Fundamenti

Migrimet zbrazin zonën kufitare të Kamenicës

/ 13 minuta lexim
Uji Dea

Kamenicë – Asfaltimi i vonuar i rrugës, klima shumë e ashpër dhe dimrat e gjatë dhe të acartë, mungesa e martesave dhe e perspektivës, shkollimi i të rinjve në qytete, logjika e gabuar për jetesën më të mirë në qytete, ose edhe ekzistenca nga ndihmat sociale, e tashti edhe ndjenja e vetmisë për familjet e mbetura, ka ndikuar në braktisjen e vazhdueshme të zonës kufitare, me rreth 18 fshatra në kufirin Kamenicë – Medvegjë, nga Karaçeva deri në Hajkobillë.

Vetëm gjatë tetorit dhe nëntorit të këtij viti, në fshatrat Tygjec, Sfircë, Gmicë dhe Kremenatë, janë shpërngulur 6 familje me 40 anëtarë. Trendi i shpërnguljes vazhdon, ndërsa arsyetimi i atyre që largohen është se nuk ka mbetur kurrkush, se nuk ka perspektivë për fëmijët, për shkollimin e lartë të tyre dhe martesat

Rrugëtimi në zonën malorë në drejtim të kufirit, në Malësinë e Kamenicës, të ofron pamjen e një zone ku dimrat nisin herët e pranverat vonohen. Shtëpitë janë të rralla, po aq sa edhe oxhaqet që tymojnë. Edhe shtëpitë e braktisura janë të pakta, pasi nuk i kanë qëndruar klimës së ashpër me dimrave të ftohtë, por edhe demolimit dhe plaçkitjes. Rruga e asfaltuar ka rikthyer qarkullimin e automjeteve, sidomos të kamionëve për transport të lëndës drusore që zona është shumë e pasur, dhe burim jetese për banorët e mbetur. Familjet e mbetura ankohen se ndihen të vetëm, pasi kanë ikur fqinjët, dhe zona për ditë po braktiset nga ata pak banorë të mbetur.

Rexhep Berisha, babai heroit të kombit Nuhi Bedrisha, i thyer në moshë, thotë se nuk ka pritur që ky vend të kthehet në këtë gjendje, me aq pak njerëz. “Banorët u larguan pasi rruga erdhi vonë, dhe është vështirë t’i thuash dikujt të kthehet në tokën ku ka lindur e jetuar”, thotë xha Rexhepi, por nuk pajtohet që banorët aq lehtë ia kanë kthyer shpinën shtëpive e pronave të tyre.

Janë 57 nxënësit e shkollës në Tygjec që pak a shumë i japin jetë e gjallëri zonës, por edhe numri i tyre po pakësohet vazhdimisht. Banorët që largohen arsyetohen se kanë mbetur pak familje, u mungon komunikimi dhe nuk kanë çfarë bëjnë. Dimri ka mbërri në këtë zonë, me tërë ashpërsinë. Ngricat mbi asfalt ngadalësojnë udhëtimin, por krijojnë edhe pasiguri dhe frikë. Pasditja dëfton një mot edhe më të ftohtë.

Me afrimin e mbrëmjes pakësohen veturat dhe qarkullimi pothuaj ndalet. Vjet mirëmbajtja e rrugës malorë ka qenë shumë e mirë, rrëfejnë banorët. Ata thanë se edhe sivjet, me nisjen borës dhe ngricave, kamionë me kripë të kompanisë për mirëmbajtje rruge janë ngjitur në bjeshkë, deri te laku i Pusave, 3 kilometra larg kufirit, e aty jeton familja e Hetem Berishës, në Tepe të Sfircës, vetëm nja 200 metra larg kufirit Kosovë-Serbi, midis Kamenicës e Medvegjës.

Shpërngulja e popullatës i bën të frikshme fshatrat

Migrimi i popullatës drejt qendrave urbane ka zbrazur pothuaj në tërësi zonat përreth kufirit në Malësinë e Kamenicës. Ndërsa kjo ka ndikuar edhe në pakësimin e numrit të nxënësve dhe rrezikimin e mbylljes së shkollave. Shkolla Fillore “Nuhi Berisha”, dikur quhej “7 Korriku”, e Tygjecit nga 700 nxënës që kishte me 1971/72 ka mbetur me 60 nxënës, duke u rrudhur për çdo vit shkollor numri i nxënësve. Numri i nxënësve është pakësuar vazhdimisht për shkak të shpërnguljes së banorëve.

