Mobi Casa

Mëkatet e Evropës

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Naser Sertolli – Nga njëzet çunat me të cilët pata kryer tetëvjeçaren vetëm unë dhe Qemajli, i qëndruam “besnikë” vatanit. Gjithë të tjerët, duke mos parë perspektivë për jetë, ia patën mësyrë Perëndimit. Gjermania ishte ëndrra e të gjithëve, më pas vinte Zvicra, Austria… (Sa për krahasim, më 1992 flitej se vetëm në Munchen ishin 73 bellanicas).

Atje shkuan kush me pasaportë (ndonjëri me të tjetërkujt), e kush pa të. Shumica rrezikuan jetën, duke kaluar not lumenj të rrëmbyeshëm, ndonjëri u përball me bisha të Alpeve, e të tjerë sa nuk vdiqën nga asfiksia – të fshehur në bagazhe e pjesë të ndryshme të veturave, kamionëve e autobusëve.

Në atë kohë (fillimi i viteve 1990), të rinjtë shqiptarë të Kosovës nuk kishin ardhmëri në vendin e tyre. Kjo si pasojë e apartheidit që ushtronte regjimi i Serbisë, i cili Kosovës pak kohë më parë ia kishte marrë edhe atë pak autonomi që e gëzonte. Atëbotë, regjimi i Beogradit i nxori nga puna të gjithë shqiptarët që nuk pranuan “lojalitetin”, e nga objektet shkollore nxori të gjithë gjimnazistët e fakultetlinjtë shqiptarë.

Shumica e shokëve të klasës, por edhe familjarë, atje, në Perëndim, krijuan familje. Shpesh lidhën kurorë me partnerë me dallime të mëdha në moshë. Por, kjo ishte mundësia për të mos u kthyer mbrapsht, e të binin në duart e atyre prej të cilëve kishin ikur.

E tash, dy dekada më vonë, pasi u çliruam e u pavarësuam, të mashtruar nga premtimet fantastike të disa qeveritarëve se brenda disa muajsh do të mund të lëvizim lirshëm në BE, të shumtë janë kosovarët që kanë pritur që sivjet nuk do të mërdhijnë a të digjen në diell duke pritur për viza pranë ambasadave e të shkojnë të takohen, e të çmallen me familjarë që ndoshta kurrë nuk i kanë parë “live”. Dikush, po ashtu, ka ëndërruar që ta shkelë tokën e premtuar – Evropën, për herë të parë pa frikën se do të përbuzet nëpër kufi.

KKVITI

Dhe, këto ditë, qytetarët morën dush të ftohtë nga Brukseli: “Me Kosovën nuk do të ketë liberalizim të vizave së paku edhe një vit…”. Në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian po hyn në gjynah me këtë popull, i vetmi i getoizuar në kontinentin e vjetër.

Përveç që nuk na i hoqi vizat, BE-ja mëkatin më të madh e bëri që fatin e këtij populli e lidhi me veprimet kriminale e të papërgjegjshme të një grupi zyrtarësh të pasoj shtetërorë. Me ata zyrtarë që, menjëherë pas kumtit nga Brukseli, me paturpësinë më të madhe na shfaqen në ekrane dhe për paudhësitë dhe dështimet e tyre fajin e hedhin tek ata që po na konsideruakan si “qytetarë të kategorisë së dytë”, si dhe kërcënojnë me do nacionalizma e patriotizma, të cilat më nuk i ha asnjë pazar.

Kurse, Evropa, duke na hapur dyert, do të mund ta pastronte ndërgjegjen që i rëndon nga e kaluara. Sidomos tash kur po bëhet një shekull që kur na la të ndarë e në duart e hienave të Karpateve.

Liberalizimi i vizave do të kishte qenë dhurata më e mirë në këtë përvjetor, të pestë, të pavarësisë së Kosovës. Por, duke pasur parasysh kastën në krye të shtetit, sukses do të jetë të udhëtojmë lirshëm në BE, kur kjo demokracia jonë ta mbushë një dekadë jetë.