Mërgimtarët e Tërpezës grumbullojnë 12 mijë euro për ndërtimin e shtëpisë së re të familjes së Elmi Sadikut
Mërgimtarët e Tërpezës që punojnë dhe veprojnë në Gjenevë të Zvicrës, bëjnë me shtëpi të re familjen e Elmi Sadikut. Ata në kuadër të aksionit humanitarë për ndërtimin e shtëpive për familjet e pastreha në Komunën e Vitisë, për nevojat e e ndërtimit të shtëpisë së familjes 7 anëtarësh Sadiku kanë grumbulluar 12 mijë euro.
Iniciuesi i këtij aksioni njëherit anëtari i kryesisë së shoqatës së mërgimtarëve “Vitia” Sokol Shaqiri, ka thënë se aksioni për ndërtimin e shtëpisë së familjes Sadiku, është në kuadër të aksionit të gjithëmbarshëm të mërgimtarëve vitias për ndërtimin e shtëpive për familjet e pastreha “Kontributi juaj ndryshon jete” që është iniciuar nga shoqata “Vitia” dhe që ka gjetë mbështetje nga mërgimtarët e shumë jo vetëm në Gjenevë të Zvicrës por edhe në kantone tjera të këtij shteti si dhe në shtetet tjera perëndimore. “Në kuadër të këtij aksioni mërgimtarët e Tërpezës kanë marrë iniciativën që të ndërtojnë një shtëpi për një familje skamnore në fshatin e tyre dhe për këtë qëllim kanë grumbulluar mjetet e nevojshme financiare”, ka thënë Shaqiri, duke potencuar se ky aksion është mbështet edhe nga anëtarët tjerë të shoqatës “Vitia” e cila për këtë qellim ka ndare 4 mije euro.
Ai ka theksuar se ky nuk është aksioni i vetëm i ndërmarrë nga mërgimtarët e Tërpezës, pasi ata edhe më herët kanë ndihmuar familjet skamnore në fshat si dhe shkollën e fshatit.
E, familja Sadiku së cilës po i ndërtohet shtëpia është shprehur falënderuese për këtë ndihmë të mërgimtarëve të cilët këtë familje po e bëjnë me shtëpi të re./rajonipress/


