Mësimdhënësit dhe pronarët e shtëpive shkolla, janë rezistenca e Kosovës për arsimim shqip për një dekadë robërie

Rezistenca paqësore e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova në aspektin politik dhe diplomatik, si dhe rezistenca e mësimdhënësve për të mos u shkëputur nxënësit nga arsimimi, qoftë edhe në shtëpitë- shkolla, janë dy shtyllat kryesore të shtet ndërtimit dhe pavarësisë së Kosovës ka thënë Valentina Bunjaku Rexhepi.
Fjalimi i plotë i Valentina Bunjaku Rexhepit sot në Parlamentin e Kosovës
I nderuar kryetar, Të nderuar kolegë deputetë, Kabinet qeveritar, Të respektuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Ne jemi këtu, që në emër të grupit të LDK-së, të shprehim shqetësimin për vonesën e këtij projektligji, duke pasur parasysh se shumica e atyre që do të kishin këto përfitime nga ky projektligj, kanë ikur nga kjo jetë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresuar çështjen e statusit të punëtorëve të arsimit të viteve të ’90-ta kohë më parë, pasi që është pikërisht kjo parti, e cila e ka mbajtur mbi supe arsimin për kohën më të vështirë nëpër të cilën po kalonte krejt Kosova, e veçanërisht arsimi, gjatë viteve të ’90-ta.
LDK në atë kohë, nuk e shihte arsimin vetëm si një fushë ku zhvillohet profesionalizmi, por mbi të gjitha, edhe një mesazh për botën, se shqiptarët e duan arsimin dhe nuk po heqin dorë nga shkollat dhe universiteti, por janë detyruar dhunshëm të largohen.
Me gjithë dhunën nga forcat policore serbe, LDK krejt energjinë e saj e kishte koncentruar në shtëpitë-shkolla. Madje, do të thoshim, se LDK si parti, nga presidenca e vendit, do të duhej ta merrte një dekoratë për këtë kontribut të organizimit paralel të arsimimit në kushte robërie gjatë viteve të ’90-ta.
Është pikërisht LDK e cila e mbante mobilizimin popullor për arsimin dhe nëse ka dikush që e di rëndësinë, kontributin, vlerat, pasionin dhe motivimin e jashtëzakonshëm të punëtorëve të arsimit në vitet e ’90-ta, është po ashtu vetë LDK-ja.
Prandaj, në këtë kontekst, LDK mirëpret Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit gjatë viteve të ’90-ta, dhe konsideron që në fillim se, jo vetëm se është projektligj i mirëpritur, por edhe është vonuar shumë. Ne vetëm kishim kërkuar që me rreptësi të shikohen listat e mësimdhënësve dhe shtëpive-shkolla, në mënyre që të mos na përsëritet mashtrimi sikurse me listat e veteranëve të luftës.
Fatkeqësisht, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, më së paku është udhëhequr nga LDK për gati dy dekada pas luftës dhe jemi më se të bindur se, kjo ministri do të kishte krejt fizionomi dhe cilësi tjetër, po ta udhëhiqnin akademikët e LDK-së.
Në kohën kur LDK inicioi rezolutë dhe pat një iniciativë për mbështetje të Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit gjatë viteve të ’90-ta, ju të tjerët që ishit në pushtet aso kohe, nuk e përkrahët.
Dhe është mirë të kuptojnë qytetarët e Republikës së Kosovës se, në kohën kur LDK synonte dhe interesohej për këtë kategori të punëtorëve të arsimit gjatë viteve të ’90-ta, atëherë ishte fjala për financimin edhe të pagave retroaktive, e jo vetëm për të shpërblyer këtë kategori me beneficione, të ndërlidhur me kontributet, përvojën apo stazh të punës. • Projektligji po vjen nga kjo Qeveri jo nga vlerësimi për kontributin dhe njohja me vlerat e kësaj kategorie, por po vjen si rezultat i dëshirës për të qenë më afër mësimdhënësve si kategoria shoqërore dhe profesionale më e rëndësishme në nivel vendi, dhe pas një sërë përpjekjesh për greva nga sindikatat. Janë sindikatat meritore për procedim të këtij projektligji, e jo Qeveria. Ato e detyruan qeverinë për ta sjellë këtë projektligj.
Prandaj, ne si LDK, e mbështesim Projektligjin për Statusin e Punëtorëve të Arsimit gjatë viteve të ’90-ta, sepse falë kësaj kategorie, për një dekadë nuk e kemi ndalur frymën, motivin dhe dëshirën për arsimim, edhe në kushte robërie dhe të rrethuar me ushtrinë e policinë jugosllave. Po të kishte ndërprerje të arsimimit për 10 vjet, pasojat do të ishin shumë të mëdha, por entuziazmi që të mësohet edhe në shtëpitë- shkolla, ishte mesazh se jemi edhe popull liridashës, edhe popull arsimdashës.
Ne vlerësojmë lart kontributin e punëtorëve të arsimit gjatë viteve të ’90-ta. Ata dhe ato janë heronjët dhe heroinat e Kosovës. Punëtorët e arsimit, pronarët e shtëpive-shkolla dhe të gjithë të tjerët që kontribuuan në mbajtjen e arsimit shqip në kushte të shtypjes sistematike, janë edhe kategoria me kontribute të jashtëzakonshme për lirinë e Kosovës. Sikurse dihet, arsimi është shtylla më e rëndësishme e një vendi, qoftë në robëri apo në liri!
Po e konfirmojmë për të satën herë mbështetjen e këtij projektligji, sepse mësimdhënësit dhe pronarët e shtëpive shkolla, si dhe familjet e tyre, janë rezistenca e Kosovës për arsimim shqip për një dekadë robërie.
Rezistenca paqësore e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova në aspektin politik dhe diplomatik, si dhe rezistenca e mësimdhënësve për të mos u shkëputur nxënësit nga arsimimi, qoftë edhe në shtëpitë- shkolla, janë dy shtyllat kryesore të shtet ndërtimit dhe pavarësisë së Kosovës. Ju faleminderit shumë!
Valentina Bunjaku-Rexhepi – deputete