Mesazh mirënjohjeje nga Shukrije Ramadani: “Agimi jeton përmes jush”
Gjilan – Me shumë përzemërsi dhe emocion të thellë, Shukrije Ramadani ka falënderuar publikisht të gjithë ata që u bënë pjesë e “Ditëve të Agimit 2026”, duke theksuar se prania dhe angazhimi i tyre i dhanë kësaj ngjarjeje shpirt, dritë dhe një kuptim të veçantë.
Ajo nënvizoi se çdo moment i manifestimit mori peshën që meriton – nga zbulimi i muralit dhuratë nga Ukë Salihu, te ngritja madhështore e flamurit të UÇK-së, e deri te tubimi qendror “I këndojmë Agimit”, ku qytetarë e bashkëluftëtarë u bashkuan në nderim, mall dhe krenari për figurën e Agim Ramadani.
Në mesazhin e saj, ajo vlerësoi pjesëmarrjen e figurave të larta institucionale dhe politike, përfshirë Donika Gërvalla, Andin Hoti, Alban Hyseni dhe Lumir Abdixhiku, si dhe të personaliteteve të tjera të njohura si Rustem Berisha, Anton Çuni, Xhafer Gashi, Musa Gjakova, Fadil Hadergjonaj, Bahri Gashi dhe Agron Jusufi, bashkë me shumë shokë e bashkëluftëtarë të Agimit, veteranë të luftës dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, të cilët i dhanë këtij përvjetori dinjitet dhe madhështi të veçantë.
Mirënjohje e sinqertë, sipas saj, u takon edhe artistëve dhe kontribuuesve të kësaj atmosfere të jashtëzakonshme, ndër ta Shkurte Fejza, Hysni Klinaku, Ismet Bexheti, Gold AG dhe Shoqata “Karadaku”, si dhe përfaqësues të shumtë të kulturës, sportit dhe institucioneve lokale e qendrore.
Një falënderim i veçantë iu dedikua organizatorëve tradicionalë – Shoqatës së fshatit, e cila prej 27 vitesh, me përkushtim të vazhdueshëm, kujdeset për ruajtjen dhe vazhdimësinë e “Ditëve të Agimit”, duke e mbajtur të gjallë këtë amanet brez pas brezi.
Në përmbyllje, Shukrije Ramadani shprehu mirënjohje për respektin, dashurinë dhe nderimin e treguar në ditëlindjen e 63-të të Agim Ramadani, duke theksuar një mesazh që përmbledh thelbin e kësaj kujtese: Agimi ka vetëm ditëlindje dhe përmes këtij përkujtimi, ai mbetet gjithmonë i gjallë në kujtim dhe i pavdekshëm në zemrat e të gjithëve./rajonipress/







