Fundamenti

Mesi jo krejt i artë

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Ibrahim Rexhepi-Lëvizja që ka bërë Kosova në listën “Doing Business” është më e madhja në mesin e 183 shteteve. Vetëm ky rangim nuk do të mjaftojë për rritjen ekonomike, thithjen e investimeve, uljen e papunësisë dhe të varfërisë.

Asnjëra nga 183 shtetet e përfshira në hulumtimin Bankës Botërore “Doing Business 2013” nuk ka pasur lëvizje më të madhe se Kosovë. Ajo u ngrit në vendin e 98-të, apo 19 vende më lartë se që ishte një vit më parë. Ngritje ka pasur secilin vit, ndonëse ishin milimetrike, në krahasim me atë të vlerësuar tani. Dhe, këtu asgjë nuk është për nënçmim, meqenëse autor i kësaj liste është institucioni më kredibil sa i përket politikave, reformave dhe nivelit të zhvillimit ekonomik, por në të njëjtën kohë është adresa më e mirë për të gjithë investitorët për të parë se ku gjendet Kosova në mesin e shteteve të tjera.

Pa marrë parasysh pakënaqësitë e mëdha dhe shumë të arsyeshme që ka populli me këtë qeveri, megjithatë, rangimi për 19 vende më lart se një vit më parë, tregon se këtu është bërë diçka drejt përmirësimit të ambientit për biznes. Nga dhjetë kritere vlerësuese, krahasuar me vitet e kaluara gjendja është përkeqësuar vetëm në dy prej tyre – regjistrimi i pronës dhe zbatimi i procedurave të falimentimit. Ndërkaq, inkurajojnë tri kategori – regjistrimi i biznesit, mbrojtja e investitorëve dhe zbatimi i kontratave.

Megjithatë, vendi i 98-të nuk është për duartrokitje, së paku për dy arsye. E para, Kosova ende qëndron larg nga shtete që i ka konkurrente të drejtpërdrejta, ato të rajonit – pos Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe, e dyta, lista e BB-së është mjaft statike, meqenëse kryesisht bazohet në reformat të inkorporuara përmes ligjeve dhe mënyrës së organizimit të institucioneve. Ndërkaq, ajo nuk merret me zbatimin e ligjit, me funksionimin e administratës, apo me nivelin e lartë të korrupsionit, krimit të organizuar dhe informalitetit.

Për këtë flasin raportet e tjera, si ai i perceptimit të korrupsionit i “Transparecy International”, apo raporti i fizibilitetit (dikur i progresit). Kur kemi parasysh të gjitha këto raporte, atëherë na del një situata jo aq atraktive që është në Kosovë, posaçërisht kur është fjala për investime, apo për bërjen e biznesit. Gjithçka duket lehtë e mirë për fillim, mirëpo, krejt përkeqësohet në momentin kur biznesi është operativ.

Se nuk mjafton vetëm rangimi i mirë në listën e BB-së tregojnë shumë shembuj në rajon. Maqedonia në këtë listë ka vendin 23, ndërsa një vit më parë ishte në atë të 22, ndërsa Kroacia është në atë të 84, ose katër vende më poshtë se një vit më herët. Mirëpo, Kroacia me të gjithë parametrat ekonomikisht qëndron dukshëm më mirë se shteti ynë fqinjë. Ajo është shumë më atraktive për investime, meqenëse gjeografikisht është shumë më afër Evropës Perëndimore, ka 5.835 kilometra bregdet, 4,4 milionë banorë, prej të cilëve 1,4 milionë janë të punësuar. GDP-ja për kokë banori 14.456 dollarë, ndonëse ka ngecje në zhvillimin ekonomik, vjet kishte normë negativë -1,2 për qind. Megjithatë ky vend thithi mbi 1,1 miliardë euro investime të huaj, ndonëse ato në vitin 2009 ishin dy herë më të larta.

