ai shënoi 7 paraqitje.
“Mendoj se kur isha në formën më të mirë në kuadër të Zvicrës, futbolli i këtij vendi nuk ishte shumë i përcjellë jo sikur tani. Edhe menaxhimi ka mundur të jetë më i mirë, sidomos në kohën kur isha në top-formë ndërmjet viteve 2001 e 2004”.
BINDJET – “Dëshirë e çdo futbollisti është të luajë në një ekip më të madh. Kur shkëlqen në një skuadër të vogël dëshiron të dëshmohesh në një më të madhe, por jo gjithmonë kjo ndodh, ndonëse unë nuk jam pishman për karrierën që kam pasur dhe vendimet që kam marrë brenda saj”, tha 36-vjeçari.
Ai e pranon se ishte kohë e vështirë për shqiptarët që po emigronin rregullisht në Zvicër, por sipas tij bashkatdhetarët e tij e kanë dhënë provimin e dëshmisë në futbollin zviceran. “Jo se e kemi dhënë, por absolutisht nuk ka trajner, shef i ekipit i cili nuk ka bindje se futbollisti shqiptar është model që ai dëshiron të ketë në klub”.
PENGU – Megjithatë, si çdo karrierë edhe në këtë të Ramës ka diçka që ka mbetur peng, sidomos në aspektin kombëtar, “Duket pak e tejkaluar të kthem të flas për ndonëj gjë që ka përfunduar. Pas gjithë këtyre viteve që kam arritur më ka mbetur peng të vesh fanellën, sidomos atë të Kosovës”, tha sulmuesi i cili ishte grumbulluar dy herë me përfaqësuesen e Kosovës në kohën e selektorit, Edmond Rugova.
“Jam i gëzuar për vendimin e FIFA-së që të na lejohet të zhvillojmë ndeshje ndërkombëtare, mendoj se kjo është diçka shumë e mirë, një motiv shtesë për futbollistët e shumë të talentuar në Kosovë. Do të mundohem edhe unë me kontributin tim të jam sa më afër vendlindjes për të kontribuar”, tha Rama.(zeri)