Mësimi nga kryengritja demokratike e anglezëve
Nga Berat Buzhala – Kushdo që thotë se ajo çfarë ndodhi me anglezët nuk mund të kontekstualizohet me vendin tonë, ose me çdo vend tjetër, atëherë nuk po e kupton votën kryengritëse të ishullorëve. Ajo çfarë ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar ka lidhje më atë çfarë ka ndodhur në Austri, javë më parë, kur për pak nuk u bë President një ekstremist.
Ajo çfarë ka ndodhur në Austri ishte e lidhur me atë çfarë ndodhi me zgjedhjet rajonale në Francë dhe Gjermaninë, ku partitë ekstremiste thyen disa rekorde elektorale (Partia e familjes Le Pen në Francë dhe fitorja e Alternativës për Gjermaninë).
Para se ksenofobia dhe ekstremizmi të shpërndahej në vendet e thella Perëndimore, në Bashkim Evropian, me këtë kartë elektorale zgjedhjet i kishin fituar dy parti të ekstremit të djathtë, në Poloni dhe në Hungari.
Këto janë njëkohësisht, fatmirësisht edhe më tutje, të vetmet shtete që kanë rënë nën pushtetin e partive ekstremiste.
Ndonëse raste të izoluara, rasti i Hungarisë dhe Polonisë, si eksperimente që ishin, arritën efektin e duhur. Inkurajuan votuesit anekënd Evropës se nuk është më tabu që të votoheshin, në masë, politikanët që në të kaluarën përpëliteshin në margjina të pragjeve elektorale. Kështu i shndërruan në normale situatat jonormale. Fjalori jonormal politik, u bë fjalor normal. Ajo çfarë nuk duhet të thuhet, ose që ishte politikisht jokorrekte, u shndërrua në përditshmëri.
Gjëra të tilla nuk kishin ndodhur në Evropë që prej pasluftës së Dytë Botërore.
Ende nuk kemi parë asgjë
Por pritni vetëm pak: Ende nuk keni parë asgjë, çfarë mund të shihni muajt në vijim.
Të gjitha këto eksperimente të rrezikshme demokratike që po ndodhin në Evropë mund të cilësohen vetëm si preludi, si lojëra fëmijësh, krahasuar me Zgjedhjet (me Z të madhe) e nëntorit të këtij viti, kur qytetarët e shtetit më të fuqishëm në botë, SHBA’ve, do t’i drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur njeriun më të fuqishëm në botë, duke qenë si opsion zgjedhor një demagog i rrezikshëm, siç është Donald Trumpin.
Për herë të parë në SHBA gjendet në menynë elektorale një manipulator i këtyre përmasave, siç është Trump, i cili është ngjitur kaq lart dhe kaq afër pushtetit vetëm fal retorikës së pazakonshme, anti establishment. Fjalori i tij është nuklear. Është pothuajse baras i rrezikshëm për njerëzimin, sa edhe janë kokat bërthamore. Tash llogariteni kur këto koka bashkohen me kokën e tij. Vetëm ditë të mira nuk na presin.
Pra epilogu, akti i fundit i kësaj drame, do të zhvillohet në nëntor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me një fjalë në vendet më demokratike të botës (bie fjala Britania e Madhe), me anë të mjeteve demokratike (zgjedhjet e lira, ose referendumi), po merren vendime politike që ka rrezik të shpien në zhvillime jodemokratike (ta zëmë, ndëshkimi i të gjithë myslimanëve).
ISIS nuk do ta kishte planifikuar kaq mirë një skenar të tillë. Një grusht terroristësh po e ndryshon në përmbajtje një qytetërim përparimtar, siç ishte ky euro-atlantik. Ajo çfarë është ndërtuar për qindra vjet – së paku që nga Renesansa e tutje – po shembet në mënyrë komike. Mashtruesit, përmes mesazheve brutalisht të përthjeshtësuara, duke i kombinuar disa gjysmë të vërteta me disa gënjeshtra, po komunikojnë shumë më mirë me zgjedhësit, se sa përfaqësuesit e zakonshëm “mainstream” të partive tradicionale.
Kështu në kërkim të zgjidhjeve të shpejta të problemeve të tyre, të akumuluara me dekada, qytetarët janë më të prirë t’u besojnë sloganeve malicioze, si “vendet e juaja të punës janë zënë nga emigrantët” ose “Britania e Madhe çdo javë i paguan Bashkimit Evropian 350 milionë funta”, se sa premtimeve të zbehta, monotone, burokratike, afatgjata, ku përmenden akronime të komplikuara si GDB, GNP dhe ku e di çfarë tjetër.
