RCCOLA

Medvegjë: Ndërrimi i kryesisë së KBI-së, sjell rezultatet e para

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Këshilli i Bashkësisë Islame të komunës së Medvegjës ka filluar një projekt të madh për rregullimin e të gjitha varrezave shqiptare në territorin e komunës së Medvegjës. Me këtë projekt parashihet pastrimi dhe rrethimi i të gjitha varrezave nëpër të gjitha fshatrat shqiptare, ka bërë të ditur për medvegja.net kryetari i KBI-së në Medvegjë, Lulzim Sahiti.

Ai tha se tashmë, duke falënderuar zëvendëskryetarin e komunës dhe komunën për përkrahje materiale, kemi filluar me implementimin e këtij projekti.

Sipas Sahitit tashmë janë rregulluar varrezat e disa lagjeve të fshatit Kapit dhe Dediq, ndërsa për shkak të motit të lig që po mbretëron këto ditë jemi detyruar t’i ndërpresim punimet.

RCCOLA

Ai po ashtu tregoi se me këtë projekt parashihet edhe mirëmbajtja e objekteve fetare islame në komunën tonë, duke potencuar këtu edhe rregullimin e tyrbes së Kapitit e cila ishte djegur gjatë verës së këtij viti.

Sahiti thekson se që nga ndërrimi i kryesisë së Këshillit të Bashkësisë Islame në Medvegjë, është punuar mjaft.
“Unë i falënderoj bashkëpunëtorët, pastaj edhe banorët e fshatit Kapit të cilët na kanë përkrahur për realizimin e këtij projekti, dhe shpresoj që po sa të përmirësohet moti, do të vazhdojmë me pastrimin e varrezave të Tupallës e kështu me radhë në çdo fshat”, tha mes tjerash kryetari i këshillit të bashkësisë Islame në Medvegjë, Lulzim Sahiti.

Këshilli i Bashkësisë Islame në Medvegjë, shpreson që banorët në të ardhmen do të përkrahin më shumë këtë institucion dhe në këtë mënyrë do të mundësohet angazhimi i 4 apo 5 punëtorëve për përkujdesje të vazhdueshme të varrezave në të gjitha lagjet dhe fshatrat.