KKVITI

Megjithatë befasia mungoi

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Palestra e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan. Shikues: 200. Gjyqtarë: A. Rifati, A. Hoxhaj, U. Hasani. Pesë gabime: Sylejmani (Drita). Drita – Peja 78:82 (26:26, 24:25, 13:17, 15:14)

Drita: Fazliu, A. Mehmeti 2, Agomo 11, Shingles 7, Blackmon 12, B. Aliu, Bajraliu, Sylejmani 14, F. Mehmeti 15, Ibrahimi , A. Aliu, Dushica 17.

Peja: Shaptahoviq 13, Radoni 2, V. Grapci, Mutambo, Veseli 14, Rr. Grapci 4, Shima 15, Berisha 24, Qollaku, Mazreku 9, Awere 1, Ljuca.

Basketbollistët e Dritës në ndeshjen e fundit para publikut të tyre të këtij stinori, kanë pësuar humbje nga lideri i kampionatit të Kosovës në basketboll, por me lojën e treguar edhe po të kishin shënuar fitore nuk do të ishte befasi.

Vendasit gjatë tërë ndeshjen kanë luajtur me presion për të fituar lojën, pasi pikët në këtë ndeshje ishin të domosdoshme, derisa mysafirët të cilët kanë siguruar pozitën e parë para plejofit, ishin të relaksuar dhe nuk lodheshin shumë që këtë ndeshje me doemos ta fitojnë.

Fundamenti

E tërë pjesa e parë ka kaluar në lojë të barabartë, me disa epërsi të lehta herë nga skuadra vendase, e herë të skuadrës mysafire, por që në fund të 10 minutave të parë rezultati tregonte 26:26. Edhe 5 minutat e parë të pjesës së dytë loja ishte e barabartë, por ishin mysafirët të cilët me një seri të shpejtë arritën të krijojnë epërsi deri në dhjetë pikë. Vendasit i kundërpërgjigjen me lojë më të organizuar dhe brenda një kohe të shkurtër arrin që 20 minuta e parë ta përfundojnë vetëm me një pikë dallim 50:51.

Çerekun e tretë basketbollisti më i mirë kosovar, Dardan Berisha e nis me disa treshe të njëpasnjëshme, duke treguar cilësitë e tij prej basketbollisti të spikatur dhe në këto momente epërsia e mysafirëve ishte e dukshme. Kur pritej që mysafirët të vazhdojnë me lojë të njëjtë dhe të rrisin epërsinë, vendasit kthehen në lojë dhe me disa aksione të zgjatura, ngadalë, por sigurt me kalimin e kohës zbusin dallimin duke përfunduar 30 minutat me vetëm 5 pikë dallim 63:68.

Çereku i fundit ka kaluar në lojë të barabartë dhe në çastet e fundit mjaft dramatike. Vendasit disa herë kanë pasur mundësinë të shënojnë pikë nga pozita të pastërta, por nga ngutia dhe dëshira të shënojnë sa më shpejtë, nuk shënuan nga pozita që vështirë ishte për të humbur. Dhe normalisht kur dështon nga këso pozita, ndëshkohesh dhe këtë e bëri Peja që në fund me lojë rutinore arrin të ruaj epërsinë e krijuar dhe ndeshjen ta përfundoj me katër pikë dallim 78:82.

Lojtarët që më së shumti janë dalluar në radhët e Dritës ishin Dushica me 17 pikë dhe F. Mehmeti me 15 pikë, derisa te mysafirët nga Peja si zakonisht u dallua Berisha me 24 pikë dhe Shima me 15 pikë./rajonipress/