Mos të flasim këtu pastaj për korrupsionin (Panama Papers), për abuzimet e ndryshme me pushtetin, për mbiemrat e njëjtë politik (Clintonët, Bushët etj), për parti të njëjta për dekada të tëra (herë laburistët e herë konservatorët), e që të gjitha këto çojnë ujë në mullirin e ekstremistëve dhe mashtruesve aventuristë, që premtojnë formula të shpejta, efikase, radikale (do t’i mbyllim kufijtë për myslimanët, do të ndërtojmë muri në kufi me Meksikën), për ç’gjë ëndërrojnë të papunët, të frikësuarit, të pashpresët.
Të paktë janë ata që kanë durim të dëgjojnë deri në fund elaboratët e gjata për gërshetimet kulturore, për benificionet e shartimeve të tilla, për mënyrën se si refugjatët do të integrohen dhe do të kontribuojnë në ekonomitë e vendeve përkatëse. Njerëzit po kërkojnë zgjidhje “në dorë’. Po kërkojnë që çdo gjë të përfundojë të nesërmen. Në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, që çdo gjë të nisë nga e para.
Prandaj është interesant se si elektorati më gëzim dhe hare e pret ditën kur do t’i ndëshkojë me një votë të gjitha partitë tradicionale njëherësh. Në Mbretërinë e Bashkuar, ta zëmë, ishin bashkë laburistët dhe udhëheqësia e konservatorëve, në fushatën e tyre për të qëndruar në Bashkim Evropian. Këtë mundësi të shkëlqyeshme e nuhati shumica e votuesve. Ata ishin të interesuar për të shkaktuar trazira, e jo për të zgjidhur probleme. Dhe trazirat më të vërtetë po ndodhin. Dy partitë më të mëdha politike po kalojnë nëpër turbulenca të jashtëzakonshme.
Në këtë mënyrë votuesit e harruar nga elitat politike u hakmorën për injorimin që u ishte shkaktuar për një kohë kaq të gjatë. Largimi nga Bashkimi Evropian, sipas tyre, nuk kishte qenë asnjëherë qëllim i menduar gjatë. Përkundrazi, ata duket që tashmë, madje, janë penduar për një gjë të tillë. Ata dëshironin të ndëshkonin njerëzit e tyre, e që për fatin e keq, më së shumti e ndëshkuan vetën e tyre.
Ekstremistët janë të njëjtë në çdo vend
Sic edhe e pamë, pasi u bë publik rezultati i referendumit në Mbretërinë e Bashkuar, përshëndetjet e para erdhën prej ekstremistëve të tjerë, në pjesë tjera të globit. Kështu, nga Skocia, ku po qëndronte për arsye biznesore, rezultatin e përshëndeti Donald Trump. Unë nuk arrij të kuptoj pse për Trumpin dalja e mbretërorëve nga Bashkimi Evropian ishte një gjë e mirë. Ose, pse qenka për Trumpin gjë e mirë shkatërrimi i Bashkimit Evropian? Ose izolimi i Mbretërisë së Bashkuar, që ka mundësi të çojë në fragmentarizime të mëtutjeshme, siç është pavarësimi i Skocisë, ose Uellsit. Sigurisht që Trump nuk është aspak i interesuar në analiza të tilla. Ai është i interesuar për krijimin e kushteve të përshtatshme për një revoltë të radhës në SHBA. Dhe kjo, sipas tij, mund të ndodhë vetëm nëse amerikanët e shohin (monkey see monkey do) se asnjë votë nuk është aq e rrezikshme, sa për të mos e dhënë. Pra, Trump, do t’u thotë amerikanëve që nëse anglezët nuk u frikësuan për ta dhënë një votë kaq të rrezikshme për të ardhmen e tyre, pse po frikësoheni ju që ta bëni një gjë të tillë. Pra, një lloj gare e marrëzisë. Ose kush është më i guximshëm se tjetri për të garuar në papërgjegjësi maksimale. Pastaj, mjaft ironik ishte gëzimi i Presidentit turk për triumfin e referendumit në Mbretëri të Bashkuar. Ai e shikonte këtë si një hakmarrje ndaj Bashkimit Evropian, e jo për shembull si një fitore të tyre që gjatë gjithë fushatës elektorale temë e kishin saktësisht Turqinë. Ata që kërkonin që Mbretëria e Bashkuar ta braktiste Bashkimin Evropian, i frikësonin votuesit duke u thënë se shumë shpejt pjesë e tij do të jetë edhe Turqia. Me një fjalë ata që votuan për largimin nga BE’ja, e kishin në mendje Turqinë si një rrezik për Evropën. Pra, përse Erdogani i gëzohet kësaj vote, që ishte votë kundër tij? Siç e thash edhe më herët, ky është një solidaritet në mizeri. Për autokratët e sojit të Erdoganit, fragmentarizimet globale, rritja e ndasive, është ushqimi më i mirë për ta mbajtur në pushtet. Të mos flasim këtu për forcat ekstremiste në Francë, më në krye Marine Le Pen, e cila gjithashtu duartrokiti fuqishëm kur dolën rezultatet e referendumit. Si është e mundur që një politikane që flet për ruajtjen e vlerave të krishtera në Evropë, të gëzohet kur një shtet i krishterë ndahet nga të tjerët? A nuk do të duhej, nëse flasim logjikisht, që ajo të pikëllohej për një gjë të tillë? Ka edhe plot paradokse të tjera të kësaj natyre…
Ku është Kosova në gjithë këtë…
Praktikisht ndikimi ynë për të provokuar brenga përtej kufijve tanë është minimal, ose pothuajse zero. Njëri prej reagimeve më simpatike që e lexova në rrjetet sociale ishte se ne edhe po të donim nuk kemi prej ku të dalim, përveç “nëse dalim prej lëkurës tonë”.
