Hidromorava

Meti Rexhepi: Loja poetike e një romani

/ 20 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Avdush CANAJ: DALLËNDYSHET E GJUMIT; Shtëpia botuese “Zef Serembe”, Prishtinë, 2011.

Në kakofoninë e jo vlerave shpesh herë nuk dëgjohet muzikaliteti i vlerave. Kjo po i ndodh klimës sonë kulturore. Kështu i ndodhi edhe anashkalimit të këtij libri.
“DALËNDYSHET E GJUMIT” është njëri nga vëllimet poetike, as i shumtë, as i pakët në gjithë krijimtarinë e kujdesshme dhe të përgjegjshme të poetit, përkatësisht shkrimtarit për fëmijë e të rinj Avdush Canaj. Ai si poet e prozator, ka arritur të kapë e të shtrojë në tryezën artistike shumëçka nga bota magjike e fëmijës dhe, tiu jepte trajta lojës së pleksur me kureshtje e dëshira në vargje dhe në radhët e prozës. Qasja shkrimeve të këtij poeti kësaj radhe përqendrohet te vëllimi i shkruar në prozë “DALLËNDYSHET E GJUMIT.” Libri është botuar më 2011. Si lexues nuk kam parë ndonjë qasje të thelluar vlerësuese për këtë libër në prozë. Përpos shtrirjes së kompozicionit në tridhjetë e tetë tregime kryesisht të shkurta, as autori, as botuesi nuk ia kanë përcaktuar me saktësi përkatësinë e llojit apo të zhanrit këtij libri. Në dukjen e parë mund ta përfillim pohimin: nuk ka asgjë për të mos u përtrollitur nga përkatësia gjinore e librit. Duket fare qartë se botën e magjisë së librit e përmbushin tregimet e moshës më të re të fëmijëve, më saktë mosha shkollore të fillimit të klasës së parë dhe pakëz më tej. Ndryshe: fillimi i shkëputjes së fëmijës nga vartësia prindërore dhe, kërkimi i gjetjes së udhëve për një botë vetjake. Megjithatë, edhe për këtë moshë shkrimtari futet më thellë se pandehmat tona. Ai prekë rrahjet e pulseve të simpatisë ndër gjinore: “Çështë ky vizatim kështu?!
Më shikoi me njëfarë habie.
-A nuk e sheh xhaxhi? Është një shoqe e klasës.”
Më tej kur ia fshiu shiu vizatimin Luçit, ai nuk e fshehu fare ndjenjën e tij:
“-Ani, le ta fshijë kush të dojë, por dashurinë që kam për Arbanën nuk mund të ma fshijë askush.”1


PËRRALLA MODERNE
Rrëfimin poetik në të gjitha tregimet e librit e lidhin ecejaket e krye personazhit Luçi. Qoftë për formën e kompozicionit, ashtu dhe për gjithë gamën e rrëfimit me tregime prej dy-tre e katër faqesh, nga tregimi në tregim i përmbush loja, veprimet e Luçit, kureshtjet,
ritmet e ngjarjeve të karakterizuar nga përbërësit e tyre të butësisë. Larushitë e haresë së jetës gërshetohen përmes imagjinatës dhe gjë sendeve të dukshme e të prekshme. Të gjitha anë-pamjet, prekjet dhe të paprekshmet e realitetit, dëshirat dhe mundësitë për
përmbushje të morisë së tyre përshkohen nga figuracioni poetik, i ndërthurur me shprehje të përzgjedhura e të përshtatshme për diapazonin e fëmijës. Autori gjithnjë ka parasysh parimin se edhe më e bukura për botën e fëmijës nuk është mjaftueshëm e bukur. Duke shqyrtuar prozën poetike të këtij vëllimi artistik, bindshëm përtrollitet natyra e parimit të apostrofuar.
