RCCOLA

Migrantët gëzojnë shërbime edhe në gjuhen shqipe

/ 7 minuta lexim
KKVITI

Aktualisht më shumë se 20% e popullsisë në Zvicër është me origjinë të huaj. Kjo popullatë emigrante është heterogjene dhe paraqet nevoja shumë të ndryshme në fushën e shëndetësisë.

Megjithatë, në qoftë se këto popullsi janë shumë të ndryshme, ato shpesh kanë një emërues të përbashkët në lidhje me qasjen e informatave cilësore sa i përket shëndetit dhe parandalimit: pengesat për shkak të gjuhës. Siç është dëshmuar tashmë, qasja e sistemit dhe e shërbimeve për shëndetin e emigrantëve është e kufizuar për shkak të pengesës së gjuhës.

Kjo është arsyeja pse gjatë dhjetë vjetëve të fundit shohim shfaqjen e prioriteteve të reja në fushën e shëndetit dhe migracionit. Me fjalë të tjera, politikat /veprimet për shëndetin, të cilat u drejtohen këtyre popullsive, marrin parasysh gjithnjë e më shumë këto vështirësi.

Në kudër të programit nacional “Migrimi dhe Shëndeti”, Zyra Federale e Shëndetit Publik (OFSP) ka mandatuar Kryqin e Kuq zviceran. Kjo e fundit ka themeluar dy projekte kombëtare: publikimi i një “Udhërrëfyesi shëndetësor për Zvicër” si dhe krijimin e platformës në internet www.migesplus.ch. Që nga lindja e tyre, tani ka një duzinë vjetësh, këto projekte janë pasuar në masë të madhe me mjete të reja dhe platforma internet migesplus.ch ka ripërtërirë tërësisht faqen e saj, duke ofruar një gamë të re me shërbime të larmishme në shëndetësi.

Qofshin emigrantë të huaj, refugjatë, azilkërkues, persona pa dokumente ose të ashtuquajtur persona me origjinë “të huaj”, të gjithë kanë nivele të ndryshme të dobësive në lidhje me shëndetin. Përtej pengesës së gjuhës, këta njerëz kanë vështirësi të mëdha për të kuptuar funksionimin e sistemit shëndetësor zviceran, i cili shpeshherë perceptohet si shumë kompleks.

“Udhërrëfyesi shëndetësor për Zvicër” në gjuhën shqipe

Shumica e të huajve perceptojnë sistemin shëndetësor zviceran si një sistem i padepërtueshëm dhe shumë i vështirë për t’u kuptuar. Kjo është arsyeja pse botimi i ri i një broshure “Udhërrëfyesi shëndetësor për Zvicër” është më se i nevojshëm. Kjo broshurë pa pagesë (e vënë në dispozicion në www.migesplus.ch) është botuar në 18 gjuhë dhe shpjegon, për shembull, si është i organizuar sistemi shëndetësor. Por edhe si të qëndrojmë të shëndetshëm? Çfarë strukturash për ndihma ekzistojnë (këshilla dhe adresat e dobishme), etj.

E veçanta e këtij udhërrëfyesi shëndetësor qëndron në mënyrën e tij të komunikimit. Në fakt, përveç përdorimit të gjuhës amtare të migrantit, ajo pasqyron kulturën dhe mënyrën e tyre të komunikimit. Kështu që, me një gjuhë aq të thjeshtë e të saktë, me fletushka tematike ndihmëse, kjo broshurë synon të lehtësojë sa më shumë qasjen e emigrantëve në sistemin shëndetësor sa më të përshtatshëm për ta.

Duke pasur situatën e vështirë të disa grupeve të caktuara të emigrantëve, siç janë azilkërkuesit, si dhe personat pa dokumente, edicioni i fundit i këtij udhëzuesi siguron gjithashtu informacione për shërbimet që mund të jenë të dobishme për ta, si dhe për sistemin shëndetësor që i përket profileve të tilla.