Ne nuk jemi anëtar të asnjë mekanizimi serioz, të cilin do të mund ta braktisim.
Mirëpo, nëse nuk jemi të zotët që të shkaktojmë shqetësime globale, për arsye që mund t’i supozojmë të gjithë, ne megjithatë kemi aftësi të shkaktojmë shqetësime të brendshme, deri në vetëshkatërrim, duke i fuqizuar rrymat ekstreme, ose jonormale sipas standardeve tona.
Deri më tash energjinë tonë negative e kemi eksportuar jashtë kufijve të Kosovës, në formë të terrorizmit. Për mua mbetet e paqartë pse ky dëshpërim edhe më tutje nuk ka eksploduar brenda nesh, por sigurisht që kjo gjë nuk do të vazhdojë kështu pafundësisht. Një ditë energjia negative, refuzuese, anti establishment, anti Bashkim Evropian, anti Shtete të Bashkuara të Amerikës, do të jetë në mesin tonë. Mesazhet politike me tone kërcënuese, ose edhe arrestimet, nuk kanë sukses. Ti nuk e tremb askënd për pasoja, nëse ai është duke jetuar nëpër pasoja që një dekadë.
Madje, siç edhe po shihet, mesazhet, ose ultimatumet, e forcave të zakonshme politike, të liderëve të përditshëm politik, të atyre që kanë hisen më të madhe në situatën e rëndë ekonomike, kanë efekt të kundërt. Mllefi është kundër tyre, prandaj askush nuk po pret që të marrë këshillën e tij. Ai po pret që të hakmerret, qoftë edhe duke u vetëndëshkuar. Të vuajmë të gjithë së bashku. Kjo gjë më së miri artikulohet me anë të referendumeve. Kjo është forma më demokratike për të arritur në rezultate jodemokratike. Nuk po e them unë këtë gjë. Në të kaluarën e kemi parë se si diktatori serb Sllobodan Milloshevic kujtohej ta pyeste popullin e tij me anë të referendumeve, sa herë kishte për qëllim t’i thoshte JO Perëndimit. Tash lexova së fundmi që referendumi paska qenë mjeti mjaft efikas edhe i Adolf Hitlerit dhe Benito Muselinit, kur kanë dashur ta pyesin popullin për qëllimet e tyre.
Si përfundim
Nën ndikim të theksuar të shkrimeve të shumta të lexuara ditëve të fundit, nga gazetar dhe shkrimtar të zotë, si Timothy Garton Ash, Nick Cohen, Roger Cohen etj., mund të konstatohet se kryengritjet popullore, me anë të votave, janë shprehje e frikës dhe e pasigurisë së qytetarëve ndaj rrethanave të reja në botë. Në këto rrethana njerëzit i organizojnë vetëvrasje në pritë. Njerëzit e dëshpëruar, në kohë dëshpëruese, marrin vendime dëshpëruese. Ata më shumë dëshirojnë t’i besojnë një gënjeshtre të ëmbël, se sa një të vërtete të hidhur.
Në Kosovë aktualisht askush nuk çan kokën për asgjë, ndonëse të dhënat që kohë pas kohe dalin nga sondazhet e ndryshme janë mjaft indikative