Fundamenti

Nga ana tjetër Maqedonia vjet kishte rritjet pozitive ekonomike 2,8 për qind, kurse sivjet shënon ngecje -0,2 për qind, ka GDP-në 5.016 dollarë për kokë banori, vjet nuk kishte as gjysmën e IHD-ve, krahasuar me Kroacinë, ka rreth dy milionë banorë, prej të cilëve 32,6 për qind Por, ajo ka resurse të kufizuar dhe probleme me Greqinë që e pengojnë anëtarësimin e saj në institucionet me rëndësi për ekonominë e saj.

Këto krahasime tregojnë se nuk mjafton vetëm pozita e mirë në listën e BB-së. Për të tejkaluar ngërçin në relacion me investitorët, apo për të rritur normën e zhvillimit ekonomik dhe atë të punësimit, duhet bërë edhe diçka më shumë. Për të përmirësuar ambientin për biznes, përkatësisht që Kosova të jetë vend atraktiv për investitorët qeveria ka përplot punë të pabëra. Në rrafshin ekonomik, ajo edhe më tutje duhet të punoj në politikat fiskale, posaçërisht të trajton të ashtuquajturat “pushime tatimore”. Bizneseve fillestare iu duhet një pushim i vogël përderisa nuk forcohen për të përballuar konkurrencën dhe kërkesat që bënë shteti prej tyre, atyre t’iu ofrojë shfrytëzimin e lokacioneve pa kompensim, por këtu duke iu dhënë përparësi bizneseve prodhuese dhe atyre që nxisin punësimin, ndërsa pushteti lokal nuk duhet të jetë pengesë kur është në pyetje sigurimi i lejes për ndërtim dhe regjistrimi i pronës, ku ende nuk qëndron. Këto detyra ajo duhet t’i kuptojë seriozisht, meqenëse mund të gjendet para një situate që nga Kosova të ikin edhe investitorët e brendshëm, e jo vetëm ata të jashtëm. Kjo mund të ndodhë për faktin se numri i konsumatorëve është i vogël, ndërkaq Maqedonia ofron kushte e beneficone të madhe për investitorët, të cilët mund të investojnë në këtë vend, kurse duke shfrytëzuar përparësitë që ofron CEFTA mallin ta sjellin edhe në Kosovë.

Gjithashtu, duhet të debllokojë resurset natyrore, ashtu që ato të jenë në funksion të investimit dhe të zhvillimit. Për ilustrim këtu mund të përmendet rasti i “Trepçës”, ku ende nuk kanë qasje investitorët, apo ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, që do t’iu hapte rrugë edhe investitorëve të tjerë të interesuar për qymyrin e Kosovës. Kjo do të thotë se zhvillim nuk mund të krijoj vetëm privatizimi i pronës publike, meqenëse paratë që merr buxheti i shtetit që tani kanë të destinuar vendin se ku do të shpenzohen.

Pos këtyre, puna më e madhe duhet të përqendrohet në zvogëlimin e rrezikut politik dhe atij jokomercial. Nëse e para lidhet me problemin veriut të vendit, bisedimet e paralajmëruara dhe përgjithësisht me statusin ndërkombëtar të vendit, kjo e dyta është krejtësisht përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës. Duhet të arrihet vullneti politik për luftimin e korruptonit dhe krimit të organizuar. Këtu duhet një punë shumë e madhe, meqenëse, së paku sipas raporteve të shumta në media, bartësit e tyre qëndrojnë lartë në hierarkinë e pushtetit. Problemi me tenderët, mungesa e transparencës , privatizimet me plot dyshime dhe mospërfillja e nivelit arsimor dhe profesional me rastin e punësimit, dëmtojnë rëndë imazhin vendit. Paralelisht me këto vjen lufta kundër informalitetit dhe kontrabandës, të cilat nuk janë problem vetëm për arkën e shtetit, por tërësisht çrregullojnë tregun dhe humbin kuptimin e konkurrencës.

Përderisa nuk bëhet një përpjekje serioze për eliminimin e këtyre problemeve, por edhe ndëshkimin e bartësve të tyre, atëherë devalvohet tërësisht kuptimi i të qenit në vendin e 98 në listën e BB-së.