Meshkujt u tremben femrave të suksesshme

Agnesa Vuthaj është një personazh mjaft i njohur për publikun shqiptar. Një vajzë mjaft e bukur, e cila rrezaton mirësi dhe zgjuarsi sapo e sheh. Në fakt Agnesa punon shumë për të arritur gjërat që ka, famën, statusin dhe pozicionin e saj në tregun mediatik.
Agnesa, si ka qenë kjo verë për ty?
Kjo verë ishte shumë e këndshme për mua. Kam qenë më e lirë në dallim nga vitet e fundit dhe jam munduar ta shijoj secilën ditë.
Ka qenë më shumë punë apo pushime?
Kombinimi im i preferuar, punë dhe pushime. Kam qenë e angazhuar për fushatën e BKT-së, që jam imazh i tyre këtë periudhë. Pastaj në planifikimin e disa projekteve të reja që pres të realizohen nga fundi i vitit apo edhe viti i ardhshëm… Përndryshe edhe kam udhëtuar e pushuar.
Si është Angnesa në një ditë të zakonshme?
Mëngjesi është shumë i rëndësishëm për mua. Më pëlqen të zgjohem herët dhe të pi një kafe me qetësi, duke parë televizor, lexuar apo komunikuar me familjen a miqtë e mi. Për të vazhduar të planifikoj punët që do kryej gjatë ditës. Mbrëmjeve preferoj të lexoj para se të fle…
Çfarë nuk pëlqen te femrat?
Unë e pëlqej shumë femrën dhe karakterin femëror… Asnjëherë nuk kam thënë “sikur të isha djalë”… Në një pikë të gjitha jemi shumë të ngjashme: të ndjeshme, të kujdesshme e të dashura.
Sipas teje, me çfarë e ekzagjerojnë femrat shqiptare?
Ekzagjerimin do e konsideroja personal dhe global më shumë sesa shqiptar. Unë besoj që secila femër duhet të dijë çfarë dëshiron nga vetja dhe jeta e saj dhe të arrijë të marrë apo krijojë më të mirën e mundshme për të. Unë nuk e paragjykoj askënd. Secila ka stilin e vet të të jetuarit.
Mendon se sot njerëzit po i japin më tepër rëndësi pamjes sesa shpirtit?
Pamja është e para që vërejmë te secili person, ndërsa për të njohur shpirtin e dikujt apo botën e brendshme kërkohet shumë më shumë kohë e mund. Por në botën e showbizit është pamja parësore, sepse fillimisht publiku nuk do të shikojë një modele, këngëtare a aktore për shpirtin, por për pamjen a talentin e saj.
Agnesa, mesa dimë nuk keni dikë përkrah. Është e vështirë që dikush t’ju bëjë për vete?
Më e vështirë është të më mbajë dikush, sesa të më bëjë për vete. Për mua një lidhje duhet të ketë dashuri, kujdes dhe përkushtim të vazhdueshëm dhe gjithmonë në rritje.
A dashuron shpesh Agnesa Vuthaj?
Jo, por kur dashuroj, dua të dashuroj pa limite.
Çfarë do të doje nga mashkulli i jetës tënde?
Të njohë dhe të kuptojë botën time të brendshme.
Beson te dashuria me shikim të parë?
Po, besoj që një shikim i parë mund të jetë nismë e një dashurie të madhe. Besoj shumë te kimia.
Sa e vështirë është të ruash privatësinë kur je i famshëm?
Është e vështirë, por është një sakrificë për ne. Gjithçka e ka momentin e vet. Gjërat do bëhen publike gjithsesi, por është mirë të bëhen në kohën e duhur, jo paraprakisht apo pasi të kenë marrë fund.
Ju kanë frikë meshkujt, sepse mund t’ju dukeni e paarritshme dhe tremben t’ju njohin nga afër?
Po, meshkujt ju tremben femrave të suksesshme.
Dasmën tënde si e dëshiron?
Ose shumë tradicionale, me tradita e shumë të ftuar, ose një dasmë shumë të vogël private në një vend special.
Je femër tradicionale apo më shumë moderne?
Të dyja. Jam tradicionale sa i përket vlerave që kam trashëguar dhe dua t’i ruaj ato e t’i trashëgoj te brezat e ardhshëm, ndërsa për pjesën tjetër jam shumë moderne. (Me shkurtime nga Gazeta MAPO)