Fundamenti

Mesazhi i Kryetarit të Bashkësisë Islame drejtuar qytetarëve të Gjilanit

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan -Falja e namazit të Fitër Bajramit, nesër ( e diel) do të bëhet në sheshin para Teatrit të Qytetit. Lusim të gjithë qytetarët të cilët nesër do të jenë prezent aty, të jenë të dinjitetshëm, të ruajnë njëri tjetrin e posaçërisht të ruajnë ambientin, gjelbërimin, lulet dhe trungjet që janë në qytetin tonë thuhet në mesazhin e Mustafë Bajramit.

“Ka shpëtuar ai që është pastruar, që përkujton Madhërinë e Zotit të vet dhe falet.” (El A’la, 14, 15)

Të nderuar besimtarë, qytetarë të komunës së Gjilanit, vëllezër dhe motra!

Deri dje, në shtëpitë tona dhe në jetën tonë patëm për mysafir të dashurin e Allahut, Muajin e Ramazanit, muajin e sakrificës, mundimeve, punës së përkushtuar edukimit të shpirtit dhe jetës sonë. Sonte kur po përshëndetemi me këtë muaj, kur nesër do të kremtojmë fitoren mbi epshin, zilinë, xhelozinë, smirën, kur njëri tjetrit do t’i shtrijmë dorën duke uruar Festën e Bajramit, sonte jemi nën emocione, sepse po lëmë prapa një muaj punë dhe po fillojmë kremten e fitoreve dhe nga andej jetës do t’i hudhemi me energji të reja.
Ani pse ne shqiptarët nuk kemi shumë kohë për të festuar. Ani pse ne shqiptarët ende kemi shumë punë për të bërë. Megjithatë, ne shqiptarët e besimit islam, kësaj radhe dhe kudo që jemi kemi të drejtën tonë të gëzohemi. Përgjatë një muaji iu përkushtuam Allahut dhe shoqërisë.

Për ibadetin që e bëmë, nga Allahu kërkojmë shpërblimin, e Allahu është Ai që di më së miri të shpërblej adhurimin ndaj Tij. Ibadeti, pra, adhurimi, nuk është vetëm falje e namazit, agjërim i muajit që po lëmë pas, nuk është as vetëm zeqati, sadakaja dhe lëmoshat tjera. Ibadeti ndaj Allahut është edhe puna jonë në të mirë të shoqërisë, puna në të mirë të atdheut dhe mbarë njerëzimit. Puna e bujkut, punëtorit, mësuesit, amvises, e mjekut, imamit, policit, ushtarit, udhëheqësit dhe prijësit, është ibadet, është adhurim i vërtetë, nëse punën e tyre e bëjnë në emër të Zotit dhe për të mirën e shoqërisë.

Adhurimi kryerja e detyrave dhe përgjegjësive tona ndaj qytetarit, të nevojshmit dhe shoqërisë në përgjithësi. Secila punë që bëhet në emër të Zotit dhe për të mirën e njeriut është formë e adhurimit ndaj Allahut. Edhe kur mbjellim një lule, një fidan në rrugë, edhe kur nga rruga largojmë nga guralec që pengon kalimtarët, edhe kjo është vepër adhurimi për Allahun e Madhërishëm.

Andaj, të gjithë kemi të drejtë që nesër të festojmë, t`i gëzohemi ditës së Fitër Bajramit sepse të gjithë ata që kanë kryer punën e vet me nder, kanë kryer adhurimin ndaj Zotit të tyre.

Të nderuar besimtarë!

RCCOLA

Nesër është dita e parë e Fitër-Bajramit. Në këtë ditë feste e të rëndësishme për paqen, ripërtëritjen dhe begatinë tonë shpirtërore, në këtë ditë të madhërishme të shprehjes së besimit dhe të një çasti kremtimi për të gjithë ju, besimtarë myslimanë kudo që ndodheni, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta me mesazhin e të dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s që ka të bëjë me natën e Bajramit ku thotë: “Kush e gjallëron Natën e Bajramit, përmes leximit të Kur’anit, faljes së namazit, të përkujtuarit madhërinë e Zotit në forma të ndryshme , zemra dhe shpirti i tyre do të mbetet i gjallë në Ditën kur të gjitha zemrat do të pushojnë së rrahuri”!
Falja e namazit të Fitër Bajramit, nesër do të bëhet në sheshin para Teatrit të Qytetit. Lusim të gjithë qytetarët të cilët nesër do të jenë prezent aty, të jenë të dinjitetshëm, të ruajnë njëri tjetrin e posaçërisht të ruajnë ambientin, gjelbërimin, lulet dhe trungjet që janë në qytetin tonë.

Pas faljes së Namazit të Fitër Bajramit besimtarët të shkëmbejnë vizita në familjet e të afërmve dhe miqve për të uruar një vit më të mbarë. Këshilli i Bashkësisë Islame i ka të hapur dyert për të gjithë që dëshirojnë të vijnë e përgëzojmë njëri tjetrin, t’i urojmë njëri tjetrit shëndet, begati dhe suksese në jetë.

Fitër Bajrami nuk është thjeshtë dita e zbukurimit me veshje të reja, por ditë në të cilën angazhohemi për të mbajtur besën dhe amanetin e Ramazanit. Bajrami është një ditë e begatë dhe një Festë e lumtur, që na thërret të pajtohemi, të duhemi dhe të shtojmë angazhimin për një jetë më të mirë në harmoni me njëri-tjetrin.

Falënderojmë të gjithë ata që ndihmuan që ky muaj të shkoj më së miri. Falënderojmë kolegët, miqtë, xhematlinjët për përkushtimin e tyre ndaj të gjithë neve. Falënderime të posaçme për kreun e Komunës, bashkëpunëtorëve të tij, kreut të Policisë rajonale dhe bashkëpunëtor të saj, ata mbanë rendin dhe qetësinë. Lusim Allahun për shëndet dhe shpërblime.

Ky Fitër Bajram është i veçantë edhe për një arsye tjetër. Jemi në vigjilje të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, të ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar. Andaj, kemi edhe një arsye më shumë të jemi të kënaqur dhe krenar, dhe kemi edhe një arsye më shumë t’i drejtohemi qytetarëve të Gjilanit me fjalën; “Jini të mirë, mendoni mirë, gjykoni drejt e mirë dhe mos paragjykoni. Mos damkosni historinë, personalitetet e saj, jini të përmbajtur. Mos thoni e shkruani çdo gjë që ju bie ndër mend e çdo gjë që shkruan lapsi. Bëhuni kombëtar, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra.”

Sot e nesër, myslimanët duhet të japin shembullin më të bukur të bashkimit dhe unitetit. Bajrami i jep indikacion të qartë myslimanit se me besim të fortë dhe qëndrueshmëri permanente, mund të arrijë kontroll të përkryer mbi veten dhe të vendosë baraspeshë ideale midis materiales dhe shpirtërores.

Vesselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!