Trendi i largimit të banorëve drejt zonave urbane, kryesisht në Prishtinë, Kamenicë e Gjilan nuk është ndalur, e kjo ka ndikuar edhe në tkurrjen e numrit të shkollarëve. Në Sfircës, pas 59 vjetësh është mbyllur shkolla për mungesë nxënësish, sikurse edhe në Gmicë.

Trendi i shpërnguljes së banorëve rrezikon mbetjen e zonës pa popullatë, duke e rikthyer brezin kufitar në gjatësi 32 kilometërshe me pak shtëpi, që statistika nuk ka çfarë të regjistrojë.

Sfirca, e cila tashmë ka mbetur pa shkollë, me 1948 kishte 93 shtëpi, ndërsa me 1983 kishte 43 shtëpi, e tashti me dy lagje ka vetëm 7 shtëpi, një familje 8- anëtarësh, ajo e Shefki Dodës, u shpërngul në tetor. Në nëntor u shpërngulen tri familje, një në Gmicë – familja…, një në Kremenatë – familja 6-anëtarësh e Ekrem Avdylit, në Meshinë familja 6-anëtarësh e Agim Krasniqit.

Dy familje u shpërngulën në Bardhosh të Prishtinës, në shtëpitë e tyre të ndërtuara, ndërsa familja Krasniqi u vendos në Gjilan, në banim privat, pasi nuk ka shtëpi të veten. Mirëpo, ka edhe të tillë që vështirë ia kthejnë shpinën fshatit. “Kemi mbetur pak”, thotë Liman Kadriu, mësues në pension. Ai shton se përkundër që ndjen mungesën e njerëzve, e ka të vështirë të largohet. “Nuk dua të largohem, ta lë pronën të shkretë. Është e të parëve. Nuk e lë dot sa të më punojë shëndeti”, është këmbëngulës Liman Kadriu, 70 vjeçar. Kadriu ka punuar mësues 42 vjet, dhe është i vendosur të jetojë në shtëpinë e tij, në tokën e tij, në Sfircë. Ai nuk e fsheh faktin se ndjenja e vetmisë të alarmon, të krijon ngurtësinë për mungesë komunikimi me njerëz, por këtë gjendje të rëndë shpirtërore nga mungesa e vetmisë e thyejmë falë mysafirëve që na vizitojnë.

Mungesa e martesave zbraz fshatrat malore

Cilët faktorë shoqëror ndikuan në shpërnguljen e banorëve të Malësisë së Tygjecit dhe të fshatrave të tjera nga Hajkobilla e Prishtinës e deri në Karaçevë të Kamenicës.
Të rinjtë dhe të rejat nuk mund të martohen e të krijojnë familje në fshat. Ismet Ismajli, banues në Tygjec, është skeptik për të ardhmen e fshatrave të Malësisë së Kamenicës. Ai ndër arsyet përmend mungesën e martesave dhe të rigjallërimit të popullatës këtu. “Të rinjtë nuk mund të martohen, sepse vajzat e fshatit marrin shkollimin në qytete dhe nuk kthehen më, por edhe djemtë që martohen me vajza qyteti vazhdojnë jetën në qytete”, thotë Ismalji, duke shpjeguar arsyen e shpërnguljes së banorëve. Edhe djemtë e vajzat e fshatrave po martohen edhe jashtë vendit, me letra, tregon Ismajli. Çdo familje pret rastin e parë për ta braktisur fshatin, pasi janë të pakta familjet e mbetura që nuk kanë troje në Kamenicë, Prishtinë apo Gjilan.