Gjatë dekadës së kaluar qasja me kujdesin shëndetësor është shfaqur si një nga problemet më të mëdha të emigrantëve në Zvicër. OFSP-ja (Enti Federal për Shëndetësi), në bashkëpunim me Kryqin e Kuq zviceran ka për qëllim të zbatojë projekte të ndryshme në favor të promovimit dhe qasjes së të huajve me shërbimet shëndetësore në Zvicër. Marrja parasysh e specifikës së emigrantëve në politikën shëndetësore përbën një element kyç në përmirësimin e kësaj qasjeje. Nëse duam një trajtim të jetë i suksesshëm, mjeku duhet të jetë në gjendje të komunikojë në mënyrë efektive me pacientin, qoftë në aspektin e diagnozës apo të trajtimit. Kështu që kjo më së miri mund të bëhet duke marrë parasysh karakteristikat e kulturës së pacientit, besimeve dhe veçanërisht të gjuhës që ai flet.

Mobi Casa

Migesplus.ch, një minierë informacionesh për shëndetin

Pra, duke pasur parasysh nevojën për një mjet të tillë, Kryqi i Kuq zviceran ka ngritur platformën www.migesplus.ch. Kjo faqe u drejtohet jo vetëm pacientëve, por, siç mund të lexohet në faqen përkatëse, u drejtohet edhe “profesionistëve të shëndetësisë, atyre që punojnë në rrjetet sociale dhe për trajnim, popullsisë migrante, si dhe të gjithë personave të interesuar”.

Me versionin e saj të ri online, platforma migesplus.ch ofron një sërë “pamfletesh, broshura, udhëzime dhe materiale të tjera në gjuhë të ndryshme për temat në lidhje me shëndetin”. Këto dokumente të ndryshme mund të shkarkohen apo të porositën në faqën e lartpërmendur në gjuhët kombëtare të Zvicrës, por edhe në gjuhën shqipe, angleze, boshnjake / kroate / serbe, spanjishte, portugalishte si dhe turke.

Qëllimi i kësaj platforme është “t’u sigurojë një qasje të barabartë emigrantëve që jetojnë në Zvicër sa u përket informatave shëndetësore”. Për ta bërë këtë të mundshme, faqja ofron një gamë të gjerë të shërbimeve. Me fjalë të tjera, www.migesplus.ch është “një burim qendror i cili shpërndan udhërrëfyes të ndryshëm shëndetësorë që ekzistojnë aktualisht në Zvicër dhe që janë të përkthyer në gjuhët e përmendura”.

Informacionet janë klasifikuar në bazë të temave (Ushqimi & Lëvizja, Mosha & Shëndeti, Fëmija & Shëndeti, Femra & Shëndeti, Dashuria & Seksualiteti, Shijimi & Varësia, Psika & Krizat, Sans Papiers-at & Shëndeti, Shëndeti & Parandalimi, si dhe Shëndeti & Përkujdesja, etj.). Kështu që secili thjesht mund të klikojë në to për një përshkrim të shkurtër përpara se të vendosë t’i porositë ato online ose t’i shkarkojë falas. Materiali në fjalë u drejtohet të gjitha moshave dhe është në shërbim të të gjithëve.

Migesplus.ch shkon përtej shpërndarjes së thjeshtë të materialeve në gjuhë të huaja. Në të vërtetë, kjo faqe ofron “këshilla, mjete dhe mbështetje financiare për të zhvilluar, përkthyer, prodhuar dhe shpërndarë udhëzime shëndetësore të posaçme për emigrantët”. Këto lehtësi kanë kryesisht në shënjestër institucionet dhe profesionistët e shëndetit.

Përdoruesit gëzojnë mundësinë për të dërguar vërejtjet e tyre në mënyrë që të përmirësohet cilësia e informacionit të dhënë nga kjo faqje e internetit. Për të maksimalizuar shanset e shërimit, migesplus.ch ofron adresa dhe lidhje të ndryshme për shërim. Ajo gjithashtu siguron informacione për projektet e lidhura me promovimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve për emigrantët e kantoneve të ndryshme.

Migesplus.ch ofron shkëmbime mes institucioneve dhe profesionistëve, në mënyrë që ata të mund të përshtatin më mirë projektet e tyre për nevojat e emigrantëve.

I përditësuar rregullisht, përdoruesit mund të gëzojnë tashmë gamën e gjerë të shërbimeve të ofruara dhe të japin mendimin e tyre për to.

Prandaj për të përfituar më shumë nga ky shërbim ju mbetet të klikoni në www.migesplus.ch dhe në “Udhërrëfyesi shëndetësor për Zvicër”.(albinfo.ch)