Meqë romani modern shmangu dukjen e tipareve fillestare të identifikimit me romanin klasik, lirisht mund të pohojmë se tregimet e librit “DALLËNDYSHET E GJUMIT”, nga njëri rrëfim në rrëfimin pasues, nga njëra dëshirë në shfaqjen e të tjerave, nga loja e djeshme në të sotmen, nga ëndrra në zhgjëndërr, nga pësimet në mësime, nga ideja në ide të reja; të gjitha përplotësojnë mirëfilli mozaikun e një romani. Shtrohet pyetja: a do të na lejonte teoria e deritashme për romanin ta shohim kësisoj këtë libër? Nuk kam dyshim. Përse? Ngaqë të gjitha fijet e subjektit tregimtar lidhen në mënyrë unike me krye-personazhin strumbullar të tregimeve, që strukturojnë ose ndërtojnë modelin e përrallave moderne të pashkëputshme për një roman.
Bota e fëmijës prore do të prirët të komunikojë me gjithçka që shihet, madje edhe me gjë-sendet e realitetit përtej afrisë së njeriut. Për fëmijën është intriguese edhe shtazëria, pikërisht për veçanësinë e kësaj kategorie të frymorëve. Pothuajse të gjithë shkrimtarët që marrin ta trajtojnë botën fëmijërore nuk i shmangin kafshët e përshtatura për tiu shërbyer njerëzve: qoftë kali për kalërime, lopa për qumështin e saj, qeni si rojë besnike e shtëpisë, macja si gjahtar e minjve, apo kafshët e pazbutura që zgjojnë frikë, si: dhelpra për taktika dinakërie, ariu, ujku, luani, tigri e gjarpri... Megjithatë, epoka e internetit dhe e informatikës, duket se solli mendësi të reja dhe zëvendësimin e përrallave të traditës. Shkrimtari Avdush Canaj përçon vetëdije për mënyrat e shtrirjes së dinamikës bashkëkohore dhe, evoluimin e qasjes së shkrimit në përkim me përshtatjen e këtij lloji të realitetit jetësor praktik e estetik. Shkrimtari personazhin e rrëfimit tregimtar e vendosi në këtë kapërcyell të psikologjisë jetësore moderne. Lë ta kemi të qartë, sado që kjo epokë e përsosjes teknologjike të ketë ngritur nivelin e jetesës, ende janë të pashkëputshme hallkat e ndryshkura ekzistenciale të njeriut në përkim me bimësinë, faunën apo shtazët shtëpiake; andaj autori e percepton në imagjinatën e fëmijës, këtu, tek Luçi: “Në atë çast lopa pëllet, duke shikuar kah ne. Luçi më drejtohet me ngazëllim: -E kuptove çtha?
-Jo, nuk e di gjuhën e saj.
-Eh, unë e di. Tha: çamçakëzat shumë i dua!”2
Çfarë ngërthen ky dialog i Luçit? Dialogu i Luçit shfaq një ndjeshmëri të butë të imagjinatës fëmijërore krejtësisht të pasherr dhe fare të natyrshme. Ndjenja e mirësisë për
kafshët shtëpiake shpërfaq ngrohtësinë e një qenie me shpirt të çiltër, pa atë dozën e egoizmit dhe të pasjes gjithçka për vetveten.
