Meha e Mehmedi, gola shqiptarë në Gjermani
Alban Meha e Admir Mehmedi janë përkujdesur për të shënuar gola në Gjermani të shtunën. I pari realizoi nga gjuajtja e lirë për Paderbornin, kurse i dyti për Freiburgun. Gol të premten mbrëma bëri edhe Bekim Bala në Poloni, kurse Valdet Rama asistoi me Valladolidin.
Futbollistët shqiptar nuk kanë të ndalur. Ata po vazhdojnë të shkëlqejnë me skuadrat e tyre nëpër liga të ndryshme europiane. Mesfushori kosovar, Alban Meha sërish ka realizuar një super gol. Ai ka shënuar në ndeshjen Munchen 1860 – Paderborn (2:2).
Anëtari i Shqipërisë e ka shënuar golin e dytë për Paderbornin në minutën e 16-të. Për mesfushorin nga Kosova ishte goli i tretë në tri ndeshjet e fundit të Paderbornit dhe të gjithë të shënuar nga largësia. Me këtë ai po dëshmon formë tejet të mirë.
Derisa Meha po shkëlqen në Bundesliga 2, një tjetër shqiptar po vazhdon me gola në Bundesligën 1. Është Admir Mehmeti, sulmuesi i Freiburgut që edhe këtë herë gjeti formulën e golit.
Ai shënoi në humbjen 4:2 në fushën e vet ndaj Augsburgut. Golin e realizoi në minutën 71. Skuadra e tij po lufton për mbijetesë në elitën e futbollit gjerman…(Tribuna – Arena).


