Uji Dea

Mikpritja e të huajve në Zvicër

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Më 7 mars është mbajtur në Freiburg seminari i KoFI (Konferenca Zvicerane e Zyreve për integrim) mbi temën e mikpritjes së të huajve në Zvicër.

Presidenti i Konferencës, Hamit Zeqiri, në fjalën e tij hyrëse theksoi se përshtypja e parë e një njeriu zakonisht mbetet për një kohë të gjatë në kujtesë dhe ndikon shumë në raportet afatgjate. E njëjta gjë vlen edhe për migrantët në raport me vendin e pritjes.

Përshtypjet dhe eksperiencat e para në vendin e pritjes janë shumë të rëndësishme për procesin e integrimit. Për këtë arsye është kuptimplote që të zhvillohen projekte të mira të mikpritjes të cilat ndikojnë pozitivisht në procesin e integrimit të të huajve në Zvicër. Ndërsa Ministri për çështje të sigurisë dhe juridike, Erwin Jutzet, i Kantonit të Freiburgut potencoi se mikpritja e mirë përveç për të huajt para së gjithash është një shans për vendësit për ta krijuar një përshtypje të mirë. Sikurse vendësit po ashtu edhe të huajt duhet të kontribuojnë për një bashkëjetesë më të mirë të të gjithë banorëve.

Në seminar referuan ekspertë të komunikimit, të zyrave komunale të integrimit si dhe të instituteve të specializuara për integrim. Patrick Rohr moderator i njohur i Televizionit Zviceran dhe autor i disa librave bestseller, referoi mbi temën e bazave të komunikimit. Në mes tjerash fokusin e vuri te rëndësia e sinqeritetit në komunikim si dhe te interesimi i vërtetë për bashkëbiseduesin.

Këshilltari Peter Nielsen prezantoi punën profesionale të «Swiss Relocation Centre», firmë kjo e cila ka mandate nga disa firma të mëdha për t`u ndihmuar ekspertëve të tyre në fazën e parë të jetës së tyre në Zvicër. Ai në mes tjerash shpjegoi se si edhe të huajt kanë po ashtu paragjykime ndaj vendit pritës sikurse edhe vendësit ndaj të huajve. Me titullin «dëshirat speciale janë të lejuara» referoi bashkëpunëtori i hotelit me renome me pesë yje «Waldhaus» Jean Baldo. Ai prezantoi konceptin e hotelit si dhe qasjen që konsumatori dhe dëshirat e tij janë gjithmonë në qendër të vëmendjes në këtë hotel. Me gjithë hendikepin e madh që ai nuk sheh që nga lindja, ia del ta kryejë punën në atë mënyrë që mysafirët ndahen të kënaqur.

Mobi Casa

Marta Pinto, e deleguar për integrim e qytetit Renens si dhe Felix Baumgartner i deleguar për integrim i qytetit të Wilit prezantuan konceptet e tyre për mikpritjen dhe informimin e të huajve në fazën e parë të integrimit. Të dy referuesit theksuan se projektet për mikpritje të migrantëve janë vetëm një prej ofertave të këtyre qyteteve.

Seminari u mbajt në lokalet e shkollës profesionale të Freiburgut, ku edhe u prezantua oferta e kësaj shkolle për nxënës me prejardhje nga vendet e tjera. Të pranishmit patën po ashtu mundësinë ta vizitojnë ekspozitën e realizuar vitin e kaluar nga nxënësit e kësaj shkolle mbi ritualet/zakonet e përshëndetjes.

Në përgjithësi u konstatua se favorizimi i një klime të besimit dhe një komunikimi autentik i ndihmon bashkëpunimit të institucioneve vendore me të huajt. Institucionet vendore kanë obligim të ofrojnë projekte për një integrim më të mirë dhe në anën tjetër të huajt duhet të angazhohen për integrimin dhe pjesëmarrjen në shoqëri.

Në seminar morën pjesë rreth 150 profesionistë të lëmenjve të ndryshëm nga tërë Zvicra.(Hamit Zeqiri, kryetar i bashkësisë së zyrave të Zvicrës për integrim)