Në tregimin “Lopa ha çamçakëz” vëmë rè, se si edhe në tregime të tjera të këtij shtresimi fëmijëror në libër, autori e vë në funksion stilin e shtjellimit figurativ, me vijëzime fare të thjeshta, spikatë brendinë e personazhit, sipas formës vertikale të renditjes së thënies, sikurse në vargim vjershërimi:
“Në
vetull
të rrugës duket Gresa”3

KKGjilan


VEÇORI TË RRËFIMIT ARTISTIK
Kjo veçori e kësaj tipologjie të prozës poetike në librin “DALLËNDYSHET E GJUMIT” mëton dhe ia del të përshkojë logjikën dhe psiken e fëmijës, gjithnjë përmes personazhit të përkëdhelur Luçit, duke i dhënë shkas atij për pikëpamje, vështrime dhe perceptime për gjë-sende, që i has, i sheh drejtpërsëdrejti dhe i nguliten në mendje. Ai nuk është në gjendje të formulojë koncepte për dukuritë e realitetit, por kureshtjet e tija i zgjohen dhe i sillen vërdallë dukurive e paprekshme, e panjohur, të cilat, ia zbërthen vetëm loja deri në kufij të gjumit. Përfytyrimet për jetën, për zgjimin e imagjinatës, Luçi i shkëpuste nga përvoja e gjyshit dhe e prindërve, aq sa ua lejonte atyre dinamika e punës së programuar bashkëkohore, që të arrijnë tua shpalojë vogëlushëve kureshtarë shumëçka, që manifestohet në globin që rrotullohet... Autori gjithnjë kujdeset të mos dalë përtej përmasës së shtrirjes së lojës së fëmijës. Për kapjet logjike të fëmijëve jeta është lojë. Madje, shumë shfaqje të jetës, qofshin jo dhe aq të këndshme, fëmija i percepton, sikurse një lloj loje më e vrazhdë, së cilës i munguakan gëzimi, hareja dhe sinqeriteti, porse janë lojëra! Prurjet e imagjinatës së dialogëve të Luçit, që shkrimtari i zgjeron deri në sfera jashtë tokësore, në yjet e njohur të galaktikës sonë, si Jupiteri, Dielli, Hëna i vë në funksione simbolike, por dhe intriguese të lojës e të motivimit, ndonjëherë për arsyetime qesharake: “-E ku ta di unë, zemër, ku ke qenë ti? Nuk jam magjistare. -Nuk të bie ndërmend e pastaj lavdërohesh se ke pesa! Unë isha në Jupiter dhe sërish shpërthen gazi si pjeshkëve në degë. -Ua! - habitet e motra. -Çpe atje?
-Më shumë se mrekulli! Kodrat ishin sikur te ne.
Ishin prej sheqeri.”3
-E rrugët?
-Të shtruara me karamele!
-Sa mirë! E kroje a kishte?!
-Posi! Nuk rridhnin ujë, por coca-colë!”4
Nga fragmenti i shkëputur i tregimit “Në Jupiter”, funksioni i imagjinatës figurative trillon intrigën e tejdukshme për joshjen e kureshtjes fëmijërore. E shohim ngjizjen e figurës së krahasimit në metaforën e zgjeruar dhe, tërthorja e intrigës gjallëron idenë e stërmadhuar, të habitshme të çunakut çapkën, se deri ku mund ta shpie kureshtjen, kërshërinë dhe ëndjen fëmijërore!
Përralla moderne e Avdush Canajt për moshën fëmijërore nuk shqitet nga lepurushët, nga kuajt kalërues, nga fluturat lozonjare që vizatojnë tetëshe në ajrin e ndezur veror, nga kori i orkestrës frymore të zogjve, nga dallëndyshet që e sjellin gjumin e vonuar, nga natyra e praruar rreze artë dhe, lidhja e marrëdhënieve të fëmijës me natyrën e mrekullitë e saj. Të gjitha bukuritë që ua shfaq pranvera reflektojnë në ndjesitë e fëmijëve, duke i përjetuar dukuritë përmes lojës së tyre. Cenimi i lojës, shmangia nga ngazëllimi veror fëmijët i nxjerr nga normaliteti dhe ua pushton lirinë e lojërave. Pa lojë dita nuk ecën!
Në secilin tregim hasim thurje qëmtimesh të intuitës së sprovuar të shkrimtarit. Thëniet janë të motivuara në përputhje me nivelin e fëmijës të zgjuar, që herë-herë të befasojnë për pjekurinë e zbërthimit praktik të gjë sendeve nga jeta e ritmeve dinamike. Tropet dhe figurat më të dendura stilistike, me të cilat vishet gjuha artistike e rrëfimit në librin “DALLËNDYSHET E GJUMIT” janë krahasimi, togfjalëshat metaforikë, epiteti metaforik, simboli, aluzioni, hiperbola dhe ironia. Të shkruash thjesht dhe të shpërfaqësh figurshmëri ky është qëllimi parësor i shkrimtarit:
“Pa ikur dita me kalë, dikush troket në derën time…”5 5
Për ta rrëfyer një ndodhi, një veprim a një gjendje shpirtërore, kur ndjenja zgjohet vrullshëm e shpërthen për të kundërshtuar mospërmbushjen a tumirën e një apo të shumë dëshirave gjuha e gjen artikulimin nëpërmjet krahasimit, si:
“Shpërthen si gonxhe…”
Në rrjedh përshtatshmërie të moshës, tregimeve të këtij romani tiparet ua vijëzon metafora e zgjeruar me ritme dinamike:
“Ai shkallëve shalon kalin e erës.”
