Mobi Casa

Mehmeti: Historinë e shkruajnë historianët, jo politikanët

/ 3 minuta lexim

Analisti Kim Mehmeti, i cili konsiderohet si njohësi më i mirë i zhvillimeve në rajon, thotë se ky do të jetë shekulli i shqiptarëve, derisa kundërshton rishikimin e historisë sipas ndikimit të Ankarasë zyrtare.

Në një intervistë dhënë për Albinfo.Ch, Mehmeti ka thënë se historia shqiptare do të shkruhet nëpër trojet shqiptare, e jo në Ankara a gjetiu.

“Librat e historisë i shkruajë historianët e jo politikanët. Historinë shqiptare duhet ta shkruajnë historianët shqiptarë, e askush tjetër. Ajo është shkruar, e do shkruhet, në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup e jo në Ankara, në Romë, Athinë, Beograd … apo kudo qoftë tjetër”, është shprehur analisti Mehmeti, duke shtuar se “historinë shqiptare duhet ta mbrojnë historianët, e jo ata të cilëve posa ua përmend Stambollin apo Ankaranë, përnjëherë u fanitet sikur drejtë nesh janë drejtuar asqerët Osmane, me fesat në kokë”.

Mobi Casa

Ai thekson se historinë nuk mund ta mbrojmë me antiturqizëm, “nuk mund ta mbrojmë as me mendësinë se ne bëhemi evropian vetëm nëse mohojmë çdo gjë që na vjen nga Lindja”.

“Kjo botë i ka katër anët e veta, dhe po ja hoqe njërën, ajo më nuk është e plotë. Edhe shqiptaria është e plotë kur i ngërthen në vetvete të gjitha, kur pa asnjë frikë i shikon të gjitha anët e botës nga asaj shqiptarie i kanë ardhur të mira e të këqija, por që gjatë shekujve, janë vulosur si pjesë e së kaluarës së saj”, ka theksuar Mehmeti, duke ripotencuar edhe njëherë se historinë tonë duhet ta shkruajnë historianët tanë që u nënshtrohen fakteve, që nuk vuajnë të jenë të pëlqyer nga të tjerët, që kanë vetëm një qëllim: të argumentojnë se mbi gjitha të vërtetat, qëndron ajo për një shqiptari që ka pritë e përcjellë perandori, por megjithatë ka mbijetuar.

“Atë që na takon ta bëjmë të gjithë së bashku është të mos lejojmë që të zgjohen fantazmat e perandorive të vdekura e ta helmojnë të sotmen tonë, duke e shndërruar atë në fushëbetejë ku do i dëshmojnë njëra tjetrës – por duke na përdorur neve si zëdhënës të tyre – se cila nga ato ka qenë shtrat më i ngrohtë për shqiptarinë”, ka thënë analisti Kim Mehmeti, në një intervistë dhënë portalit Albinfo.ch. /Zëri/