Në të kaluarën shpërngulja ka qenë stihike, jo e vrullshme, jo masive, edhe pse kushtet ishin shumë të rënda. Shpërngulja mori vrull pas përfundimit të luftës me 1999, kur në psikologjinë e njerëzve u shtresua shqetësimi i mbetjes të zonën e kufirit, por edhe mashtrimi që u përhap dhe optimizmi i pabazuar se ardhja e forcave ndërkombëtare kishte sjell edhe të mira materiale për jetesë.

E, në fakt në këtë periudhë filluan edhe uzurpimet e shtëpive dhe ndonjë banese të braktisur, por me kalimin e viteve skamja shtohej, e ndërkaq numri i të shpërngulurve rritej. Qytetet filluan të mbipopullohen nga të ardhurit, jo vetëm prej zonës e cila është objekt i trajtimit këtu, por pati dyndje të mëdha edhe nga Lugina e Preshevës (Malësia e Bujanocit, e Preshevës dhe Medvegja, sidomos fshatrat e kufirit me Kosovën).

UBT

Ata që po largoheshin nga fshatrat, duke lënë shtëpitë e tyre, pronat, pyjet dhe livadhet, duke shitur bagëtinë, u dynden drejt zonave urbane duke ëndërruar parajsën që nuk ekzistonte, por pa e menduar sa e vështirë do bëhej jeta e re, që do humbte kuptimin dhe karakterin e familjeve që kishin jetuar me dinjitet dhe nga djersa e punës së tyre. Nga krijues të mirash materiale, nga kultivues të mikpritjes, mirëqenies materiale dhe traditës pozitive në familje, në qytete u kthyen në lypsarë, duke pritur ndihma nga Kryqi i Kuq apo lëmoshën e tjetrit, që natyrisht mungonte.

Asfalti i vonuar ndikoi në shpërngulje

Si vlerëson shpërnguljen, përkatësisht fenomenin e braktisjes së fshatrave, shtëpive e pronave të tyre një mësues i fshatit Sfircë, i cili ende vazhdon të jetojë aty, dhe ka deklaruar se nuk mendon të largohet. Liman Kadriu, mësues në pension, i cili thotë se ka punuar 40 vjet mësues në shkollat e Malësisë së Kamenicës, kryesisht në Tygjec, ka thënë se mungesa e infrastrukturës ka larguar banorët nga shtëpitë dhe vendbanimet e tyre.

Ai vlerëson se sikur të rinjtë që kryejnë shkollimin në qytete të ktheheshin dhe të krijonin familje në fshat, ata që kanë shtëpitë dhe prindërit mund të ruhej prania demografike në zonë. Në Tygjec, Sfircë, Gmicë, Feriçevë, Meshinë, Shahiq, Lajçiç, Zhujë, Gjyrishec, Velegllavë, Sedllarë, Lisockë, Tërstenë…, kanë mbetur pak shtëpi të banueshme. Vehbi Sopi, banor në Meshinë, tash banues më i shpeshtë në Kamenicë, i cili 40 vjet ka punuar në shkollën e Tygjecit, thotë se dikur zona kishte mijëra banorë dhe shkolla e Tygjecit, ku merrnin mësimet edhe nxënës nga Sfirca e Brendshme, e cila bie në anën Bajës së Siarinës në Medvegjë, dhe fshatra të tjera, kishte rreth 700 nxënës.

Ai vlerëson se mungesa e rrugës dhe kushtet e vështira të jetesës, mungesa e mjekut dhe më herët edhe e energjisë elektrike kanë ndikuar që në vazhdimësi zona të braktiset nga banorët dhe lokalitetet të gjenden në prag të shuarjes. Sopi mendon se rruga e asfaltuar ka ringjallur në një shkallë jetën, por i duket se asfalti u vonua, erdhi pasi banorët u larguan.

Inkurajimi i banorëve për të mbetur në fshat

Kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli, ka thënë se krahas rrugës së asfaltuar Kamenicë – Tygjec deri në Kapi (kufiri me Serbinë) dhe Tygjec – Laku i Pusave – Zajçec-Hajkobillë – Prishstinë, që ka hapur perspektivë më të mirë për familjet e mbetura dhe investimet në pronat e tyre të atyre që janë larguar më herët, është bërë dhe do bëhet në vazhdimësi meremetimi i disa rrugëve në zonat malore, të cilat janë jetikë për jetesën e familjeve atje. Surdulli ka thënë se duhet të ndërmarrin veprime konkrete në ndërtimin e infrastrukturës që të mos largohen banorët e mbetur dhe të mos mbyllen shkollat në fshatrat e Malësisë së Kamenicës.