Secili tregim është ngjizur me togfjalësh metaforash, nëse jo me një fjalë të vetme metaforë, të cilat ia shtojnë gjallërisë së veprimit ngjyrat e ndezura të gëzimit dhe harenë:
“Të
kapur
dorë
për dore, si dy rreze drite, nisen kah ëmbëltorja.
Bashkë me ta edhe dielli lëpin akullore.” (Dielli lëpin akullore)


RITME DINAMIKE TË RRËFIMIT
Në mozaikun e tregimeve që nuk i kapërcejnë më tepër, se katër faqe libri, shpalohen fletët e romanit të Luçit, bota e dëshirave, kureshtjet për depërtime në imagjinatë, në të përtejshmet e ditës, atje diku ku ëndrrat ia zbardhin terrin natës. Në mësymjet e Luçit vërejmë si perceptohet dashuria, që uverturën e ka në puthjet e babit në buzët qershi të mamit, pastaj çapkëni e vë rè barkun gjithnjë më të fryrë të saj… Por, dhe tek ai nis diçka që i ngjanë dashurisë, por ajo ende nuk është dashuri, ndoshta është simotër e asaj që quhet simpati? Ku është simpatia e Luçit? A ndodhet larg ajo simpati? Simpatia e Luçit është në klasën magjike të shkollës. Madje, Luçi simpatinë e vet nuk e mbanë të fshehur, por ia shqipton emrin pa kurrfarë ngurrimi.
Gjithë hapësirën e romanit poetik “DALLËNDYSHET E GJUMIT” e përshkojnë ngjyrat e ndezura të çeljes së luleve, zjarri i tyre i butë që josh shikimet dhe grish bukurinë e jetës. Shkrimtari Avdush Canaj arrin ti zbërthejë kontrastet në rreshta të tregimeve, pa i stërholluar pamjet, përherë duke u kujdesur të mos dalë jashtë derës parësore që hapet e mbyllët me lojë dhe për lojë. Në përfytyrimet e Luçit kur, me dorën e tij, nuk mund ti prekte e ti gëlltiste ëmbëlsirat e preferuara, atje e shpinin ëndrrat e gjumit. Ato ëndrra i vijnë herë si dallëndyshe lajmëtare të blerimit, herë si premtime karamelesh të ëmbla të apostrofuara: “-Sa e ëmbël qenka karamelja e gjumit!”66 Avdush Canaj ia doli bindshëm të njëjtësohet, të identifikohet me psiken e fëmijëve, pothuajse studioi shumanshëm atë botë specifike fëmijërore, duke i kapur gëzimet, sinqeritetin, trillimet çapkëne, hidhërimet, pikëllimin nga fytyrat, nga buzët dhe ujëvarat e çasteve të haresë, që ndonjëherë u rrëshqasin dhe u derdhen prej një shkasi fare i vockël. Mandej, andej kontrastit kundruall të hareshmes, ngrysjet e motit në fytyrat e fëmijëve, këmbënguljet kryeneçe për të mos ua prishur qejfet... Në këtë mjedis lipset një taktikë e zbutjes apo e qetësimit të zemërimit me anë të gjetjes së gjuhës pajtuese të kompromisit. Për të gjitha këso gjendjesh e valëzimesh në psiken kureshtare të personazhit dhe të bashkë-motakëve, që njëkohësisht vijnë duke formësuar karakteret e veçanta dhe të përbashkëta; shkrimtarit i duhej kërkim i pareshtur, sikurse arkeologut në gërmime shtresash për mbetjet arkeologjike të fshehura në thellësi të shekujve. Arkeologu gërmon për artefaktin me përkujdesjen për mosrrënimin e brishtësisë së tij shekullore; përderisa shkrimtari po ashtu duhej të përqendrohej për të mos e mbingarkuar fëmijën, atë libër të gjallë. Libri i mirëfilltë i fëmijës është i brishtë për