Mefail Ajeti rrëfen për ngjarjet e dhimbshme e tragjike që i ka përjetuar gjatë luftës 1999

Gjilan – Ahmetali Ajeti, edhe sot e kësaj dite – mungon. Varri i tij qëndron edhe sot hapur pa trupin e tij të pajetë. Në momentin kur vritet Ahmetaliu, aty është gjendur edhe Mefail Ajeti lladovas. Ai ka tentuar të ikë në perëndim kah Remniku. Por, plagoset nga ushtarakët serbë. Aty qëllojnë vajzat e tij. Ishte gjendje e pa përshkruar. Vajzat fillojnë të qajnë. Iu dhimbset babai i tyre i plagosur. Ushtarakët serbë i detyrojnë ato që trupin e Ahmetalisë të vrarë ta vendosin në kamion. Edhe Mefailin e detyrojnë të vendoset në kamion.

“Ishte rëndë, kur para meje gjendej i vrarë Ahmetali Ajeti. S’kisha çka të bëj. Unë përpiqesha me plagën time, e cila më rridhte gjak”. Ushtarët, kur vijnë te mejtepi, afër shtëpisë sime, e marrin edhe Xhevatin, djalin e axhës së tij. Mua më lanë në Budrigë, ndërsa atë dhe trupin e Ahmetalisë i kanë përcjellë gjer në Partesh. Xhevatin e ndalin dhe e torturojnë, ndërsa trupin e Ahmetalisë e sjellin para dyerve të Mefailit. Vajzat e Mefailit e kanë zbritur trupin e Ahmetalisë nga kamioni në tokë. Pas kësaj “skene” të trishtueshme, vajzat me gjyshin e tyre, Bastri Ajetin, ikin kah malet e Llashticës.

Pas kësaj ngjarje të dhimbshme, Mefail Ajeti ka gjurmuar në një vend, duke dyshuar për trupin e Ahmetaliut të pajetë. Pse jo? Në një ditar serb shtohet se në mes Lladovë e Nasalës është një varr masiv.

Sipas fjalëve të shkruara, thuhet se, aty ka edhe kafshë të groposura. Dy të vrarë janë gjetur dhe janë varrosur menjëherë pas luftës, por trupi i Ahmetalisë nuk është gjetur dot.

Mefail Ajeti ka gjetur në atë vend eshtra të kafshëve, por si ka shtuar ai, lë dyshim një litar i vogël, i cili, në momentin kur “bageri” ka gropuar këtë vend që gjendet në mes Lladovës e Nasalës, janë gjetur të lidhur disa eshtra të vegjël, që lënë dyshimin sikur të ishin gishtërinj të njeriut.

E dhëna tjetër flet edhe për rastin në Budrigën e Poshtme serbe, ku ka dyshime se në afërsi të Fabrikës së Radiatorëve, të jetë ndonjë varrezë masive.

Banorët e Lladovës, që janë shumë afër Budrigës serbe, shtojnë se, në kohën e para luftës së fundit, nga fshati i tyre janë dëgjuar britma burrash e grash të përzier me krismat e automatikëve në këtë vend, çka lë për të dyshuar se në këtë enklavë serbe ka të rrëmbyer e të mbuluar frymorë me ekskavatorë. Kjo ka ngjarë kur filloi lufta në Drenicë, më 1998. Pse jo? Gati një muaj ditë, qytetarët e kësaj ane të Karadakut s’kanë mundur të lëvizin nëpër Budrigën serbe, sepse, rruga ishte e ndalur te Ura e Madhe nga “rojat” e forcave policore serbe, ku qytetarët kanë lëvizur për Gjilan kah rruga e Pasjanit./tefik selimi/rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).