Mësues të licencuar edhe në diasporë

Me qëllim të koordinimit të politikave kombëtare në institucionalizimi i mësimit plotësues në diasporë për të krijuar një sistem unik të mësimit plotësues për fëmijët tanë që jetojnë jashtë vendit, është duke i vazhduar punimet Konferenca Kombëtare: “Institucionalizimi i Mësimit Plotësues në Diasporë dhe në Mërgatë”, organizuar nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës dhe atë të Shqipërisë.
Sot punimet e tyre i prezantuan grupi për kuadrin mësimor, profilizimin dhe licencimin e mësuesve për mësimin plotësues në diasporë dhe mërgatë, grupi punues profesional për financimin e mësimit plotësues në diasporë dhe mërgatë, grupi punues për financimin e mësimit plotësues dhe grupi për sensibilizim dhe mediatizim e mësimit plotësues në diasporë dhe mërgatë.
Grupi për kuadrin mësimor, profilizimin dhe licencimin e mësuesve për mësimin plotësues në diasporë dhe mërgatë ritheksoi se burimet njerëzore, veçanërisht mësuesit, përfaqësojnë një nga faktorët më të rëndësishëm të organizimit dhe të funksionimit të shkollave të mësimit plotësues në diasporë. Pjesëtarët e grupit të punës paraqitën përvojën, veçanërisht rregullimin ligjor që zbatohet sot në Kosovë dhe në Shqipëri për diplomimin dhe licencimin e mësuesve. Pas diskutimeve, argumentimeve dhe konsideratave që u shprehën nga anëtarët e grupit, me qëllim të organizimit efektiv dhe mbështetjes së cilësisë së shërbimit arsimor që do të ofrohet në shkollat shqipe të mësimit plotësues, u konferencës iu sugjerua:
· Mësuesit që do të pranohen, të jenë mësues të diplomuar nga institucionet universitare në specialitetin mësuesi, si dhe të jenë të licencuar sipas përcaktimeve ligjore, përkatësisht në/nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.
· Mësuesit që do të pranohen dhe do të ofrojnë shërbimin arsimor në ShSHMP të jenë mësues me formim/diplomim, që është në përputhje me lëndën që do të zhvillohet, të përcaktuara sipas planit mësimor që do të realizohet në këto shkolla. Kështu (p.sh.), mësuesit, potencialisht të mundshëm për t`u pranuar si mësimdhënës në ShSHMP, duhet të zotërojnë diplomë dhe licencë si mësues të ciklit fillor, të gjuhës dhe të letërsisë shqipe, të historisë dhe të gjeografisë.
· Pranimi i mësuesve në këto shkolla, kur është e mundur, të bëhet me procedurë konkurrimi.
· Të krijohet mundësia rregullative që për vendet e lira të mësuesve që mund të krijohen, të kenë të drejtë të konkurrojnë kandidatë si nga Kosova, ashtu edhe nga Shqipëria.
· Të krijohet mundësia rregullative që për mësuesit, të cilët aktualisht ofrojnë shërbimin arsimor në këto shkolla dhe që janë jashtë profilit të lëndëve që zhvillojnë, të ofrohen kurse trajnimi dhe formimi deri në licencimin e tyre.
Ndërsa, grupi punues profesional për financimin e mësimit plotësues në diasporë dhe në mërgatë kryesisht gjatë prezantimit të tyre, kryesisht u mbështet në këto teza:
· Evidentimi i akteve ligjore dhe nënligjore që shërbejnë sot për financimin e mësimit të gjuhës dhe të kulturës kombëtare në emigrim (Kosovë – Shqipëri).
· Sjellja në këtë material funksionimi i shkollave të mësimit në gjuhën shqipe dhe format e financimit të këtyre shkollave (Kryesisht Suedi, Zvicër, Gjermani, Austri).
· Propozimet e bëra nga mësuesit e shkollave në emigrim për mënyrën e financimit të tyre, për ecurinë e mbarëvënies sa më të mirë të këtyre shkollave (pagat, transporti, tekstet etj.).
· Propozimi për donatorët që për zhvillimin e mësimit plotësues në mërgatë të kenë ulje të tatimeve nga shteti ku e zhvillojnë aktivitetin e tyre.
· Propozimi që së pari të fillojmë me një pilot-projekt për një pagesë modeste të mësuesve që zhvillojnë mësim në këto shkolla.
· Propozimi për mbështetjen financiare të aktiviteteve që shërbejnë për mësimin e gjuhës shqipe dhe të trashëgimisë kulturore.
· Propozimi që në të ardhmen financimi i mësimit plotësues në diasporë dhe në mërgatë të bëhet tërësisht me buxhetin e shtetit.
Me qëllim që fushata sensibilizuese mediatike të jetë sa më e efektshme dhe të prodhojë rezultate konkrete, grupi për sensibilizimin dhe mediatizimin e mësimit plotësues e propozoi planin e tyre media, i cili u mbështet në disa shtylla:
· Spotet promovuese;
· Broshurat dhe posterët;
· Emisionet debatuese;
· Njoftimet, komunikatat dhe konferenca për shtyp;
· Intervistat e ministrit/ave;
· Gazetat/revistat zyrtare;
· Emisionet edukativo arsimore;
· Emisionet kulturore;
· Menaxhimi i komunikimit të brendshëm;
· Koordinimi në teren me ojq-të lidere të opinionit
Më pas pasuan diskutimet për tezat dhe rekomandimet e këtyre grupeve.
Gjatë ditës së nesërme do të paraqiten tezat përfundimtare dhe përfundimet nga grupet e punës dhe harmonizimi përfundimtar i tyre.
Njëkohësisht, në ditën e fundit të kësaj konference, do të bëhet edhe emërimi i një grupi ndërministror për koordinimin e aktiviteteve për realizimin e konkluzioneve-Rezolutës së Konferencës. Respektivisht, do të komisioni organizativ do të propozojë nga një përfaqësues nga MED, MASH, MASHT, MPJ të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë dhe dy mësues, apo udhëheqës të asociacioneve të mësimit plotësues në diasporë dhe mërgatë.
Gjithashtu, gjatë ditës së nesërme, do të miratohet mandati i grupeve punuese profesionale për periudhën pas Konferencës për jetësimin e konkluzioneve – Rezolutës së Konferencës.