mbingarkesa me shkarravina hermetike të palexueshme! Atij libri në trajtën e një vocërraku që vrapon e rrëzohet, që qesh e qan, që pyet pareshtur e përgjigje nuk i jepen përngjeshëm...? Ai libër në trajtë fëmije lyp qartësi, kthjelltësi, çiltërsi brumosjeje me shpirtra të njomë... Ai libër i gjallë lyp gjuhën e vet të komunikimit... Po nuk e kultivove gjuhën e atij libri, kot ia shpaluake faqet e bardha të pashkruara... Për të qenë teksti sa më joshës për lexuesit e rinj, shkrimtari u përkujdes që rrëfimi të zbërthejë ritme të gjallërisë në secilin tregim. Pa dyshim loja si rrjedhojë e rritës për fëmijën, fëmijës i hap shkase për kureshtje, përderisa kureshtjet shndërrohen në shtysa për njohje të gjithçkaje rreth vetës. Komunikimi me lodrat si treni me vagonë është ftesë për imagjinatën, që ta shpie fushave me bar, lule e lisa, grykave të maleve me pamje plis-bardha, rrjedhës së lumit me gurgullimë dhe, më tej visoreve të panjohura për aq sa i funksionojnë trenit bateritë! Në dialogët e Luçit zbërthehet adhurimi për mamin, të cilën më së bukuri ia cilëson figura e krahasimit që lartëson tiparet e bukurisë së saj: “Si trëndafili i çelur shpërthen buzëqeshja e mamit.”7 Dëftime të këtilla, në vetën e parë ose të dytë, të folësve e pasurojnë të shprehurit, veçmas në rastet kur folja e dyzuar në fjalinë e thjeshtë përcakton gjendje të dukjes shpirtërore të tillë, si: “Babai vari buzagazin në cepin e buzës.”8 MOLLA E MALLIT MËRGIMTAR Autori Canaj nuk u mjaftua pa i vënë në gojë e zemër pos ndjesive të hareshme, përmbushjet e ditë-netëve të Luçit me botën e mbizotëruar, veçse nga hareja... Ai shtjellës së ligjërimit rrëfimtar i vë edhe sprovën e shpirtëzimit të pemës dhe erës te tregimi “Gishti i padukshëm.” Pema e shpirtëzuar i shfaqet me lutje erës, që të mos fryjë me gjithë forcën për tia shkundur asaj kokrrën e mollës, atë mollë që “Gjyshja e ruan për nipin e vet. E ka larg. Në kurbet bashkë me prindërit…”9
Tërësinë e librit “DALLËNDYSHET E GJUMIT” në nëntëdhjetë e shtatë faqet e tij e veçon tipologjia e rrëfimit të shkurt, me veshje të dendura shprehjesh të gjuhës figurative. Shkrimtari Avdush Canaj pas publikimit të një morie vëllimesh me poezi është shquar jo për sasi, por për cilësi vlerash, ka të zotëruar mjeshtri të shkrimit për moshën më të re. Si? Kështu, ngaqë e thotë vetëm atë më tipiken e asaj që shpirtëzohet brenda kopertinave dhe, bëhet lekturë e dashur për lexuesit e vegjël e të rritur.
Mëtimi i autorit për pamje të shumanshme të cilësive dhe dobësive të personazheve të tij në këtë rrjedh artistike, të rrumbullakuar në tërësinë prej ngërthesash e zbërthime porosish ideore-artistike, del në pah shmangia prej njëanshmërisë e skematizmit, duke i parë të mirat dhe veset, trillet dhe çiltërsinë, bamirësinë dhe egoizmin, ndjesinë e dhimbjes dhe kundërshtinë kundruall padrejtësisë. Lë të shohim me kujdes: se si dalin porosi të këtilla nga ky roman, por në trajtën e tërthortë të brendisë së nëntekstit.
