Meha për herë të tretë në formacionin e javës
I abonuar te goli dhe për të një vend në formacionin e Bundesliga 2. Alban Meha është kthyer fuqishëm në futbollin e luajtur prej shumë kohësh, ndonëse kaloi një dëmtim shumë të rëndë që e mbajti larg fushave të lojës.
Shqiptari me golin që ka shënuar dhe lojën e treguar në fushë, ka fituar të drejtën për të tretën herë të jetë këtë vit mes më të mirëve të Bundesligës 2. Mesfushori i Kombëtares Shqiptare, Alban Meha, ka shënuar njërin nga golat në fitoren që ekipi i tij Padeborn arriti kundër Arminia Beilefeld. Ndeshja në fundjavë, e cila filloi në orën 13:30, përfundoi 4-0 për ekipin e Padeborn dhe Meha ka shënuar golin e dytë të takimit në të 50’.
Padeborni me këtë fitore ngjitet në vendin e 3-të në Bundesliga 2 dhe mbetet një nga ekipet favorite për t’u ngjitur në elitën e futbollit gjerman. Edhe një javë më parë, Alban Meha ishte një nga 11 lojtarët e javës të Bundesliga 2.
Shqiptari fitoi një vend mes më të mirëve, falë golit të shënuar në takimin me Këlnin, i fituar nga Paderborni, me goditjen e tij të dënimit. Mediet gjermane e quajnë “magjistari që bën gjithçka të mundur”, për më tepër tani që janë 2 pikë larg ngjitjes direkte në Bundesliga 1. “Për momentin nuk “shohim lart”. Duhet të jemi modestë dhe të mendojmë për gjëra të tjera”, shprehet Alban Meha.


