Mërgimtarët nuk duan të jetojnë në Kosovë

Çdo vit, në muajt e verës, Kosova vizitohet nga një numër i madh i mërgimtarëve, të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës.
Në mesin e mërgimtarëve ka shumë të rinj, disa nga të cilët nuk kanë lindur në Kosovë. Për rubrikën e përjavshme “VOX” të REL-it, ata thonë se pushimet kanë dëshirë t’i kalojnë në vendlindjen e prindërve, por jo edhe të jetojnë në Kosovë.
“Pak ndryshime shoh. Rinia s’ka shumë aktivitete, papunësia është e madhe edhe nuk shoh ndonjë të ardhme këtu”, thotë Lulzim Krasniq, ekonomist që jeton në Ulm të Gjermanisë. “Të kthehem – jo se jo. Tash unë e kam jetën time atje, e kam punën edhe të ardhurat janë shumë më të mira”.
Hajriz Dilaveri, i cili me familjen e tij jeton në Zvicër, thotë se Kosova ofron pak në krahasim me vendin ku ai jeton.
“Këtu veç për pushime. Për të jetuar nuk e besoj”, shprehet Dilaveri.
Për Edon Hasanin, i cili thotë se është në përfundim të shkollës së mesme, Kosova është vend shumë i mirë për të jetuar, por vetëm për “periudhën e pleqërisë”. Ndërsa, Eris Miftari thotë se një nga arsyet se pse dëshiron të jetojë Zvicër, janë të ardhurat:
“Atje ka më shumë para, këtu nuk merr pagë të madhe”.
Genita Demolli, e cila në Kosovë ka ardhur për pushime nga Norvegjia, thotë se Kosova i pëlqen vetëm për pushime, por jo për të jetuar.
Kushtrim Sherifi, i cili jeton në Kosovë, thotë se të rinjtë që kanë ardhur nga diaspora kanë të drejtë kur thonë se nuk duan të kthehen për të jetuar këtu.
Ministria e Diasporës, në kuadër të organizimit të manifestimit tradicional “Ditët e Diasporës në Kosovë – 2012”, është duke organizuar aktivitete të ndryshme për bashkatdhetarët në pothuajse të gjitha komunat e Kosovës.
Institucionet kosovare u bëjnë thirrje bashkatdhetarëve që kontributi i tyre për vendin të mos jetë i përqendruar vetëm në remitenca, por të mendohet në investime më të mëdha që të mund të ulet shkalla e papunësisë në vend. /Telegrafi/