Mbase autori krye-personazhit të vet ia shquan edhe prirjen hiletare, meqë tek ai në lojën “nata-dita” me të motrën, aty sheh mashtruesin grabitqar, kur në pjesën e antonimit urdhërdhënës: “nata!”mbylleshin sytë, por Luçi i çelte dhe ia përpinte çokollatën motrës. Pra, gjithnjë nëpërmjet lojës, lexuesi i ri sheh shpërfaqje hilesh mashtruese dhe dobësi, të cilat nënvizohen nga nota edukative. Madje, përkitazi këtij reflektimi qortues lë ti shkojmë prapa përsiatjes: është a nuk është shkrimi artistik fisnikërues egosh të njerëzimit? HAPËSIRA URBANE E NGUSHTUAR Dihet se përmes lojës mosha fëmijërore motivohet ta gjejë vetveten në hapësirën urbane, në një hapësirë që mund të shtrihej gjerë e gjatë liria e lëvizjes së fëmijës. Në mjediset e ngushtuara të banimit, veçmas fëmijës i ngushtohet hapësira që ia vë në veprim mendjen dhe trupin, pra lojën. Ai kërkon hapësirë që përmes asaj ti përmbushet koha. Kur mungon përmbushja, goditet topi edhe në kuzhinë, aty ku nuk është vendi për ti përmbysur orenditë e kuzhinës. Për fëmijën më parësore se sa rrëmuja, janë shtytjet e impulseve të gjakut për ta lumturuar kohën e lojës së tij. Mund të merret me mend pasoja e ndalimit të ritmeve për lojë, për gjallërimin e impulseve psikike e fiziologjike në rritën e fëmijës?! Temën e kufizimit të fëmijës për dinamikën e rritës apo paralizimin e saj, shkrimtari e nxori nga goja e personazhit në tregimin “Ku të luajë?” Pakënaqësia e reagimi të Luçit merr përmasë shtrirjeje tej caqeve të ngushta të tematikës për lojën e një fëmije. Si dhe përse? Gjithsesi, ajo pakënaqësi nxjerr në pah edhe një varg e vistër rrethanash të pakënaqshme shoqërore-shtetërore. Fëmija, biri i shkrimtarit, e sheh se babai nuk ka ku ti mbajë librat në një banesë së cilës:
“-Kësaj si thonë banesë. Kafaz i thonë! Kafaz!”10 Intonacioni përsëritës për kafazin si simbolikë e robërimit të bilbilit është ngritja e zërit të tendosur për pozitën e shtresës sociale, jashtë përkujdesjes institucionale të shtetndërtimit tonë! Mirëqenia e lirisë së kapur është bërë pronë e klaneve mafioze. Ndonëse autori pakënaqësinë për mungesë hapësire nuk ia adresoi askujt; pakënaqësia e ha vetveten. Megjithatë, në mendjen dhe sytë e një fëmije akuza nuk e kursen as prindin shkrimtar. Përse? Ndoshta për heshtjen e çiltërsisë së tij naive? Ndoshta...? Po u thelluam më shumë në aludimet ironike të tregimit, përsiatja iu ngjanë zgjerimeve të valëve koncentrike në amullinë e marrëdhënieve shtetarë-drejtues - popull - shkrimtar. Nuk ka si të përmbyllej ndryshe tregimi përpos me notë të theksuar të ironisë protestuese dhe, vetë-kritikës së shkrimtarit për pozitën e tij në shoqëri. “A ndërtohet shtëpia me vjersha?!” Fjalia përmbyllëse e tregimit “Ku të luajë”, pyetjen retorike e vë në peshoren e përgjigjes së dyfishtë: për statusin e përbuzshëm të krijuesit e vlerave shpirtërore dhe, sinqeritetin e zgjuar në mendësinë e një fëmije! PËRMBYLLJE TË DISKURSIT Tregimet e lidhura në botën e lojës burimin e kanë në lojë. Luçi është njëri nga prijatarët e përfaqësimit të jetës e të ritmeve të lojës në mjedisin tonë urban. Mëtimet e tij marrin kahen e formësimit e të përmbajtjes së një bote të plotësisë kulturore, që e hasim të shtruar me farfuritje magjike në librin “DALLËNDYSHET E GJUMIT.” Shqyrtimi ynë i përmbylljes së diskursit përkufizues na solli deri në këtë pikë, që këtë libër pashmangshëm tia rendisim llojit të një romani simpatik për fëmijët e jetës sonë urbane.
Gjilan, qershor 2024