RCCOLA

Mësuesi dikur pasqyrë reflektuese dhe me ndikim

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Shefik Shkodra- Ne, gjithnjë, shkollën e çmojmë si vend ku njeriu mund të marrë bazën dhe njohuritë e përgjithshme arsimore, por edhe një edukatë qytetëruese. Njohuritë e materieve të ndryshme shkencore e përgatitin njeriun për një jetë të ardhme më solide e më kuptimplote. Arsimimi është një dritare e hapur për njeriun pa të cilën rruga jetës do të ishte e errët. Pa shkollim vështirësitë në praktikë do të ishin të mëdha. Edhe komunikimi do të ishte më i mangët.

Mësimi legal

Nga fillimi i viteve të Luftës së Dytë Botërore (LDB), në Kosovë nisi për herë të parë shkollimi fillor në gjuhë amtare, por edhe ndonjë gjimnaz. Ishte shumë punë e madhe. Pas mbarimit të kësaj lufte përveç shkollave fillore u hapën edhe disa gjimnaze, shkolla profesionale e normale nëpër qendra rajonale.

Kudo ishte një varfëri e madhe. Në fshatrat e malësisë nuk kishte ende elektrifikim. S’kishte as një dërrasë të zezë e shkumës. Mirëpo, duke u mbështetur në një liri relative për mësimin e shkronjave në gjuhën amtare, në ato kohë ishte një vullnet i posaçëm, në përgjithësi te popullata shqiptare. Paralel me shkollat e rregullta organizoheshin edhe kurse analfabetizmi për të rritur. Këto kurse udhëhiqeshin nga ata persona që dinin shkrim-lexim dhe ua mësonin edhe të tjerëve shkronjat me abetaren për të rritur. Dhe jo veç shkrim lexim, por mësonin edhe për higjienën individuale, njohuritë tjera shoqërore e natyrore, etj. Edhe në pasdarket, nëpër fshatra më të largëta malore kurset vijonin me hov, që shqiptarët të shkëputeshin nga ajo botë e vjetër dhe të hynin në atë të renë, të informuar e me një komunikim si gjithë bota e civilizuar.

Që të punohej në mënyrë më intensive, kurset organizoheshin edhe për mësuesit (parapërgatitje e përgatitje) për mësimdhënie, kualifikimin e tyre dhe të gatshëm në çdo pikë gjeografike të këtij vendi me nxënësit, që do të interpretonin atë dije të shkencave të ndryshme. Këto trajnime quheshin Kurse Pedagogjike dhe mbaheshin më tepër gjatë pushimeve verore. Kushtet ishin jo aq të favorshme dhe shumë mungesë e një diferencë e madhe nga këto të sotmet. Po një mësues atëherë vlente shumë. Ai ishte më i respektuar se kushdo qoftë prej kuadrove tjera politike e udhëheqëse të komunës.

Mësuesi dikur dhe rrethi

Kujtimet e veteranëve për profesionin e mësuesit në ditët para janë të shumta. Edhe kujtimi për mësuesit e parë nga ana e nxënësve, por edhe të prindërve, po ashtu janë në mënyrë madhështore e të mrekullueshme. Dhe, si mund të dukej një mësues i asaj kohe, përshkrimi është shumë i gjerë dhe i gjatë. Rrëfimi për atë epokë bëhet si një imagjinatë për kohën e sotme. Të gjitha janë dëgjuar nga paraardhësit tanë. Përshtypjet për atë mësuesin e dikurshëm në krahasim me këtë të sotmin janë pak sa më ndryshe. Reflektimi i personalitetit të mësuesit të dikurshëm ishte me shumë ndikim jo veç te nxënësit, por edhe në masë të gjerë popullore. Do të thotë, një mësues i mirë ka pasur ndikim e besim në tërë mesin e qytetarëve ku ka jetuar e vepruar. Vullneti i tyre për punë ishte shumë i madh, përkundër aq vështirësive dhe të papriturave ne kohë. Nuk flinin të qetë e as nuk mund të ngopeshin shpesh edhe me ushqimin e nevojshëm. Udhëtonin (ndonjëri) edhe me shumë vështirësi dimër e verë.

RCCOLA

Një pedanteri e veçantë e dallonte prej gjithë qytetarëve tjerë. Njëherë, këtë ia bënte të mundur vetë gjendja materiale e financiare, dhe së dyti ai (mësuesi) me njohuritë e veta që kishte fituar dallonte edhe në ndeja me të tjerët. Atë e pyetshin për çdo gjë në rrethin ku jetonin. I veshur si është më mirë dhe i pastër si askush tjetër, jepte këshilla e mësime edhe për më të rriturit. Kuptohet, këtu flitet për atë që ishte në gjendje vullneti të mirë i përgatitur. Atij të cilit nuk i mungonte aftësia e të menduarit.

Por, edhe kishte aftësinë oratorike me një fjalor që ishte në gjendje të flasë për një çështje gjatë, duke ua shpjeguar të tjerëve. U rrëfente ndonjë anekdotë, diku-diku edhe ndonjë ngjarje historike e kombëtare. Në disa vise (lokalitete fshatarësie), ushqimi dhe fjetja organizohej për mësuesin “me rend”, nëpër familjet e atij vendi. Ndihmoheshin me ushqim dhe fjetje, atje ku nuk mund të siguroheshin kushte të pavarura. Shumë prej tyre në vendet rurale, vetë deklaronin se si kishin banuar nëpër familje të ndryshme pa u dalluar nga anëtarët e familjes. Ditët e netët e festave, e dasmave, mësuesi ishte në krye të vendit, te “perdja”.

Nuk kishte mbrëmje nëpër fshat, që në një familje të organizohej ndeja me mysafirë e të mos ftohej edhe mësuesi i shkollës së fshatit. Të gjithë dëshironin të dëgjonin diçka me interes prej tij. Pjesa më e madhe e qytetarëve, e përshëndesnin, donin që të hynin në bisedë me të e gjithnjë silleshin rreth tij.

I parashtronin edhe pyetje të shumta për çështje më të ndryshme. Reflektimi i mësuesit edhe kur s’ishte i pranishëm, ishte veçantë dhe ishte objekt bisede. Ishte në gjendje, ngadalë, por shumë sigurt që të ndikonte, jo veç për mësim, por edhe për çështje të përgjithshme kombëtare. Në këtë mënyrë, atij i kishin lakmi të rinjtë edhe të vjetrit.

Prandaj, edhe fëmijët e fshatrave e lakmonin detyrën e mësuesisë më tepër se profesionet tjera. Mësuesi herë-herë, kur i takonte të rinjtë me bagëti, të rritur e me vite të kaluara për limitin e nxënësit të rregullt, i përvetësonte dhe i këshillonte që t’i braktisnin delet, për të shkuar në shkollë.

Atyre, që fare nuk e kanë menduar më shkollën, u bëhej e mundshme që të vijonin të rregullt, apo të kalonin me nga dy klasë, nëse ata ishin të aftë më tepër së të tjerët. Shumë prej tyre, jo veç që kishin mbaruar shkollën fillore, po pastaj të mesmen e edhe studimet. Pas hapjes së shkollës normale, një pjesë e madhe e të rinjve u regjistruan në këtë shkollë për mësues të ardhshëm.

Prej tyre u përforcua edhe më arsimimi në shkollat fillore, kur këto kuadro, në fillim ishin shumë deficitare. Pra, kur kthehemi dhe e kundrojmë në retrospektivë shkollën, mësuesi dikur ishte pasqyrë e qytetarëve shqiptarë. Dhe ndikimi i tij ishte i real për gjeneratat e ardhshme.