Kreu i Kamenicës, Shaip Surdulli, ka thënë se Komuna e Kamenicës meriton më shumë investime dhe angazhim të nivelit qendror për shkak të pozitës gjeografike dhe strategjike, për faktin se kjo komunë është zonë kufitare dhe ka afërsisht 70 fshatra, dhe me një territor shumë të shpërndarë.

Surdulli ka kërkuar investime nga niveli qendror në projekte rurale, dhe sidomos në zonat malore, për ta ruajtur popullatën e mbetur aty, që edhe ata pak banorë të mos shpërngulen. Ai ka nënvizuar se Komuna me mundësitë buxhetore ka investuar në infrastrukturën shkollore, në rrugë e rrugica fshatrash dhe lagjesh të tyre, në mirëmbajtje rrugësh, në ndihmë të varfërve, por kërkohen mbështetje të reja buxhetore, sepse klima e ashpër dhe dimrat e gjatë shkatërrojnë rrugët që çojnë në lagje, dhe ato çdo vit duhet riparuar.

Edhe e diela e dytë e dhjetorit kishte po atë ritëm të heshtur të jetës që mund të ketë një zonë në braktisje, ku njerëzit dalin në vikend apo për të marrë ndonjë metër kubë dru për ngrohje, duke rrezikuar në motin me borë, fërfëllizë e ngrica.

Dimri i vetmisë së madhe

Rruga 22 kilometërshe Kamenicë – Tygjec – Laku i Pusave – Zajçec, që përshkon fshatrat Grizime, Strelicë, Kopernicë, Bretulloc, Feriçevë, Jallaçë, Gjyryshec, Kostandincë, duke lidhur edhe fshatrat Shahiq, Zhujë e Magurë, Gmicë, Meshinë, nëpër qendrën e zonës – Tygjecit, dhe tutje në Sfircë e Kapi, ku përfundon rrugëtimi, të ofron një udhëtim të këndshëm dhe relaksues, një zonë shumë e bukur dhe e përshtatshme për turizëm dhe relaksim.

Dhjetëra kilometra rrugë e fshatra mund të haset ndonjë shtëpi e rrallë oxhaqet e të cilave dëftojnë për jetën në male. Mirëpo, jetën e mbushin njerëzit, e ata përditë e më shumë po i mungojnë zonës, po ikin në zonat urbane, në kërkim të një jete më të mirë, që vështirë po e gjejnë duke u bërë anëtarë të rinj të regjistrave të gjatë të Kryqit të Kuq.

Zhurma e automjetit thyen heshtjen derisa shtyp ngricat e akullit të formuar nga bora e shiu mbi asfalt. Stina është e ftohtë dhe me borë. Tymi i oxhaqeve të pakta dëfton për jetën në këtë zonë. Familjet e mbetura janë të përkushtuara në sfidimin e jetës së ashpër dhe klimës së ftohtë.

Kthimi prapa të mban të mbërthyer nga një ndjenjë e dyzuar – e ftohtësisë që bën lart në male, dhe ngrohtësinë e njerëzve që e duan jetën edhe në një zonë të ashpër. Flluskat e borës së dendur që shtresohej vazhdimisht, dhe ngricat nën borë rrugës të shtonin një dozë frike dhe pasigurie.

Bora kishte zbardhur majat e lisave të gjatë, edhe pllajat dhe lugjet, ndërsa pasditja dëftonte një mot edhe më të ashpër. Këtu jeta fillon e mbaron në vetmi. Vetëm shkolla dhe automjetet, veturat me të cilat njerëzit nga qytetet ngjiten lart për të marr ujë të pijshëm dhe ndonjë kamion që bart lëndë drusore thyejnë heshtjen dhe vetminë e thellë të zonës. Enkas për rajonipress Nexhat Buzuku.

Mund të ju interesoj: